Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ëndrrat elektrike

Mirë se erdhët në një botë elektrike. Por, shqetësohuni për tranzicionin. Gazi, nafta dhe energjia elektrike kanë karakteristika tërësisht të ndryshme nga njëra-tjetra

 

Nafta ka qenë një ndër elementet kryesore të shekullit të 20-të. Sipas liderit francez, Georges Clemenceau, gjatë luftës, nafta ishte “aq e rëndësishme sa edhe gjaku”. Ndërsa në periudhë paqeje, biznesi i naftës mbizotëronte në tregjet e aksioneve dhe ishte një ndër shtyllat kryesore të ekonomive të shumë vendeve. Por, gjatë shekullit të 21-të, situata ndryshoi në këtë drejtim, sepse ndikimi i naftës nuk ishte po aq i fortë, ai ishte dobësuar ndjeshëm, shkruaan The Economist.

Gazi natyror i lirë, energjia e rinovueshme, automjetet elektrike dhe përpjekjet për të luftuar ngrohjen globale, nënkuptojnë se burimi kryesor i energjisë do të jetë ajo elektrike.
Të shumtë kanë qenë edhe ata që e kanë mirëpritur një gjë të tillë. Epoka e energjisë elektrike do të reduktojë ndikimin e tregtisë së naftës prej 2 trilionë dollarësh amerikanë, do të zvogëlojë shkaqet që kanë ndikuar në shndërrimin e naftës, si një prej burimeve kryesore të tensioneve globale, do ta vendosë prodhimin e energjisë në duart e autoriteteve lokale dhe do ta bëjë pushtetin më të prekshëm nga të varfrit.

Ajo gjithashtu do ta bëjë botën më të pastër dhe më të sigurt. Një prej problemeve kryesore në këtë drejtim është se si të kalojmë nga një e kaluar, ku nafta ka qenë elementi më i rëndësishëm në një të tashme, ku ajo do të zëvendësohet nga energjia elektrike. Kjo periudhë tranzicioni nuk është e vështirë vetëm për prodhuesit e naftës. Të shumtë janë ata që mendojnë se kjo periudhë mund të jetë e vështirë.

Nafta dhe energjia elektrike janë anët e kundërta të një medaljeje. Nafta është një lëndë djegëse me më shumë energji në peshë sesa qymyri dhe më e madhe nga vëllimi se sa gazi natyror (të dyja ende ndër burimet kryesore të energjisë elektrike). Ajo është e lehtë për t’u transportuar, për t’u magazinuar dhe për t’u shndërruar në një numër produktesh të rafinuara që nga plastika e deri te farmaceutika.

Por ajo gjendet vetëm në vende të veçanta të favorizuara nga gjeologjia. Prodhimi i saj është i përqendruar vetëm në disa duar dhe furnizuesit e tij oligopolistikë, duke filluar nga Seven Sisters, OPEC-u dhe Rusia – vazhdimisht kanë tentuar që t’i mbajnë të larta çmimet. Përqendrimi në vetëm disa kartele të caktuara e bëjnë naftën më të prirë ndaj krizave të ndryshme. Edhe qeveritë e shteteve të pasura me naftë janë më të prira për të favorizuar korrupsionin.

Energjia elektrike nuk është lehtësisht aq e perceptueshme dhe e kuptueshme sa nafta. Ajo është e vështirë për t’u ruajtur (magazinuar), humbet cilësinë kur transportohet në distanca të gjata dhe, mbi të gjitha, kërkon funksionimin mbi bazë të rregullave të caktuara. Por në çdo drejtim tjetër, ajo premton një botë më paqësore.
Energjia elektrike është e vështirë të monopolizohet, sepse mund të prodhohet nga burime të shumta, nga gazi natyror, bërthamor, energjia e erës, ajo e diellit dhe nga biomasa.

