Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vdekja e motorrit me diegie të brendshme

Ecuria ishte shumë e mirë. Por shumë shpejt pritet fundi i makinës që ndryshoi botën

“Inovacioni NJERËZOR … ende nuk ka gjetur një proces mekanik për të zëvendësuar kuajt fuqi si njësinë matëse të shpejtësisë më të mirë për automjetet”, u ankua Le Petit Journal, një gazetë franceze, në dhjetor 1893. Kjo ishte një parantezë përpara zhvillimit të garës me karroca por pa kuaj, në korrikun e vitit të ardhshëm. Në mesin e 102 pjesëmarrësve kishte mjete që lëviznin me motorë me avull, benzinë, energji elektrike dhe me ajër të kompresuar. Vetëm 21 prej tyre u kualifikuan për të marrë pjesë në zhvillimin e garës 126 km, e cila tërhoqi turma të mëdha njerëzish. Fituesi ishte sigurisht motori me djegie të brendshme. Gjatë shekullit të mëvonshëm ai do të ishte një ndër shtyllat e industrisë së energjisë dhe do të ndryshonte edhe botën, shkruan The Economist.

Fundi i madh

Por ai (motori me djegie të brendshme) i ka ditët tashmë të numëruara. Fitimet e shpejta në teknologjinë e baterisë po favorizojnë më shumë motorët elektrikë. Në Paris, në vitin 1894, asnjë makinë me motor elektrik nuk ia doli të shkonte deri në vijën e finishit, sepse ato kishin nevojë që të ndaleshin në stacionet zëvendësuese të baterive në çdo 30 km. Por një gjë e tillë nuk është aspak problem për makinat e sotme elektrike, të cilat duke pasur një bateri me litium dhe jon janë shumë herë më të fuqishme. Chevy Bolt ka një gamë prej 383 km; Të apasionuarit e markës Tesla, kohët e fundit bënë të mundur që Model S të ecte më shumë se 1,000 km, i karikuar një herë të vetme. Sipas parashikimeve të bankës USB, automjetet elektrike do të përbëjnë 14% të shitjeve të makinave globale deri në vitin 2025, nga 1% që është në ditët e sotme.

Të tjerët kanë parashikime më modeste, por po i rishikojnë ato me shpejtësi ndërsa bateritë bëhen më të lira dhe më të mira. Kostoja për kilovat orë ka rënë nga 1,000 dollarë në 2010 në 130-200 dollarë në ditët e sotme. Edhe rregulloret në këtë drejtim po bëhen gjithnjë e më shumë të rrepta. Muajin e kaluar, Britania u bë pjesë e një liste, ku aderonin të gjitha shtetet që ishin pro makinave elektrike, por deri në vitin 2050 emetimet e tyre duhet të jenë zero. Kalimi nga makinat me karburant dhe me pistona tek ato me bateri dhe me motorë elektrikë me sa duket do të vijë shumë shpejt, gjë kjo që do të shkaktojë edhe vdekjen e makinave me motorë me djegie të brendshme. Për të kuptuar akoma më mirë atë që do të vijë pas një vdekjeje të tillë, duhet të mendoni qoftë edhe për një moment të vetëm për ndikimin e madh që ka pasur dhe vazhdon të ketë motori me djegie të brendshme në jetën moderne të shoqërisë. Bota e pasur u rindërtua në funksion të makinave me motor. Investime gjigande janë bërë në infrastrukturën rrugore. Rreth 85% e punëtorëve amerikanë shkojnë në punë me makinë.

Industria prodhuese e makinave ishte gjithashtu një gjenerator i zhvillimit ekonomik dhe zgjerimit të klasës së mesme, si në Amerikën e pasluftës ashtu edhe në disa shtete të tjera. Në ditët e sotme ka rreth 1 miliardë makina në rrugë, ku pothuajse të gjitha janë me motor me djegie të brendshme. Motorët e makinave dhe kamionëve amerikanë mund të prodhojnë deri në 10 herë më shumë energji sesa centralet e saj të energjisë. Motori me djegie të brendshme është motori më i fuqishëm në të gjithë historinë e njerëzimit. Por elektrifikimi, po shkakton trazira të shumta mbi këtë industri. Markat e saj më të mira janë të bazuara në trashëgiminë e tyre inxhinierike, veçanërisht në Gjermani. Krahasuar me automjetet ekzistuese, makinat elektrike janë shumë më të thjeshta dhe kanë më pak pjesë. Ato janë më shumë si kompjuterë me katër rrota, dhe një gjë e tillë do të thotë se ata kanë nevojë për më pak njerëz dhe për më pak asistencë nga teknikët e specializuar, duke qenë se janë të përbërë nga më pak sisteme. Prodhuesit e makinave, të cilët nuk prodhojnë makina elektrike janë shumë të shqetësuar nga kjo situatë, e cila mund të jetë shkatërruese për ta. Rrjedhimisht edhe tregu i mirëmbajtjes dhe i pjesëve të këmbimit do të tkurret.

