Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Si do ndryshojë industria e makinave pas vendimit të gjykatës në Gjermani

Fundi i motorëve diesel duket se është gjithnjë e më pranë. Vendimi i Gjykatës Federale Administrative të Lajpcigut kundër përdorimit të automjeteve me motor diesel në qendrat urbane e vë në dyshim të ardhmen e automjeteve me naftë, gjendja e të cilave, nga pikëpamja industriale, është e pasigurt.

Pas njoftimeve të Volvo, Porsche dhe Toyota, tani është momenti i FCA. Në pritje të konfirmimit zyrtar, grupi i cili drejtohet nga Sergio Marchionne, duket se ka vendosur që, duke nisur nga viti 2022, në modelet e tyre të makinave të mos ketë më motorë me naftë. Zgjedhja, e cila nuk do t’i përfshijë automjetet komerciale, duket se është e lidhur me rënien e kërkesës dhe rritjen e kostove për t’i bërë versionet e automjeteve me naftë në përputhje me standardet mbi emetimet ndotëse.

Prodhuesi italo-amerikan është vetëm i fundit që dekreton fundin e motorëve diesel. Kjo tendencë është përuruar nga Volvo, me vendimin për të pasur të paktën një version elektrik në gamën e automjeteve duke filluar nga viti 2020. A është kjo lamtumira e automjeteve me naftë nga kompania suedeze? Në të vërtetë, jo.

Motorët diesel do të vijojnë të jenë të pranishëm, por do të rriten në mënyrë të ndjeshme versionet hibride dhe do të debutojnë modele elektrike 100 për qind. Nëse Volvo ishte e para që hodhi këtë hap, Porsche ka njoftuar së fundi se do të pezullojë komercializimin e modelit Macan me motor me naftë. Megjithatë, edhe në këtë rast, duhet të thellohemi në këtë situatë, dhe të mos merremi me deklaratat mediatike.

Prodhuesi i Porsche, me seli në Zuffenhausen (Gjermani), është gati të hedhë në treg në vitin 2019 makinën e parë elektrike. Megjithatë, nuk do t’i braktisë përgjithmonë motorët me naftë. Thjesht ai është duke pritur të prezantojë gjeneratën e re të motorëve diesel, gjatë këtij viti, nën kofanon e modelit të rinovuar Cayenne.

Sa i përket Toyota, ajo ka vendosur të pezullojë shitjen e automjeteve me motor me naftë në Itali duke synuar vetëm te modelet me benzinë dhe hibride. Sa i përket Mercedes, Grupit Volkswagen dhe BMW, strategjia është e ngjashme. Do të ketë investime të mëdha tek automjetet elektrike, por nuk do të braktisen automjetet me motor diesel – konfirmon CEO i Audi-t, Rupert Stadler.

Duke nisur nga Mercedes, oferta e automjeteve elektrike do të përkthehet në një gamë të re EQ, që do të propozojë në versionin me zero emetime një listë të gjatë modelesh me karakteristika dimensionale të ngjashme me ofertën aktuale. Sa i përket Smart, ajo ka bërë një zgjedhje krejt të ndryshme. Smart do t’i thotë lamtumirë motorit termik duke nisur nga viti 2019, pas braktisjes së versioneve diesel në vitin 2014, duke u bërë prodhuesi i dytë bashkë me Tesla-n që ofrojnë një gamë ekskluzivisht elektrike.

Përballë shifrave relative sa i përket flotës së makinave që qarkullojnë, të dhënat e ACEA (European Automobile Manufacturers Association – Shoqata Europiane e Prodhuesve të Automobilave) konfirmojnë ndryshimin e kursit mes motorëve diesel dhe atyre me benzinë, por jemi ende larg zhdukjes së makinave me naftë.

Gjatë vitit 2017, për herë të parë nga viti 2009 deri më 2015, në Europë, shitjet e makinave me motor me benzinë ua kaluan atyre me motor diesel, me një rënie të këtyre të fundit me 17% krahasuar me vitin 2016. Shifrat ndryshojnë nga njëri vend te tjetri, me Gjermaninë, ku shitjet e automjeteve me motor me benzinë ua kalojnë atyre me naftë, respektivisht 61.7% me 34%, kurse në Itali konfirmohet preferenca për naftën, duke arritur në 56.7%.

Një tjetër aspekt që nuk duhet të nënvlerësohet në një skenar hipotetik të braktisjes së motorit diesel është rritja e ndotjes së mjedisit. Dhe pikërisht në çështjet e dioksidit të karbonit përqendrohet alarmi i ACEA.

Revista Monitor,  01.03.2018