Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kuvendi: Rrisni kujdesin ndaj klientit për faturimet

564 ankesa janë depozituara pranë Entit Rregullator të Energjisë në drejtim të energjisë së pamatur, faturimit aforfe, mbifaturimit apo faturimit fiktiv nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për periudhën kohore janar-dhjetor 2017.

Të dhënat janë pjesë e analizës së kryer nga Kuvendi për institucionet e pavarura, ku ndër të tjera theksohet se 492 prej ankesave janë dërguar për trajtim pranë kompanisë OSHEE.

Objekt i ankesave janë edhe matjet jashtë kushteve teknike apo ankesa për vlera referuese, çka bën që Kuvendi të kërkojë rritje të vëmendjes ndaj konsumatorëve.

Në këtë kuadër, në mënyrë që konsumatorët të mos ndjehen të pambrojtur, duhet që ERE t’i kërkojë OSHEE-së respektimin e të drejtave të konsumatorit, përmirësimin e shërbimit të kujdesit ndaj klientit, evidentimin dhe ndëshkimin e sjelljeve arbitrare dhe të papërgjegjshme nga punonjës të kompanisë si dhe respektimin e afateve për shërbimet përkatëse, të cilat jo rrallë nuk respektohen, duke krijuar vonesa të cilat lenë vend për abuzim dhe korrupsion.

Ndërkaq, përveç kritikave, Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura konstaton përmirësim në drejtim të kujdesit ndaj konsumatorit duke qenë se është përfunduar rregullorja e cilësisë dhe sigurisë.

Po ashtu vihet re se ERE ka asistuar në përgatitjen e formularit të aplikimit të gjithë klientët e energjisë elektrike të paraqitur pranë zyrave të këtij institucioni, i cili mund të aksesohet lehtësisht edhe në faqen online të këtij institucioni.

Scan Tv,  04.05.2018