Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nga energjia te uji, projektet në qarkun e Beratit

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ka prezantuar sot portofolin e projekteve që kanë nisur dhe pritet të zbatohen në qytetin e Beratit.

Gjiknuri është ndalur fillimisht në sektorin e energjetikës, duke sjellë në vëmendje investimin e realizuar në nënstacionin e Çorovodës me një vlerë prej 260 milionë lekësh, pasuar nga një tjetër linjë e cila sipas tij ka bërë që Skrapari të ketë një furnizim të plotë me energji elektrike.

Po ashtu, shtoi më tej se një tjetër financim prej 360 milionë lekësh pritet të investohet për përmirësimin e energjisë elektrike në Berat, ku gjatë 3 viteve të ardhshme do të bëhet lidhja me kabull ABC në Kuçovë.

“Operatori i Sistemit të Transmetimi ka ofruar një financim prej 300 milionë lekësh investime për rritjen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike në Kuçovë,” tha Gjiknuri.

Më tej, ai është ndalur te një tjetër projekt që është parashikuar për qytetin e Beratit, i cili lidhet me menaxhimin e mbetjeve të ngurta.

“Projekti që sapo miratuam në rrugën e menaxhimit të mbetjeve të ngurta për të gjithë Qarkun e Beratit që në bashkëpunim me qeverinë zvicerane ka parashikuar rreth 2.2 milionë franga zvicerane për projektin që do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit.”

Sa i takon sektorit të infrastrukturës, ministri tha se një tjetër projekt me vlerë 71 milionë dollarë do të kryhet në zonat rurale si dhe bëri të ditur se është zbatuar Loti 1 që lidh Çorovodën me Përmetin. Ndërkohë, shtoi më tej se Parlamenti ka miratuar edhe fondin për studimin e fizibilitetit për Unazën e Beratit.

“Janë investuar 838 milionë lekë për masa inxhinierike në segmentin rrugor Buzuq – Çorovodë. Gjithashtu janë investuar për riveshje dhe sistemi-asfaltim në aksin rrugor Berat – Buzuq. Gjithashtu ka filluar ndërtimi dhe është zbatuar pjesa më e madhe e Lotit 1 që lidh Çorovodën me Përmetin. Nga ana tjetër është bërë studimi i plotë për rehabilitimin e plotë të rrugës Berat- Çorovodë, por që për këto do të mbetet të shikohet për financimin. Nga ana tjetër, Parlamenti së fundmi miratoi edhe fondet për studimin e fizibilitetit për Unazën e Beratit.”

Sa i takon rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve, Gjiknuri tha se do të vihet në zbatim paketa e dytë me një vlerë prej 2.9 milionë euro për ndërtimin e ujësjellësave në Qarkun e Beratit.

Scan Tv,  24.02.2018