Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Thatësira godet çmimet e energjisë

I gjithë Ballkani është pushtuar nga një thatësirë e paprecedentë dhe e tejzgjatur. Nivelet e ujërave në të gjithë rajonin kanë rënë ndjeshëm, duke shkaktuar mungesë të prekshme energjie, e për rrjedhojë edhe shtrenjtim të çmimeve të energjisë elektrike në pjesën dërrmuese të këtyre vendeve.

Prodhimi i energjisë në rajon, që prej fillimit të Korrikut është thuajse sa gjysma e niveleve të së njëjtës periudhë të një viti më parë. Temperaturat mbi 40 gradë celsius dhe mungesa e reshjeve të shiut janë shkaktarët kryesorë të kësaj situate.

Diçka e tillë ka gjeneruar një shtrenjtim të çmimeve referencë të energjisë prej thuajse 30% që prej fillim-vitit si dhe ka detyruar vendet e rajonit që të importojnë energji me çmime të fryra.

Në vende si Shqipëria, Bosnje Hercegovina dhe Serbia, energjia që prodhohet nga burimet hidrike është mjaft e rëndësishme. Në Shqipëri zë pjesën kryesore, ndërsa në Bosnje dhe Serbi fiksohet pranë 50% dhe 30%.

Vala e të nxehtit në Shqipëri, e kryesisht kërkesa e lartë për ajrin e kondicionuar ka nxitur që të importojmë rreth 80% të nevojës me një kosto prej rreth 30 milionë euro.

Të dhënat nga bursa e energjisë tregojnë se, çmimet për megavat orë të prodhuar në Serbi kanë prekur nivelin e 87.26 euro, në Kroaci atë të 104 eurove, në Hungari 57.89 euro.

Për Shqipërinë ndërkohë, çmimet e importit janë ngjitur në 55.81 euro për Megavat/orë, të paktën për kontratën e blerjes që KESH ka arritur për shtatorin, kur pritet që shirat të mungojnë. Ekspertët shprehen se, çmimet janë rritur mesatarisht 10-15 euro për Megavat/orë.

Scan Tv,  04.09.2017