Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pse po vonohet zbulimi i vendburimeve të reja të naftës

Nga Novruz Limaj

Të gjithë vendburimet në seri të naftës dhe të gazit që zotëron Shqipëria aktualisht (me përjashtim të dy vendburimeve të vegjël të naftës: Kucovë e Patos, të zbuluar para clirimit), janë studjuar, projektuar dhe zbuluar nga gjeologët shqiptar brenda 30 vjetëve, në periudhën 1950 – 80 të shekullit të kaluar, në saj të të cilave Shqipëria bëri kapërcime kolosale në prodhimin e naftës bruto nga100 000 tonë në 2 milion e 400 000 ton në vit. Nëse do ti referoheshim numurit të popullsisë, madhësisë së teritorit, numrit të vendburimeve të reja dhe ritmit të zbulimit të tyre, Shqipëria – thotë me të drejtë miku im inxhinieri gjeolog i ditur dhe i lexuar z.Genci Millonashi -renditej nga të parat në botë dhe një nga vendet kryesor në Ballkan dhe Euvropë. Ky është fakt historik kokëfortë dhe i pranuar nga të gjithë ata që e njohin historinë e naftës tonë. Tani po bëhen rreth 28-30 vjet, që i gjithë teritori shqiptar, jo vetëm toka, por edhe deti, ju është dhënë disa shoqërive të huaja për kërkim-zbulim të vendburimeve të reja të naftës dhe gazit, por deri tani, fatkeqësisht nuk kanë asnjë rezultat.

Në këto kushte, dikush mund të mendoj se kjo do të thotë që nuk ka më vb nafte e gazi në teritorin tonë, se vb egzistuese në nëntokën tonë janë zbuluar të gjitha në kohën e sistemit socialist nga inxhinjerët tanë, e si rrjedhim nuk ka më cfarë të zbulohet nga këto shoqëri të huaja. Jo, kjo është një ide e lindur nga përceptimi i dështimeve të kësaj periudhe rreth 30-vjeçare, por nuk qëndron dhe është e pasaktë. Po përse atëhere nuk është arritur të zbulohet një vendburim i ri nafte ose gazi gjatë kësaj periudhe të gjatë kohe? Është e vështirë të bësh ezaurimin e gjithë faktorëve në një artikull, por unë do ti ndaja në dy arsye kryesore: Së pari studimet dhe projektimet e shpim kërkim-zbulimit pas viteve ‘90 nuk kanë qenë të sakta. Duke e parafytyruar detin tonë si “Libia e dytë” shoqëritë e huaja u përqëndruan dhe investuan për kërkimet në detin Adriatik dhe detin Jon, për të cilën u harxhua një kohë jo e vogël. Meqënëse kërkimet në det nuk provuan pritshmëritë e mëdha, shoqëritë e huaja tani, përvec detit Jon, janë duke u fokusuar edhe në tokën tonë, dhe kanë marrë të dhena shumë premtuese.

Kanë kaluar disa vite që kurse Kryeministri Rama deklaroi në medie nga kodrat e Beratit, që një shoqëri e madhe e huaj nafte, është duke zbuluar një vendburim të ri të madh nafte e gazi në këtë zonë. Ky fakt provon edhe njëherë se rezervat tona nëntokësore janë të pa eksploruara akoma nga shoqëritë e huaja dhe pu na kërkimore e tyre duhet të vijoj me bindje dhe pandërprerje për konkretizmin e tyre edhe në zona të tjera. Por për të patur sukses në këtë fushë ata dhe shteti jonë duhet të mbajnë të ingranuar edhe elitën e gjeologëve tanë. Nëse për kërkimet në det, gjeologët tanë ishin disi “qorrë” (nuk kishin bërë studime për pamundësitë teknike të shtetit), për teritorin tokësor ata janë këshilltarët më të mirë, që bazuar në studimet e tyre shkencore të para vitit 90- të, mund të paraqesin varjante e oferta konkrete për vb të reja të pazbuluara akoma. Gjeologu i njohur Kadri Rama argumenton që në zonën e Osmanzezës, e cila asnjëherë nuk u sqarua sepse asnjë pus nuk arriti thellësinë e projektit, pritet vendburim i ri nafte.

Ndërsa inxhinieri, profesor doktor Vangjel Kici ka parashtruar një panoramë të plotë për kërkimet e reja, jo vetëm në zonën jugëperëdimore, e vërtetuar naftë gas mbajtëse deri tani, por edhe në atë verilindore deri në Kosovë. Po kështu ka edhe mjaft gjeolog të tjerë të aftë ( e të provuar të tillë), që argumentojnë me bindje shkencore kërkimet e reja në zona dhe vb të ndryshme të teritorit tonë, në përgjithësi në thellësi më të mëdha se sa ato të zbuluara deri tani. Nëse shteti shqiptar do të kishte mundësi tekniko – materiale dhe financiare për të mbështetur, ato do të konkretizoheshin nga vet shqiptarët. Por e tërë ish infrastruktura e shërbimeve të para viteve 90 – të në këtë fushë është zhdukur. Ky është një fakt dhe arsye reale, që u ka “lidhur duart“ inxhinierëve tanë gjeologë dhe shpues për të vepruar dhe prandaj të gjithë kërkimet zhvillohen vetëm nga shoqëri të huaja. Edhe unë mendoj që për “këllqet” e shtetit tonë, kjo është zgjedhja më e mirë e mundëshme, por unë dua të pyes: si është shfrytëzuar në këta 28 vjet kapitali mendor e studimor i shkencëtarve tanë gjeologë elitar? Janë shfrytëzuar ata në interes të shtetit tonë apo janë braktisur?

