Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hyn në fuqi rregullorja e re e ERE

Tashmë të gjithë klientët, të cilët kanë ankesa për matësit e energjisë elektrike do ta kenë më të lehtë t’i kryejnë ato bazuar në një rregullore të miratuar së fundmi, në rast se të dhënat në të nuk dalin të sakta. Është publikuar në Fletoren zyrtare rregullorja “Mbi procedurat për paraqitjen e një kërkese, shqyrtimin e saj dhe afatet e njoftimit, kur klienti dyshon në saktësinë e të  dhënave të aparatit matës të energjisë elektrike”.

Kjo rregullore është miratuar nga bordi i ERE dhe ka si qëllim që të përcaktojë kushtet dhe procedurat për paraqitjen, shqyrtimin dhe zgjidhjen e kërkesave të klientëve në lidhje me saktësinë e të dhënave të aparatit matës të energjisë elektrike, si edhe afatet kohore për trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre kërkesave.

Fusha e zbatimit

Kjo rregullore përcakton procedurën e paraqitjes së kërkesës, shqyrtimin e saj dhe afatet e njoftimit të kërkuesit për rastet kur ai dyshon në saktësinë e matësit të energjisë elektrike, në mënyrë që:

Të sigurojë trajtimin e barabartë dhe jodiskriminues ndaj të gjithë klientëve, në respekt të të drejtave dhe detyrimeve të tyre, në lidhje me saktësinë e matjes së energjisë elektrike të konsumuar prej tyre.

Të mbrojë klientët përmes promovimit të qasjes transparente ndaj kërkesave që kanë të bëjnë me saktësinë e matjes së energjisë elektrike të regjistruar nga matësi elektrik i instaluar te klienti.

Të sigurojë përmbushjen e kritereve të matjes së energjisë elektrike në mënyrë transparente.

Të garantojë zhvillimin e një procedure të shpejtë dhe transparente për trajtimin e kërkesave të klientëve nga operatori i rrjetit.

Të garantojë trajtimin e kërkesave në zbatim të procedurave dhe afateve të zgjidhjes së kërkesave, sipas parashikimeve të përcaktuara në këtë Rregullore.

Çdo ankesë që lidhet me elementet e veprës penale dhe vjedhjes së energjisë elektrike, të përcaktuara në ligjin nr. 43/2015, “Mbi sektorin e energjisë elektrike”, nuk trajtohet në këtë rregullore dhe është nën juridiksionin e gjykatës kompetente.

Ankesat e klientëve për saktësinë e matësit të energjisë elektrike

Procedurat e paraqitjes së një kërkese për verifikimin e saktësisë së matësit elektrik dhe shqyrtimin e saj

Nëse klienti dyshon në saktësinë e matësit elektrik në përdorim të tij, ai paraqet një kërkesë, pranë zyrave të operatorit të rrjetit, si dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës, për verifikimin e aparatit matës të energjisë elektrike.

Në rastet kur klienti paraqet një kërkesë për verifikim të saktësisë të aparatit matës të energjisë elektrike pranë institucioneve të tjera përgjegjëse, ato do të regjistrojnë kërkesën e tij dhe do t’ia përcjellin operatorit të rrjetit në zbatim të afateve kohore për trajtimin e kërkesave.

Në të gjitha rastet, institucioni përgjegjës, të cilit i është drejtuar kërkesa e klientit për verifikim të saktësisë të aparatit matës të energjisë elektrike, do të vërë në dijeni dhe klientin për përcjelljen e kërkesës së tij pranë operatorit të rrjetit.

Me paraqitjen e kërkesës, përfaqësuesi I operatorit të rrjetit është i detyruar të regjistrojë kërkesën dhe të pajisë klientin me një numër unik të kërkesës së paraqitur.

Kërkesa e paraqitur nga klienti, pranë zyrave të operatorit të rrjetit, si dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës, për verifikimin e aparatit matës të energjisë elektrike, do të jetë subjekt i ligjit nr. 9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.

