Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hapat për krijimin e bursës së energjisë

Intervistë me Dr. Nickolas Frydas: Specialist i Lartë i Energjisë i IFC dhe Menaxher Projekti për Bursën Shqiptare të Energjisë – APEX: Sa më i madh të jetë likuiditeti i një burse të energjisë (për sa i përket numrit të pjesëmarrësve), aq më i mirë do të jetë sinjali i përcjellë nga çmimi i energjisë, meqenëse pasqyron vlerën e vërtetë dhe të drejtë të energjisë elektrike në sistem

 

 

Tregu shqiptar i energjisë elektrike është në një udhëkryq të rëndësishëm transformimi, teksa nga njëra anë, performanca e ndërmarrjeve të energjisë duhet të përmirësohet dhe, nga ana tjetër, Shqipëria po përpiqet të përfitojë nga integrimi i tregut të saj të energjisë, fillimisht në tregun rajonal, dhe përfundimisht në tregun e brendshëm europian të energjisë, sipas detyrimeve ndërkombëtare të vendit dhe traktateve të nënshkruara, ndërkohë që tregu liberalizohet.

Për Dr. Nickolas Frydas: Specialist i Lartë i Energjisë i IFC dhe Menaxher Projekti për Bursën Shqiptare të Energjisë – APEX, sfidë e madhe është edhe krijimi i bursës së energjisë. Megjithëse, ai e pranon që nuk jemi ende gati për bursën, në momentin që ajo do të krijohet, do të sjellë avantazhe të shumta për të gjithë aktorët në treg, kompanitë e sektorit publik, prodhuesit e pavarur të energjisë, si dhe investitorët potencialë privatë.
Në një intervistë për “Monitor”, ai flet për hapat që po ndiqen për krijimin e bursës së energjisë dhe liberalizimin gradual të tregut.

 

Tregu i energjisë në Shqipëri është prej disa vitesh në një fazë reformimi që lidhet, përveçse me përmirësimin e treguesve financiarë, me një model të ri të tij. Ju si e gjykoni situatën në këtë treg, në çfarë faze ndodhet ai?

Tregu shqiptar i energjisë elektrike është në një udhëkryq të rëndësishëm transformimi. Nga njëra anë, performanca e ndërmarrjeve shqiptare të energjisë, KESH dhe OSHEE, duhet të përmirësohet, dhe kjo po bëhet përmes mbështetjes të dhënë nga Grupi i Bankës Botërore për Qeverinë Shqiptare.

Mbështetja lidhet me rinovimin dhe modernizimin e infrastrukturës së KESH, dhe përmirësime të performancës operative dhe financiare në OSHEE. Nga ana tjetër, Shqipëria po përpiqet të përfitojë nga integrimi i tregut të saj të energjisë, fillimisht në tregun rajonal, dhe përfundimisht në tregun e brendshëm europian të energjisë, sipas detyrimeve ndërkombëtare të vendit dhe traktateve të nënshkruara. Parakusht i aspekteve të mësipërme është liberalizimi gradual i tregut të energjisë elektrike dhe tërheqja e investimeve private kapitale në sektor.

Tashmë është miratuar projekti për Bursën e Energjisë. Cili është ndikimi i pritshëm për kompanitë publike të sektorit, sidomos për prodhuesit e pavarur dhe biznesin?

Bursa e Energjisë nënkupton një treg transparent dhe konkurrues të energjisë elektrike në bazë ore. Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) mbështet Qeverinë e Shqipërisë për të ngritur një bursë të energjisë. Ky është projekti të cilin unë kam privilegjin të drejtoj, dhe ne kemi mobilizuar disa nga konsulentët më të mirë ndërkombëtarë.

Sa më i madh të jetë likuiditeti i një burse të energjisë (për sa i përket numrit të pjesëmarrësve), aq më i mirë do të jetë sinjali i përcjellë nga çmimi i energjisë, meqenëse pasqyron vlerën e vërtetë dhe të drejtë të energjisë elektrike në sistem. Kompanitë e sektorit publik janë të rregulluara dhe prandaj të ardhurat e tyre përcaktohen nga rregullatori shqiptar i energjisë, ERE. Do të ketë kontrata të lidhura ndërmjet kompanive të sektorit publik për të shkëmbyer flukset e parave në rastet e tejkalimit apo mungesës së të ardhurave të lejuara të rregulluara.

Si rezultat, kompanitë e sektorit publik (si KESH) mund të kenë avantazhe (veçanërisht hidrocentralet e tyre me rezervuarë mund të optimizojnë operimin e tyre), por nuk do të dëmtohen nga pjesëmarrja në bursën e energjisë. Për Prodhuesit e Pavarur të Energjisë (PPE), krijimi i bursës së energjisë është veçanërisht i rëndësishëm, meqenëse ajo ofron një platformë për shitjen e energjisë elektrike të prodhuar pa asnjë parakusht kontraktual (d.m.th. nuk ka nevojë për marrëveshje të blerjes së energjisë apo MBE); dhe likuidim e shlyerje të garantuar, ose me fjalë të tjera, eliminimi i rrezikut të kreditimit nga pala tjetër.

