Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Linja 400 Kv Shqipëri-Maqedoni, gjendet financimi

Duket se qeveria shqiptare ka gjetur financimet prej rreth 70 milionë eurosh që duhen për financimin e ndërtimit të linjës 400 kilovolt, Shqipëri-Maqedoni.

Burimet zyrtare në OST bëjnë me dije se Qeveria Gjermane, tashmë ka angazhuar fonde në formën e një kredie zhvillimi deri në 50 milionë euro. Përveç kësaj, për të mbuluar financimin e plotë të projektit do të vihet në dispozicion edhe një grant investimi nga WBIF (Western Balkans Investment Framework) deri në 14 milionë euro.

Gjithashtu, rreth 1.2 milionë euro do të angazhohen nga WBIF dhe Bashkëpunimi për Zhvillim Gjermano-Shqiptar, fonde të cilat do të përdoren për përgatitjen e dizajnit kryesor. Vetë OST është angazhuar të mbulojë gjatë implementimit të projektit dhe kostot lokale, të cilat janë përllogaritur të jenë rreth 5 milionë euro.

Projekti synon të përforcojë lidhjet interkonektive me rrjetin rajonal të energjisë elektrike, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrikë në rajon, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën jugore të Shqipërisë ku parashikohen të zhvillohen burimet e ardhshme të prodhimit të energjisë elektrike, dhe si pjesë e infrastrukturës së Korridorit të Tetë Europian krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabllos nënujore me Italinë.

Financimi i projektit të transmetimit të energjisë elektrike përbëhet nga dy pjesë:
(i) Elbasan – Qafë-Thanë
(ii) Elbasan – Fier

Një analizë e Komisionit Europian për investimet në rajonin e Ballkanit detajon se ndërtimi i linjës së interkonjeksionit të energjisë elektrike 400 kV Shqipëri-Maqedoni do të sjellë përfitime shtesë në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë prej 314 milionë eurosh.

Ky projekt synon ngritjen dhe fuqizimin e një tregu të përbashkët të energjisë në rajonin e Ballkanit, çka në vijimësi do të sillte rënie të kostove të furnizimit ndërmjet vendeve.
Ky projekt është pjesë e nismës së Komisionit Europian për të krijuar korridorin e transmetimit të energjisë elektrike ndërmjet Bullgarisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë. Seksioni midis Bullgarisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë ka përfunduar dhe ndërtimi i linjës kabllore nën det mes Italisë dhe Malit të Zi është duke u zhvilluar.

Revista Monitor,  02.03.2018