Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albpetrol mbyll me sukses shitjen e 200 mijë ton naftë

Albpetrol ka mbyllur me sukses shitjen e 200 mijë tonëve naftë. Burime pranë kompanisë deklaruan se fituesja është kompania “Izvor 99 sh.p.k”, kompani që operon në transport dhe tregtim të bitumit, karburanteve, lubrifikantëve të ndryshëm e fraksioneve të tjera të naftës dhe që operon në zonën e Fierit.

Të ardhurat që Albpetrol do të sigurojë nga shitja e kësaj sasie nafte bruto llogariten në mbi 50 milionë dollarë.

Ankandi

Në mes të muajit gusht kompania shtetërore e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në vend Albpetrol hapi ankandin për shtijen e 200 mijë tonëve naftë brut duke përcaktuar edhe çmimin minimal që do të ishte sa 71% e çmimit të naftës brent të publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik, duke shtuar mbi të edhe koston e stokim, magazinim dhe transport për çdo ton.

Duket se oferta e “Izvor 99 sh.pk” ishte edhe më e larta në ankand ku në total në datën 22 gusht u paraqitën vetëm dy subjekte të interesuara. Kompania tjetër sipas burimeve brenda Albpetrol shfaqi mangësi në dokumentacion, por kishte edhe një ofertë më të ulët sesa konkurrentja tjetër në garë.

Si do procedohet

Tërheqja e sasisë prej 200 mijë tonë naftë do të bëhet nga tetë stacione të Albpetrol dhe konkretisht nga stacioni Marinëz (Bankers/HUB Fier), stacioni Usojë, 16/1 (ARMO) Ballsh, stacioni Zharrëz, stacioni Sheqishtë, stacioni Gorisht, stacioni Visoke dhe në fund stacioni Kuçovë.
Tërheqja e gjithë sasisë do të bëhet në harkun e një viti nga ana e kompanisë që u shpall fituese e këtij ankandi.

Ky është ankandi i parë që Albpetrol zhvilloi gjatë këtij viti lidhur me sasinë stok të naftës brut të nxjerrë nga puset aktivë nën administrim të saj.

Revista Monitor,  23.09.2017