Për ta thënë thjesht, pasi të krijohet bursa e energjisë, sponsorët privatë mund të fillojnë vlerësimin e një investimi, duke marrë parasysh çmimin e energjisë elektrike në Shqipëri (të paraqitur përmes bursës së energjisë), pa pasur nevojë për aspekte të ndërlikuara kontraktuale dhe marrëveshje të parablerjes së energjisë. Gjithashtu, për të gjithë pjesëmarrësit, do të ketë produkte se si të menaxhohen rreziqet e tyre përkatëse nga çmimi (të quajtur “hedging” në terminologjinë tregtare), dhe kjo është vërtet një pikë e fortë e një Tregu Energjetik likuid dhe transparent.

A është gati Shqipëria për një bursë energjie, në kuptimin e një tregu të maturuar?

Përgjigjja e shkurtër ndaj kësaj pyetje është që, në këtë fazë, ne nuk jemi ende gati. Megjithatë, kur të vijë koha, do të jenë marrë të gjitha masat për të garantuar një tranzicion të rrjedhshëm dhe të sigurt drejt një tregu të hapur dhe konkurrues të energjisë elektrike; dhe që përcakton se si të bëhet pjesëmarrja në bursën shqiptare të energjisë.

Është parashikuar që tregu të hapet në mënyrë progresive gjatë një periudhe 3-4-vjeçare dhe, fillimisht, tarifat për sektorin e pakicës dhe për konsumatorët veçanërisht vulnerabël do të jenë të mbrojtura. Do të ofrohet një program trajnimi gjithëpërfshirës nga projekti i sponsorizuar nga IFC, për të gjithë pjesëmarrësit e tregut dhe konsumatorët përkatës, se si të marrin pjesë, si të organizohen dhe cilat hapa do të duhet të ndiqen. Gjithashtu, do të ketë një periudhë prove të paktën 6-mujore, gjatë së cilës tregu do të operojë në mënyrë elektronike dhe teorike, por pa shkëmbime reale të fondeve.

Në përfundim, ne po planifikojmë përmes projektit tonë, të përgatisim sektorin për hapjen e tregut dhe funksionimin e APEX. Shqipëria duhet të inkurajohet nga përvoja pozitive në vendet e tjera. Të gjithë vendet e BE-së kanë një Bursë secili, dhe në disa raste më shumë se një. Në Europën Juglindore, tashmë vendet si Bullgaria, Kroacia, Sllovenia dhe Serbia kanë secili nga një Bursë, për më shumë se një vit.

 

Hapat për krijimin e bursës

-Është parashikuar që tregu të hapet në mënyrë progresive gjatë një periudhe 3-4-vjeçare dhe, fillimisht, tarifat për sektorin e pakicës dhe për konsumatorët veçanërisht vulnerabël do të jenë të mbrojtura
-Do të ketë një periudhë prove të paktën 6-mujore, gjatë së cilës tregu do të operojë në mënyrë elektronike dhe teorike, por pa shkëmbime reale të fondeve.

 

Ligji për Sektorin e Energjisë ka derregulluar çmimet për prodhimin dhe furnizimin e të gjithë konsumatorëve të lidhur me rrjetin e tensionit të lartë (110 kV dhe më shumë) dhe për ata me një konsum më të madh se 50 milionë kWh. Sipas Ligjit, çmimi me pakicë për konsumatorët e lidhur me rrjetin 35 kV duhet të ishte derregulluar deri më 1 korrik 2016 dhe për 20 kV deri më 1 janar 2017. Kjo nuk ka ndodhur. Konsumatorët e 35 kV dhe 20 kV vazhdojnë të furnizohen me çmime të rregulluara nga furnizuesi me detyrimin e ofrimit të shërbimit publik, OSHEE. Cili do të jetë ndikimi i krijimit të bursës në këtë proces?

Po, do të ketë një hapje progresive të tregut, siç përmendet më sipër, bazuar në nivelin e tensionit me të cilin janë lidhur konsumatorët. Fillimisht, gjatë vitit të parë të funksionimit të APEX, konsumatorët e lidhur drejtpërdrejt me OST do të tregtojnë përmes bursës së energjisë; gjatë vitit të dytë, do të shtohen konsumatorët e lidhur me rrjetin e tensionit të mesëm; dhe, në një fazë të mëvonshme, të gjithë konsumatorët me pakicë do të marrin pjesë përmes tregtimit të energjisë elektrike përmes furnizuesve të tyre në bursën e energjisë.

Dua të theksoj që, në këtë moment, pjesëmarrja në bursën e energjisë është e detyrueshme për të gjithë energjinë e prodhuar dhe konsumuar në Shqipëri (me faza, siç përmendet më lart). Kjo është vendosur për të rritur likuiditetin e tregut, gjë që ka rëndësi thelbësore për ekzistencën e tij, por dhe për të mbajtur të ulëta tarifat e pjesëmarrjes.