Besoj se shpreh mendimin e shumicës që ato janë lënë “të harruar” mënjanë e “të lirë “ që të gëzojnë “pensionin“ këtu ose pas fëmijve të tyre jashtë shtetit! Ndonjëri mund të thotë që shoqëritë e huaja janë private dhe e zgjedhin vetë personelin e projektimit dhe të shpimit të puseve .. Dakord, po çfarë humbje do të kishte ministria dhe qeveria nëse do t’i mbante në kontakt elitën e gjeologëve dhe të teknologëve të shpimit të puseve të naftës dhe të gazit që t’i shërbenin rritjes së sigurisë projektuese të shoqërive të huaja, duke serviruar ekspertizë shkencore, ide e projekte të tyre kërkimi? Besoj se vetëm mirë, do ta bënte më efikas saktësinë e projektimeve të vb të reja dhe konkretizimin më të shpejtë të tyre. Dhe së dyti sepse shpimi i puseve për zbulimin e shpejt të vb të ri në tokë, po ecën shumë ngadalë. Megjithëse ka mungesë informacioni, duhet thënë që vendburimi i ri i përmendur më lart duhet të ishte konkretizuar me kohë dhe tani duhet të ishte në shfrytësim për interes të ekonomisë tonë, sipas kontratës së lidhur. Po çfarë ka ndodhur? Të gjithë puset e kërkimit në këtë zonë kanë dështuar si pasojë e avarive të shumta dhe humbjen e trungjeve të hapur të tyre, që po e bëjnë të vështirë edhe arritjen e thellësisë së objektit naftëmbajtës të projektuar.

Ky fakt na çudit, kur kemi parasysh emrin e madh të shoqërisë së huaj që po kryen këtë aktivitet shpim zbulimi!! Teknikisht, ne e dimë që shpimi i prerjeve flishore, sidomos në thellësi të mëdha, paraqet jo pak vështirësi, por kjo përvoje negative nuk mund të justifikohet nga shoqëritë kur disfatat ndodhin më shumë se një herë e ndërkohë zotërojnë teknikë dhe teknollogji moderne. Jo larg prej këtyre puseve të kërkimit të shoqërisë së huaj, rreth 1.5 km në perëndim të tyre, që është Poshnja dhe po kaq në jug që është Plashniku, inxhinierët dhe brigadat tona të shpimit kanë realizuar me sukses në vitet ‘80- të shpimin pa avari dhe deri në projektin e dhënë të të njëjtit  formacion gjeologjik. Dhe të krahasosh sondat dhe mundësitë tona të kufizuara materiale për aplikimin e teknollogjive moderne të shpimit! Pra, jo paaftësia jonë inxhinierike, por kapacitetet e vogla të sondave tona gjendje me të cilat nuk mund arrihej objekti i kërkimit që sipas të dhenave të shpimit ndodhej akoma më thellë , detyruan ndërprerjen e shpimit në thellësitë rreth 5 000 metra. Nëse do të kishim sondat e sotme të shoqërive të huaja, objekti do të ishte kapur dhe rezultatet mund të ishin marrë që para 30 vjetësh. Perse dhe ku bazohet ky deklarim?

Sepse inxhinjerët e shpimit në sondë, brigada e tyre por edhe tërë piramida shkencore dhe administrative që funksiononte në Industrinë e naftës në vendin tonë në atë kohë, i kishin “llampat ndezur “ 24 për 24 orë, ndiqte çdo shenjë “gripi“ apo “sëmundje“ që paraqiste shpimi dhe me përgjegjësi të lartë studjonin e analizonin të dhënat e kantjerit për të gjetur diagnozën dhe kurën e shërimit. Nuk ishte as shans as fat  thellësitë e arritura, por produkt i studimeve laboratorike hap pas hapi të formacioneve të shpuar me lëngje larës të ndryshëm ku identifikohej tipi dhe parametrat më të mirë të lëngut larës, kimikisht inert ndaj formacioneve, faktorët fiizk e dinamik të shpimit që sjellin prishjen e qendrueshmërisë së formacioneve dhe cdo faktor tjetër që ndikonte në trungun e hapur. Ne ishim një organizëm i vetëm që ndjenim e mbanim përgjegjësi për punën si produkt i përbashkët.

