Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazifikimi, qeveria zgjedh modelin si do t’i kontrollojëcmi çmimet

Futja në punë e gazsjellësit TAP paraqet një potencial zhvillimi edhe për Shqipërinë, si një nga vendet ku tranziton ky projekt. Duke paramenduar një zhvillim dinamik të tregut, qeveria sot ka nisur të mendojë edhe për mënyrën sesi do të rregullojë tregun dhe kontrollojë çmimet të paktën në fillimet e saj. Në masterplanin e gazit, i hartuar nga konsulentët ndërkombëtarë dhe që ka kaluar tashmë të gjitha hallkat e miratimit, sillen në vëmendje modelet më të përshtatshme.  E gjithë kjo lidhet me rregullimin në sistemin e transmetimit të gazit apo e njohur si OST-G.

Në botë kontrolli rregullator bëhet përmes disa varianteve nga rregullimi i normës së fitimit tek rregullimi i tavanit të çmimit apo rregullimi përmes tavanit të të ardhurave. Për Shqipërinë konsulenti dhe qeveria kanë rënë dakord se është më e përshtatshme metoda e tretë.

“Modeli më i përshtatshëm rregullator për transmetimin e gazit në Shqipëri duhet të bazohet në metodologjinë e tavanit të të ardhurave. Justifikimi për këtë propozim është i bazuar në argumentet se ekzistenca e një operatori të vetëm nënkupton se është e vështirë për entin rregullator të bëjë krahasime me performancën e biznesit të operatorëve ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, në mënyrë që të inkurajojë rritjen e efikasitetit, formula rregullatore duhet të bazohet në metodat stimuluese”, – thuhet në masterplan.

I njëjti dokument nënvizon se struktura e kostos së gazit dominohet nga kostot fikse të cilat janë relativisht të pandryshueshme, pavarësisht sasisë së gazit që transportohet përmes rrjetit (si p.sh. zhvlerësimi i aseteve, amortizimi, norma e fitimit dhe shpenzimet e pagave).

Sa do zgjasë periudha rregullatore

Një periudhë rregullatore nënkupton ndërhyrjen e institucioneve për të kontrolluar dhe për të vendosur çmimet që do të aplikohen nga operatorët e tregut. Kjo ka funksionuar dhe funksionon akoma dhe sot për tregun e energjisë ku ERE është institucioni që vendos edhe tarifat në bazë të kërkesës së operatorëve dhe vlerësimit të nevojës për investime.

Edhe për gazin duket se do të kemi disa periudha rregullatorë, ku institucionet do të vendosin çmimet që do të aplikojë tregu. Referuar masterplanit është propozuar që periudha e parë rregullatore të zgjasë vetëm dy vjet, kurse e dyta duhet të jetë më e gjatë, tre ose katër vjet.

Revista Monitor,  27.02.2018