Operatori i rrjetit planifikon realizimin e shërbimit të verifikimit të saktësisë të aparatit mates të energjisë elektrike te klienti jo më vonë se 5 ditë pune prej ditës së paraqitjes së kërkesës.

Operatori i rrjetit njofton klientin me shkrim, brenda 3 ditëve pune nga paraqitja e kërkesës, për ditën dhe orën kur parashikohet të kryhet verifikimi i saktësisë së matësit elektrik te klienti.

Operatori i Rrjetit planifikon realizimin e shërbimit të verifikimit, duke njoftuar DPM-në ose personin juridik të autorizuar prej saj, për verifikimin e matësve elektrikë, që mbulojnë zonën administrative të klientit që ka paraqitur kërkesën. Nëse matësi elektrik ka qenë i verifikuar më pare nga subjekti i autorizuar që mbulon zonën administrative të klientit që ka paraqitur kërkesën, operatori i Rrjetit njofton një subjekt të autorizuar që kryen aktivitet në një zonë tjetër administrative që të kryejë këtë shërbim.

Operatori i Rrjetit dhe subjekti i autorizuar kryejnë shërbimin e verifikimit të matësit elektrik për saktësinë e të cilit është ankuar klienti. Verifikimi i saktësisë do të kryhet në prezencën e Operatorit të rrjetit, subjektit të autorizuar për verifikimin e matësve elektrikë, si edhe në presence të klientit që ka paraqitur kërkesën.

Shërbimi i verifikimit të matësit te klienti do të kryhet pa e shkëputur matësin elektrik nga lidhjet elektrike. Regjime të ndryshme ngarkese do të realizohen ose nëpërmjet vetë klientit ose duke realizuar ngarkesa të ndryshme në vend nga subjekti i autorizuar.

Nëse gjatë verifikimit në terren subjekti I autorizuar nuk është në gjendje të gjykojë mbi saktësinë e matësit të energjisë elektrike, atëherë ai kërkon që aparati matës të testohet në kushte laboratori. Kjo kërkesë dëshmohet duke vendosur nga ana e tij etiketa sigurie, ritestim në laborator.

Me përfundimin e verifikimit përgatitet raporti i testimit, i cili firmoset nga përfaqësuesi I Operatorit të Rrjetit dhe përfaqësuesi i subjektit të autorizuar. Një kopje e raportit të testimit I dorëzohet edhe klientit që ka paraqitur kërkesën.

Nëse aparati matës i konstatuar i dëmtuar do t’i nënshtrohet procesit të riparimit, operatori I rrjetit njofton më parë klientin për këtë, duke i bërë me dije këtij të fundit afatet brenda të cilave mund të kërkojë të ushtrojë të drejtën për të kërkuar ritestim të aparatit pranë një tjetër subjekti të autorizuar nga DPM-ja.

Nëse gjatë verifikimit të matësit elektrik, nga ana e operatorit të rrjetit konstatohen parregullsi apo ndërhyrje të paautorizuara në sistemin e matjes, që ndikojnë në regjistrimin e konsumit të energjisë elektrike dhe nuk përbëjnë vepër penale, merr masa të menjëhershme për riparimin dhe zëvendësimin e pajisjeve, në të cilat është ndërhyrë, përllogarit dëmin ekonomik të shkaktuar nga ndërhyrjet e paligjshme, sipas metodologjisë së llogaritjes së dëmit të miratuar nga ERE dhe zbaton procedurat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.

Interpretimi i rezultateve të verifikimit të kërkesës mbi saktësinë e matësit elektrik

Kur pas verifikimit nga subjekti i autorizuar, në prani të përfaqësuesit të operatorit të rrjetit dhe klientit që ka paraqitur kërkesën, konstatohet se gabimi i matjes i regjistruar pas verifikimit është përtej gabimit maksimal të lejuar (minus ose plus) dhe nuk ka prova të dëmtimeve me dashje të bëra nga klienti, atëherë operatori i rrjetit kryen përllogaritjet përkatëse të sasisë së energjisë së faturuar më shumë ose më pak, sipas rezultatit të pasaktësisë në matës dhe në këtë mënyrë bëhet rimbursimi sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në Kodin e Matjes.

