Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Plani për privatizimin e Albpetrol

Plani për privatizimin

Qeveria Rama 2, në programin qeverisës 2017-2021, ka në plan të zbatojë reformë të thellë në ndërmarrjen shtetërore të nxjerrjes së naftës Albpetrol. Në dokumentin e shkruar të programit qeveritar thuhet se, “do të ristrukturohet kompania publike Albpetrol sh.a., duke ruajtur një njësi teknike dhe duke privatizuar asetet e tjera”.

Në fakt, sipas burimeve të Ministrisë së Energjetikës, ky është opsioni kryesor që po diskutohet nga grupi i punës. Rezultat i këtij procesi, sipas secilit variant, do të jetë zhbërja e Albpetrol brenda këtij viti dhe copëtimi i tij, ku shtetit i mbeten të drejtat mbi menaxhimin e marrëveshjeve dhe pjesët e tjera të ndërmarrjes do të ofrohen për shitje.

Në Albpetrol, vlerësohen fizibël uzina mekanike, qendra për furnizimin dhe shpërndarjen e energjisë dhe sektori i remontit. Uzina mekanike që ndodhet në Kuçovë, në gjendjen që është sot, ofron shumë shërbime edhe për të tretët. Biznese të ndryshme janë në kontrata me uzinën për prodhimin e profileve të veçanta të hekurit. Nëse kjo njësi do të ofrohet për shitje ndaj një investitori me përvojë në industrinë automative, vlera e uzinës, me pak investim do të shumëfishohej dhe numri i të punësuarve do të rritej, shpjegoi eksperti i sektorit të naftës, Panajot Soko.

Gjithashtu, qendra për furnizimin dhe shpërndarjen e energjisë, që është aktualisht në pronësinë e Albpetrol, është një sektor me fizibilitet brenda kompanisë. Kjo njësi aktualisht ka të drejtën ekskluzive për të ofruar shërbime të energjisë elektrike në zonat naftëmbajtëse që shfrytëzohen aktualisht nga koncesionarët e tjerë. Ky shërbim, nëse shitet, do të ketë një vlerë të konsiderueshme në treg. Pjesa tjetër e vlefshme vlerësohet sektori i remontit. Aktualisht kjo njësi ofron shërbime të vlefshme jo vetëm për Albpetrol, por edhe për koncesionarët e tjerë. Nëse struktura privatizohet, me pak investime ajo mund të jetë një biznes shumë fizibël. Kompanitë koncesionare mund të blejnë shërbimet e saj, pasi do të kushtojnë shumë më lirë se pagesat ndaj një kompanie të huaj që do të ofronte remonte në Shqipëri.

Ekspertët në Ministrinë e Energjetikës, të cilët janë pjesë e negociatave, pohojnë se ky plan është në shqyrtim. Zbatimi i këtij plani pritet të rrisë fitimet e qeverisë e cila, nëpërmjet një njësie të vogël, do të menaxhojë të ardhurat nga marrëveshjet hidrokarbure, të cilat do të rrisnin të ardhurat cash në arkën e shtetit që sot përdoren për të paguar të 2500 punonjësit e kompanisë. Por privatizimi i pjesëve të shëndetshme duket se do të shpëtojë një pjesë të mirë të punonjësve nga papunësia. Aktualisht, Albpetrol ka rreth 10 njësi të veçanta, ku më kryesorët janë qendrat e prodhimit në Ballsh dhe Kuçovë, njësia e shitjes, ajo e sigurisë, shërbimet gjeofizike, njësia e transportit, magazina e materialeve, operatori i energjisë, qendra e transportit dhe uzina mekanike e Kuçovës.

