Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fitimet e OST bien me 15.6% në 9-mujor

Fitimet e Operatorit të Transmetimit të Energjisë shënuan një rënie vjetore me 15.6 për qind në periudhën janar-shtator 2018.

Kompania raportoi pasqyrat financiare të tremujorit të tretë të vitit, ku u pa se fitimi para taksave ishte 1.4 miliardë lekë nga më shumë se 1.6 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rezultati financiar i kompanisë u përkeqësua për shkak të rënies së të ardhurave me gati 20 për qind.

Arkëtimet e OST-së në fund të 9-mujorit arritën në rreth 3.3 miliardë lekë nga 4.1 miliardë që ishin një vit më parë. Burimet nga kompania pohuan se rënia e fitimeve ishte e pritshme për shkak të disa zhvillimeve në tregun e energjisë.

Volumet e tregtimit kanë rënë këtë vit, pasi OSHE është duke plotësuar një pjesë të nevojave për mbulimin e humbjeve nga tregu vendas nëpërmjet blerjes së energjisë nga koncensionarët. Për pasojë është ulur edhe transmetimi i depozitimeve të energjisë.

Gjatë këtij viti OST ka zhvilluar rregullisht ankandin vjetor, mujor dhe ditor të kapaciteteve të interkonjeksionit për kufirin Shqipëri-Kosovë, ndërsa për kufijtë e tjerë ky ankand zhvillohet nga Zyra e Koordinuar e Ankandeve për Europën Juglindore SEE CAO.

OST do të ketë një perspektive më të mirë financiare kur ajo të bëhet pjesë e një rrjeti me më të gjerë transmetimi.

Mosfunksionimi e linjës së të transmetimit Shqipëri-Kosovë dhe humbja e shanseve për të ndërtuar një linjë transmetimi nënujore me Italinë i ka zvogëluar perspektiven e kompanisë në të ardhmen.

Planet për zgjerimin nga Maqedonia të rrjetit të transmetimit pritet të rrisin disi kapacitetet. Linja e re transmetimit Elbasan -Manastir 400 kilovolt nga pikëpamja strategjike përforcon lidhjet interkonjektive me rajonin, duke krijuar kushte më të mira për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajonin e Evropës Juglindore.

Projekti pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në krijimin e mundësive tregtare për shkëmbime ekonomike të energjisë elektrike nëpërmjet vendeve të rajonit dhe në ndarjen e rezervës që do të kontribuojë në një siguri më të madhe të funksionimit të sistemeve elektroenergjetike të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Revista Monitor,  03.11.2017