Rregullimet për pasaktësitë e matjeve do të kufizohen për një periudhë të përcaktuar, në përputhje me parashikimet e bëra në Kodin e Matjes.

Nëse testimi për qëllime verifikimi është kryer në kushte laboratori, si pikë referuese për vlerësimin e kompensimit do të shërbejë diferenca midis gabimit të matjes që rezulton në matës pas testimit dhe gabimit maksimal të lejuar sipas klasës së saktësisë së vetë matësit elektrik. Gabimi i matjes së matësit llogaritet në pikën referuese të ngarkesës, si më poshtë:

a) Matës 1-fazor (njëfazor): ngarkesa simetrike nominale (bazë), I=100%, për cosø=1

b) Matës 3-fazorë (trefazorë): ngarkesa simetrike nominale (bazë), I=100% (L1, L2, L3), për cosø=1

Nëse testimi për qëllime verifikimi është kryer në kushte terreni me instrumente etalon referues portative, si pikë referuese për vlerësimin e kompensimit do të shërbejë diferenca midis gabimit të matjes që rezulton në matës pas testimit me 1.5 x klasën e matësit elektrik.

Matësi që rezulton i rregullt, pas verifikimit do të vuloset në përputhje me parashikimet e kontratës “Tip”, “Mbi verifikimin e matësve të energjisë elektrike dhe vulosjen e tyre”, të miratuar nga ERE. Matësi që rezulton jo i rregullt do të identifikohet me anën e një çifti etiketash sigurie, që tregon se matësi është jo i rregullt. Operatori I rrjetit do të kryejë zëvendësimin e këtij matësi që rezulton jo i rregullt, duke njoftuar paraprakisht me shkrim klientin, brenda tri ditëve pune prej ditës së verifikimit nga subjekti i autorizuar, në përputhje me parashikimet e Kodit të Rrjetit të Transmetimit dhe Kodit të Rrjetit të Shpërndarjes.

Afati i realizimit të shërbimeve

Realizimi i shërbimit të verifikimit të saktësisë së matësit elektrik të klientit, i cili ka bërë kërkesë pranë operatorit të rrjetit, kryhet brenda 5 ditëve pune prej ditës së paraqitjes së kërkesës në zyrat e operatorit të rrjetit.

Brenda 3 ditëve pune prej ditës së kryerjes së shërbimit të verifikimit të matësit elektrik, operatori i rrjetit paraqet vlerësimin ndaj kërkesës së bërë dhe ia dorëzon klientit.

Ankimimi i kërkesës

Në rastet kur klienti nuk është i kënaqur me trajtimin e kërkesës nga operatori i rrjetit apo kur klienti nuk është dakord me vlerësimin e bërë nga operatori i rrjetit pas verifikimit të matësit elektrik, atëherë klienti paraqet një ankimim pranë institucioneve përgjegjëse mbi trajtimin e kërkesës që lidhet me verifikimin e saktësisë e matësit elektrik.

Detyrimet financiare

Kur verifikimi i matësit është bërë me kërkesë të klientit dhe gjatë verifikimit të matësit nuk konstatohen pasaktësi, atëherë shpenzimet e verifikimit paguhen nga klienti që ka paraqitur kërkesën, në përputhje me tarifat tavan për verifikimin e matësve, të miratuara me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit përgjegjës për energjinë.

Tarifat tavan për verifikimin e matësve miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit përgjegjës për energjinë, sikurse përcaktohet në ligjin nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”. Tashmë kjo rregullore ka hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare

Scan Tv,  29.09.2017