 

Ndërmarrjet e Albpetrol

1-Qendra e Prodhimit të Naftës në Kuçovë
2-Qendra e Prodhimit të Naftës së Ballshit
3-Qendra e Administrimit të Shitjes së Naftës e Gazit
4-Qendra e Administrimit dhe Ruajtjes së Pronës
5-Qendra e Shërbimeve Gjeofizike
6-Qendra e Furnizimit dhe Shërbimeve Elektrike
7-Qendra e Emergjencës, Mjedisit, Naftës e Gazit
8-Qendra e Furnizimit të Materialeve Teknike
9-Qendra e Transportit
10-Qendra Mekanike e Naftës në Kuçovë

 

Të drejtat që mbeten shtetërore

Pas ristrukturimit të Albpetrol, shteti do të mbajë të drejtat mbi marrëveshjet hidrokarbure, aktualisht 7 të tilla. Kompanitë koncesionare që shfrytëzojnë zonat naftëmbajtëse të vendit tonë dorëzojnë aktualisht në Albpetrol 70% të prodhimit paraekzistues. Kjo kuotë jepet mbi sasinë e prodhimit që është nxjerrë në vitin e fundit, para se fusha të jetë dhënë në koncesion. Gjithashtu, Albpetrol merr bonusin prej 1% të naftës që nxirret për çdo pus që shfrytëzojnë kompanitë koncesionare. Duke filluar nga viti 2004, në territorin e Republikës së Shqipërisë operojnë aktualisht 6 shoqëri, të cilat kanë nënshkruar Marrëveshje Hidrokarbure me Albpetrol sh.a. për vendburimet përkatëse, ku kryesorja është Bankers Petroleum Albania Ltd, Sherwood International Petroleum Ltd, Transoilgroup sh.a., Phoenix Petroleum sh.a, Fin-Pek Petroleum sh.a. dhe Delvina Gas Company Ltd.

Në Shqipëri janë shpuar gjithsej rreth 5.630 puse. Vendburimet e naftës dhe gazit kanë një shtrirje në rrethet Sarandë, Vlorë, Mallakastër, Fier, Lushnjë dhe Kuçovë. Shumica e këtyre puseve kanë kaluar për shfrytëzim tek kompanitë koncesionare, teksa pjesa tjetër janë kthyer në puse të ndaluara (puset janë ndaluar për arsye të ndryshme si dëmtime, pamundësi përpunuese, rentabilitet i ulët, luhatjet e çmimit të naftës në bursë etj.) të cilat kanë rritur së tepërmi kostot e Albpetrol.

Menaxhimi i marrëveshjeve hidrokarbure dhe menaxhimi i fondit të puseve të ndaluar do të menaxhohen nga shteti nëpërmjet njësisë teknike, që do të ketë një numër të kufizuar punonjësish dhe me shumë gjasë do të integrohet në institutin e ri të naftës dhe gazit që do të krijohet.
Prodhimi i naftës në Shqipëri ka nisur në vitin 1929, kur janë arritur të nxirren 750 tonë naftë. Prodhimtaria ka vijuar të rritet nga viti në vit, e shoqëruar edhe me hapjen e vendburimeve të reja. Vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore kanë njohur një frenim të prodhimit të naftës. Më pas, trendi i prodhimit ka qenë pozitiv. Periudha më e mirë e prodhimit të naftës në vendin tonë ka qenë në vitet 70’. Në vitin 1974 është arritur prodhimi rekord në shifrat 2 248 227 tonë naftë bruto. Në vitin 1991, prodhimi i naftës ka rënë poshtë shifrës së një milionë tonëve naftë në vit.

Në vitin 2000 është shuar edhe prodhimi më i ulët, 314 304 tonë naftë. Nga ky vit, trendi ka qenë pozitiv, duke arritur të dalë sërish mbi kufirin e një milion tonëve në vitin 2012. Në vitin 2013, u arrit të prodhohej më shumë se 1.2 milionë tonë naftë. Në 85 vjet, nga nëntoka shqiptare janë nxjerrë 56 249 677 tonë naftë bruto.

Revista Monitor,  02.03.2018