Sa më shumë që burimet e mësipërme ta zëvendësojnë qymyrin dhe naftën si lëndë djegëse për gjenerim, aq më të mëdha do të jenë edhe mundësitë që ne të jetojmë në një botë më të pastër. Duke pasur edhe kushtet e duhura atmosferike, ajo mund të gjendet lehtë kudo. Kushdo mund të prodhojë energji elektrike nga gjermanët ambientalistë deri te kenianët e varfër. Por është gjithashtu i vërtetë edhe fakti se teknologjitë e përdorura për të prodhuar energji elektrike nga burimet e rinovueshme, tokat dhe mineralet e rralla tek të cilat disa mbështeten duke përdorur panelet diellore dhe turbinat me erë, mund të shndërrohen në subjekt proteksionizmi dhe luftërash tregtare.

Kina, e cila prodhon 85% të tokave më të rralla të botës, i forcoi ndjeshëm kuotat e eksportit në vitin 2010, pothuajse me të njëjtin zell me atë të OPEC-ut. Amerika dhe Bashkimi Europian kanë goditur tarifat e importeve kineze të paneleve diellore. Megjithatë, teksa substancat më të rëndësishme, që janë të përfshira në gjenerimin dhe ruajtjen e energjisë elektrike ekzistojnë, ato mund të riciklohen në pjesën më të madhe.
Edhe nëse prodhimi i sotëm është i përqendruar, për pjesën më të madhe të materialeve, planeti ka burime të pazhvilluara dhe të pashfrytëzuara ose burime alternative që mund të zëvendësojnë ato që sot janë të përhapura, duke mos lejuar kështu monopolizimin e tij.

Për elektricitetin, një faktor i rëndësishëm është bashkëpunimi. Duke qenë se burimet e energjisë së rinovueshme janë të ripërtëritshme, strukturat rajonale janë të nevojshme për të transportuar energjinë elektrike nga aty ku ajo është e bollshme në ato vende ku ka mungesë.

Kjo mund të përsëriste politikën e ndjekur nga Rusia në transportin e gazit natyror në Europë. Duke qenë se strukturat janë të ndërlidhura në mënyrë që të diversifikojnë furnizimin, vendet më të ndërvarura do të arrijnë në përfundimin se manipulimi i tregut do të thotë vetëshkatërrim.
Prandaj një botë me energji elektrike është një botë e dëshirueshme nga të gjithë. Por rruga që të shkohet deri në atë pikë është e vështirë për dy arsye kryesore.

Së pari, qeveritë autoritare, të varura nga nafta, mund të shembeshin. Edhe pse të pakta do të ishin ato që do ta ndienin mungesën e tyre, shkatërrimi i tyre mund të shkaktonte trazira sociale dhe konflikte të shumta. Prodhuesit e naftës e dinin mirë se çfarë do të ndodhte kur çmimet u rritën gjatë viteve 2014-2016, gjë kjo që ndikoi në marrjen e masave shtrënguese dhe jopopullore.

Arabia Saudite dhe Rusia kanë kufizuar prodhimin e naftës, duke ndikuar në rritjen e çmimit të saj, si pjesë e një marrëveshje të “OPEC+”. Ata kanë nevojë për çmime të larta në mënyrë që ekonomitë e tyre të mbijetojnë, edhe atëherë kur nafta nuk do të jetë një prej shtyllave kryesore të ekonomive të tyre. Por sa më shumë të mundohen që ta rrisin ato çmimin e naftës, aq më e madhe është përpjekja e gjigantëve të etur për energji, si Kina dhe India, për të investuar në elektrizimin e energjisë së rinovueshme për të mundësuar furnizime më të lira dhe më të sigurta.

Nëse aleanca e prodhuesve do të shkatërrohet përballë një rënie afatgjatë të kërkesës për naftë, çmimet mund të bien përsëri, por këtë herë për mirë. Por është pikërisht kjo e cila çon në rrezikun e dytë: rënien e investitorëve në asetet e naftës. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, nëse lëvizjet për të kufizuar ngrohjen globale në më pak se 2° C përshpejtohen në vitet e ardhshme, 1 trilion dollarë amerikanë e aseteve të naftës mund të bllokohen.

Nëse kjo periudhë tranzicioni do të jetë e shpejtë, atëherë tregjet e bursave do të ekspozohen padyshim dhe tensioni do të jetë i pashmangshëm. Nga njëra anë, politikat e qeverisë po përpiqen që ta përshpejtojnë një kalim të tillë, por nga ana tjetër pikërisht përshpejtimi do të shkaktojë trazira.

Revista Monitor,  03.04.2018