Keshtu ne i mesuam dhe tani i dimë shkaqet dhe arsyet nga vjen bllokimi i instrumentit në formacionet flishore në këta puse, dimë gjithashtu edhe mënyrat teknkollogjike e rregullat teknike që duhet të zbatohen për të eleminuar ato dhe avaritë, i kemi mësuar dhe kolauduar jo vetëm këtu por në dhjetra puse të tjerë që kapërcejnë prerje flishore. Çudia është që shoqëria e huaj bën të shurdhin, pranon që të humbasë dhe të ketë pasoja kaq serioze sesa të kërkojë mendim e konsultim me inxhinierët e shpimit që njohin zonën dhe mbi të gjitha dinë teknollogjinë e përshatëshme që duhet zbatuar në këtë zonë. Neve na vjen keq, jo aq për xhepin e shoqërisë e as për mendjemadhësinë apo megallomaninë e  treguar deri tani nga kolegët ose manaxherët e tyre, por për vonesat e mëdha në zbulimin dhe futjen në shfrytëzim të vendburimit të ri. Ndërkohë kam frikë, se humbjet e mëdha financiare dhe të kohës mund të nxisin menaxhmentin ose Bordin e shoqërisë që të marrë vendim për braktisjen e mëtejshme të punimeve të shpim kërkimit në këtë zonë!..

E njëjta semundje mosbashkëpunimi e serioziteti ndodh edhe me shoqërinë e huaj “Bankers Petroleum” në nxjerrjen e naftës në vb Zharrës Marinzë. Dihet që kjo shoqëri për interesa fitimi të shpejta ka aplikuar në këtë vendburim metoda e praktikë cfrytëzimi intensiv, duke arritur të nxjerrë prej tij mbi 1milion ton naftë në vit. Dihet gjithashtu që në këtë vb që para disa vitesh janë manifestuar tërmetet që janë bërë ankth e frikë për banorët aty, por edhe shqetësim për publikun, qeverisjen dhe shtetin tonë. Megjithëse një fenomen i ri për vendin tonë, i shfaqur vetëm mbas aplikimit të kësaj teknologjie nxjerrje në këtë vendburim,  mjaft inxhinierë nafte shqiptarë kanë dhënë me kohë shpjegimin e shkakut, që është humbja e qendrueshmërisë së skeleteve e strukturave të depozitave të vendburimeve si pasojë e nxjerrjes masive të naftës, materialeve të ngurtë dhe ujit shtresor dhe pamundësia e rivendosjes së ekuilibirit fizik dhe bilancit material nga injektimet e mëpastajme të bëra në shtresë.

Kemi dhënë përvojat konkrete botërore të studiuara nga shkencëtarë profesionistë të Akademisë së Shkencave Ruse dhe amerikane, por deri tani janë injoruar nga shoqëria e huaj, vetëm heshtin, rezistojnë e kundërshtojnë, tani po kërkojnë një ekspert të huaj që të bëjë ekspertizën. Po mirë, dakord, le të bëhet ekspertiza ndërkombëtare aq më tepër që është një barrë e rëndë për të gjithë të involvuarit në këtë ngjarje, por këtu ka rëndësi cfarë e cili ekspert? dhe pastaj: Po kjo shoqëria e huaj, jo vetëm dega e saj këtu në Marinzë, por në qendër në Kanada pse nuk bën një përpjekje vet për të njohur përvojen botërore, disa prej të cilave kanë pothuaj karakteristikat e vendburimit të Marinzës?  Sot kur mundësitë e informimit dhe të kontaktit janë rutinë e thjeshtë, përse nuk kontakton ajo autorët e studimeve të tërmeteve të ngjashme, ku janë dhënë fakte dhe spjegime edhe për raste të veçanta sikurse është tërmeti në thellësi të mëdha deri 27 km nga sipërfaqa si edhe shumë pikëpyetje të tjera që paraqet ky fenomen?

Po shoqërinë kanadeze “Schlumberger” me qendër në Kanada, por e shpërndarë në të gjithë botën, pjesëmarrëse e studimeve mbi fenomenin e tërmeteve në vendburimet e naftës dhe gazit në botë nuk e takojnë dot ? Në këtë rast unë them se ata vuajnë edhe nga megalomania, por edhe nuk duan ta bëjnë, thjesht për ta lënë përgjegjësinë “qyrk“ që s’e mban askush….Shqetësimi ynë është i lidhur jo vetëm me shfrytëzimin barbar  të vendburimeve, por mbi të gjitha me faktin që në këtë vendburim është krijuar një “minë me sahat”, që nuk dihet se kur do të ripëllcasë. Literatura jep shembuj të shumtë që tërmetet, zhytjet e tokës në siperfaqe e pasoja të tjera ndodhin edhe mbas 20 vjetësh nga mbyllja e aktivitetit të shfrytëzimit të vendburimeve. Në fund të fundit, zotësia kudo matet me rezultate dhe shembujt  e mësipërm flasin që naftëtarët shqiptarë kanë qenë të zotë e të aftë, që megjithëse të kufizuar në mjete teknike, materiale dhe teknologji, kanë realizuar me sukses edhe zbulime të shumta vendburimesh nafte e gazi, edhe zhfrytëzim shkencor optimal të vendburimeve ekzistuese, gjë të cilat nuk po i shohim deri tani nga shoqëritë e huaja.

Shekulli,  24.02.2018