Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bien importet e naftës nga Kina

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë, duke u tërhequr nga niveli më i lartë që nga dhjetori i vitit 2014.

Analistët dhe tregtarët kanë paralajmëruar për rreziqet e korrektimit të tregut në kahun e poshtëm, por megjithatë kushtet e tregut mbeten të forta, për shkak të uljes së prodhimit nga OPEC dhe përmirësimit të kërkesës.

Nafta bruto amerikane po tregtohet në rreth 63.3 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 68.9 dollarë për fuçi. Përkohësisht në sesionin e kaluar, nafta Brent u ngjit edhe mbi nivelin e 70 dollarëve për fuçi, që është niveli më i lartë që nga fundi i vitit 2014.

Tregtarët deklarojnë se, të dhënat relativisht të dobëta nga Kina, për muajin dhjetor, kanë rënduar mbi çmimet. Importet e naftës bruto nga Kina, gjatë muajit të kaluar, ranë në 33.7 milionë ton, ose në 7.97 milionë fuçi në ditë.

Në anën tjetër, eksportet e Kinës prekën një nivel rekord prej 6.17 milionë ton, gjatë dhjetorit, pasi rafineritë prodhuan më shumë se çmund të konsumojë Kina.

Gjithashtu, edhe pritshmëritë se prodhimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rritet mbi 10 milionë fuçi në ditë, ka ndikuar në rënien e çmimeve.

Megjithatë, çmimet nuk parashikohet të bien ndjeshëm, për shkak të marrëveshjes së OPEC dhe Rusisë për uljen e prodhimit, por edhe për shkak të rreziqeve politike në Iran, Venezuelë dhe Libi.

Sipas një sondazhi të realizuar nga Reuters me 1 mijë firma të energjisë, çmimet e naftës parashikohet të luhaten midis 60 dhe 70 dollarë për fuçi, gjatë këtij viti.

Scan Tv,  13.01.2018