Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta zgjeron fitimet, bien eksportet nga Iraku

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, të mbështetur nga rënia e eksporteve në veri të Irakut.

Eksportet e naftës nga rajoni verior i Irakut kanë rënë me 110 mijë fuçi në ditë, gjatë këtij muaji, për shkak të tensioneve në qytetin e Kirkukut, ku forcat irakene të sigurisë rimorën këtë qytet, që ishte pushtuar nga luftëtarët kurdë, që prej vitit 2014.

Rënia e eksporteve nga ky rajon ka mbështetur çmimet e naftës në nivel global, gjatë ditëve të fundit. Nafta Brent e Londrës për dhjetorin po tregtohet në rreth 57.7 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar ra me rreth 38 cent.

Ndërkohë, nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 52.2 dollarë për fuçi. Investitorët po presin edhe të dhënat që do të publikohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Analistët parashikojnë se, rezervat amerikane mund të kenë rënë me 2.5 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar.

Ndër informacionet e tjera, Rusia vazhdon të rrisë eksportet e naftës drejt Kinës, që është konsumatori më i madh në botë i energjisë. Importet e Kinës nga Rusia u rritën me 61%, gjatë shtatorit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në këtë mënyrë, Rusia ka tejkaluar Arabinë Saudite, përsa i përket eksporteve drejt gjigandit aziatik.

Scan Tv,  25.10.2017