Le të supozojmë për një moment që njerëzit duan t’i përvetësojnë makinat. Makinat elektrike së bashku me teknologjinë e tyre përkatëse, mund të nënkuptojnë që pronësia të zëvendësohet gjerësisht nga “’transporti si një shërbim” në të cilin flota e makinave ofron udhëtime të ndryshme sipas kërkesës. Sipas vlerësimeve më esktreme, një gjë e tillë mund ta tkurrte industrinë deri në 90 për qind. Shumë makina elektrike të përbashkëta dhe me vetëdrejtim, do të zëvendësonin parkingjet e mëdha të makinave (deri në 24% të zonës në disa vende) me ndërtesa të reja dhe do t’u krijonin atyre mundësinë për të udhëtuar nga vende të largëta në destinacionet që punojnë. Makinat vetëdrejtuese apo ato elektrike ofrojnë edhe përfitime të mëdha mjedisore dhe shëndetësore. Karikimi i baterive të makinave nga stacionet qendrore të energjisë është më efikas në krahasim me djegien e karburantit në motorë të veçantë.

Sipas Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes së Burimeve të Amerikës, makinat ekzistuese elektrike reduktojnë emetimet e karbonit me 54% krahasuar me ato me naftë. Kjo shifër do të rritet akoma edhe më shumë pasi makinat elektrike të bëhen edhe më efikase dhe gjenerimi i rrjetit të bëhet akoma edhe më ekologjik. Edhe ndotja lokale e ajrit do të shënojë gjithashtu rënie. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ndotja e ajrit nga emetimet në nivele të larta është një prej rreziqeve më të mëdha për shëndetin mjedisor, ku ajri i ndotur në natyrë shkakton 3.7 milionë vdekje çdo vit. Sipas një studimi të fundit, emetimet e makinave vrasin rreth 53,000 amerikanë çdo vit, kundrejt 34,000 amerikanëve që vdesin në aksidente rrugore.

Dhe pastaj vjen nafta

Rreth dy të tretat e konsumit të naftës në Amerikë janë në rrugë, dhe një sasi e mirë e pjesës tjetër shfrytëzon nënproduktet e rafinimit të naftës bruto. Kjo industri synon arritjen e kërkesës maksimale por sipas Royal Dutch Shell një gjë e tillë mund të ndodhë në fund të dekadës së ardhshme. Sipas perspektivës rëndësia më e madhe do të bjerë mbi çmimet, sepse askush nuk do të dëshirojë t’i mbetej stok me një sasi e konsiderueshme nafte.

Do të ketë mungesë të investimesh të reja, veçanërisht në zonat me kosto të lartë të tilla si në Arktik. Në të kundërt, prodhues të tilla si Arabia Saudite, me rezerva të mëdha do të jenë nën presion për të vepruar përpara se të jetë shumë vonë. Megjithëse do të ketë ende një treg për gazin natyror, i cili do të ndihmojë në gjenerimin e energjisë për të gjitha ato makina elektrike, çmimet e paqëndrueshme të naftës do të ndikojë negativisht në ato vende që varen nga të ardhurat e hidrokarbureve për të mbushur arkën kombëtare.

Në vende të tilla si Angola dhe Nigeria ku nafta ka qenë shpesh një mallkim, përhapja e fuqisë ekonomike mund të sjellë përfitime të jashtëzakonshme. Ndërkohë, një përplasje për litiumin është në proces e sipër. Çmimi i karbonatit të litiumit është rritur nga 4.000 dollarë/ ton në 2011 në më shumë se 14.000 dollarë. Kërkesa për elementë të tillë si kobalti apo elementë të rralla të tokës për motorët elektrikë po rritet gjithashtu.
Litiumi nuk do të përdoret vetëm për të furnizuar makinat. Autoritetet duan që bateritë gjigande të ruajnë energjinë kur kërkesa të jetë e paktë dhe të çlirojnë sa më shumë kur kërkesa të jetë në kulmin e saj.

Por a do ta shndërrojë një situatë e tillë Kilin e pasur me litium në Arabinë Saudite të re? Jo, sepse makina elektrike nuk e konsumojnë atë. Motori me djegie të brendshme ka pasur një ecuri dhe një zhvillimi shumë të mirë dhe ai ende mund të ketë një ecuri të mirë dhe mund të dominojë tregun e anijeve dhe të aviacionit në dekadat e ardhshme. Por përsa i përket motorëve të automjeteve që përdoren në tokë, ato së shpejti do të ofrojnë lirinë dhe komoditetin me çmim më të ulët dhe më të pastër.

Ndërsa kalimi në makinat elektrike kthen trendin në botën e pasur drejt rënies së konsumit të energjisë elektrike, politikëbërësit do të duhet të ndihmojnë në këtë drejtim, duke siguruar që ka kapacitet të mjaftueshëm gjenerues, pavarësisht sistemit të thyer të rregullimit në shumë vende. Ata mund të kenë nevojë të luajnë rolin e “mamive” ndaj rregullave të reja dhe standardeve për stacionet e rimbushjes publike dhe riciklimin e baterive, motorëve të rrallë në automjetet e përdorura në tokë dhe komponentëve të tjerë në “minierat urbane”. Por atyre do t’u duhet të përballen me trazirat që do të vijnë pasi çështja e punëve të fabrikës së vjetër prodhuese do të ketë përfunduar. Makinat elektrike me vetëdrejtim, në shekullin 21 kanë gjasa të përmirësojnë botën, ashtu si automjetet me motorë me djegie të brendshme ndikuan në botën e shekullit të 20. Por ky rrugëtim nuk do të jetë aspak i lehtë, ndaj duhet të shtrëngoni sa më fort rripin e sigurimit!

Revista Monitor,  02.09.2017