Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MIE redukton dokumentat, lehtësi për qytetarët dhe sipërmarrjen

Deklarata e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë:

Reforma e derregullimit, lehtësimi i procedurave për qytetarët dhe sipërmarrjen ishte tema e diskutimit të zhvilluar në tryezën e organizuar nga Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe ajo e Sipërmarrjes.

Zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë znj.Dorina Çinari deklaroi se ky institucion ka ndërmarrë një sërë nismash që synojnë të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si ofrohen shërbime publike prej strukturave të saj, për të luftuar korrupsionin që rendon mbi qytetarin dhe sipërmarrjen në vendin tonë.

“Synimi ynë është të thjeshtojmë sa më shumë procedurat, të eliminohen dokumentet, lejet, licencat apo autorizimet e panevojshme, që institucionet shtetërore kërkojnë në këmbim të ofrimit të shërbimeve, por pa cënuar sigurinë, dhe mbrojtjen e jetës, shëndetit, konkurrencës dhe funksionimit të tregut”, theksoi Çinari.

Në të njëjtën kohë, vijoi ajo, duam të sjellim shërbimet publike dhe administratën shtetërore sa më pranë jush, duke iu përgjigjur me së miri nevojave tuaja, dhe duke shmangur radhët e gjata dhe kohë të shpenzuar më kot në sportele.

“Përfitues kryesorë të reformës së derregullimit janë qytetarët dhe sipërmarrësit, si për çështjet e furnizimit me energji elektrike, po ashtu edhe ata që kanë në pronësi dhe përdorin një automjet ose një mjet lundrimi, profesionistët dhe sipërmarrësit e fushës hidrokarbure, minierave, ndërtimit, projektimit, vlerësimit të pasurive, në fushën  e transportit”, u shpreh Çinari.

Si rezultat i kësaj reforme do të bëhet e mundur lehtësimi i mëtejshëm i shërbimeve për qytetaret dhe bizneset duke eliminuar 142 dokumente të cilat nuk do të kërkohen më prej tyre për asnjë shërbim të ofruar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucionet e saj të varësisë.

Gjithashtu rreth 201 dokumente do merren drejtpërdrejt nga platforma elektronike të vete institucioneve publike, përmes ndërveprimit me platformën elektronike e-Albania, ose ndërveprimit dhe komunikimit me institucionet publike përkatëse.

Numri i shërbimeve që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë aktualisht ofron, reduktohet nga 59 në 13 duke transferuar 46 prej tyre në institucione varësie apo palë të treta.

Ndërkohë që e njëjta metodike është ndjekur edhe për rastin e institucioneve të vartësisë ku reduktohet numri i shërbimeve nga 201 në 111 duke transferuar 90 prej tyre në palë të treta të akredituara për këto shërbime, ose organizata jo qeveritare apo dhoma të tregtisë e industrisë.

Certifikatat dhe lejet profesionale në sektorin e hidrokarbureve në kuadër të kësaj reforme transferohen pranë Institutit të Naftës dhe Gazit, sapo ai të bëhet funksional.

Lejet profesionale në sektorin e minierave të transferohen pranë AKBN, ndërsa lejet për zjarrmëtarët transferohen pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila lëshon dhe disa leje të tjera për përdorimin civil të lëndëve shpërthyese.

Në sektorin e ndërtimit  licencat profesionale, në fushën e projektimit, mbikëqyrje e kolaudimit, zbatimit, dhe vlerësimit të pasurive të paluajtshme, transferohen pranë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, si institucioni që përcjell më së miri interesat e këtij grupi.

Në sektorin e mjeteve motorike dhe shërbimeve të transportit, disa shërbime si: Kontrolli fizik i automjeteve, apo miratimi i ndryshimeve konstruktive, transferohen tek palë të treta të specializuara për kryerjen e këtyre funksioneve.

Në sektorin e transportit tokësor të udhëtarëve shërbimet e licencimit, autorizimit, dhe lëshimit të certifikatave, transferohen pranë Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë si institucioni që përcjell me së miri interesat e këtij grupi.

energjia.al  02.02.2018