 

Pjesëmarrja në Bursë

Pjesëmarrja në bursën e energjisë është e detyrueshme për të gjithë energjinë e prodhuar dhe konsumuar në Shqipëri (me faza, siç përmendet më lart). Kjo është vendosur për të rritur likuiditetin e tregut, gjë që ka rëndësi thelbësore për ekzistencën e tij, por dhe për të mbajtur të ulëta tarifat e pjesëmarrjes

 

Cili duhet të jetë modeli më i përshtatshëm i Bursës që do të ngrihet në Shqipëri? A duhet të jetë ajo e hapur për investitorë privatë?

Ekzistojnë shumë modalitete të strukturave aksionere në gjithë botën. Nga këndvështrimi im, kjo nuk është aq shumë çështje e pronësisë publike apo private; por është më shumë një çështje e konfliktit të interesave. Një operator privat, i cili mund të jetë potencialisht një pjesëmarrës tregu apo çdokush që mund të ketë mundësi për të pasur interes të drejtpërdrejtë, apo tërthor në prodhimin ose furnizimin me energji elektrike, nuk duhet të lejohet të bëhet një aksioner i bursës së energjisë.

Unë besoj që legjislacioni shqiptar e përcakton në mënyrë shumë të drejtë që, aksionerët mund të jenë Operatori shqiptar i Sistemit të Transmetimit (OST) dhe OST e vendeve fqinje, (ata konsiderohen lojtarë neutralë të tregut); ofruesit e shërbimeve të bursës së energjisë dhe, potencialisht, institucionet financiare ndërkombëtare.

A është gati OST, si operatori menaxhues në proces, për të çuar përpara këtë projekt, në kuptimin e ekspertizës dhe burimeve njerëzore?

OST është një lojtar i integruar në projektin tonë dhe është pala më e afërt me ne, me të cilën ne bashkëpunojmë në mënyrë shumë efikase, së bashku me konsulentët tanë. OST do të marrë pjesë në një program të veçantë të dedikuar trajnimi, i cili është plotësues dhe i ndryshëm nga një program trajnimi i parashikuar për pjesëmarrësit e tregut dhe, seksioni i OST i cili do të shkëputet për të formuar subjektin e ri (APEX), do të ketë personel dhe përgatitje të duhur.

 

IFC
Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh global për zhvillim të fokusuar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Duke punuar me më shumë se 2.000 biznese në të gjithë botën, investimet afatgjata të IFC-së në vendet në zhvillim arritën një rekord të ri prej 19.3 miliardë USD në vitin fiskal 2017.

Që kur Shqipëria u bë një aksionere dhe anëtare e IFC-së në 1991, investimet afatgjata të IFC-së në Shqipëri kanë arritur një total prej 815 milionë USD, duke përfshirë 331 milionë USD të mobilizuar nga partnerët tanë për 25 projekte në sektorë të ndryshëm si energjia, infrastruktura, sektori bankar, prodhimi dhe tregtia. IFC është një mbështetëse e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, nëpërmjet investimeve dhe shërbimeve këshillimore të saj.

 

Dr. Nickolas Frydas – BIOGRAFI E SHKURTËR

Dr. Nickolas Frydas është një Inxhinier i Certifikuar i Energjisë Elektrike dhe Ekonomist Energjetik, dhe ka më shumë se 28 vjet përvojë profesionale, me theks në projektimin dhe rregullimin e tregjeve të energjisë, reformat strukturore sektoriale dhe politikat energjetike. Ai është një autoritet i njohur në Projektimin e Tregjeve të Energjisë, dhe studimi i tij themelor si Autor kryesor mbi “Integrimin ndërkufitar të Tregjeve Balancuese” është cituar në faqen e internetit të KE-së dhe ENTSO-E, si një nga bazat për Kodin e Balancimit të Energjisë Elektrike:

Në karrierën e tij, Nickolas ka shërbyer si Drejtor i Çështjeve Rregullatore në dy firma të mëdha europiane të tregtisë së energjisë me bazë në Londër, ndërsa në periudhën 2004-2007, ai u caktua nga Kombet e Bashkuara si Kryetar i Zyrës Rregullatore të Energjisë të Kosovës. Aktualisht, ai është një nga drejtuesit e përpjekjeve të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (Grupi i Bankës Botërore) për të nxitur investimet e sektorit privat në sektorin e energjisë të rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore, me bazë në Beograd dhe vepron si Menaxher Projekti për projektin APEX.

Dr. Frydas është gjithashtu Lektor i asociuar dhe Anëtar i Bordit Këshillimor të “Qendrës Kërkimore për Menaxhimin e Energjisë”, në “ECSP Europe Business School”, në qendrat e tyre në Londër dhe Paris, duke dhënë mësim rreth Tregjeve të Energjisë Elektrike.

Revista Monitor,  31.013.2018