Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE blen 20 mln euro energji për shtatorin

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), edhe pse ka kryer pesë raunde negocimi me tregtuesit, nuk ka arritur të sigurojë të gjithë energjinë që  kërkonte të blinte për muajin shtator.

Sipas njoftimit zyrtar të OSHEE, kompania  arriti të blejë 271,620 MWh, nga sasia e kërkuar prej 288,600MWh, ose 94% e totalit të kërkuar. Kjo sasi i ka kushtuar OSHEE në total rreth 20 milionë euro (për detajet shiko tabelën në fund).

Burimet nga OSHEE pohuan se negociatat ishin të vështira, po ashtu, si rrallëherë u bë kërkesa në tre lote, teksa operatori po haset me domosdoshmërinë për të blerë energji orë pas ore.

U negociua me 10 subjekte nga të cilët 9 u pranuan dhe megjithëse si asnjëherë tjetër negociatat vazhduan me 5 raunde nuk u arrit të sigurohej e gjithë sasia. Sasia e mbetur, pohojnë burimet e OSHEE do t’i kërkohet KESH.

Tre muajt e fundit, situata e energjisë në vend është përkeqësuar për shkak të thatësirës së tejzgjatur.   Shqipëria po ndodhet aktualisht në një situatë që nuk po arrin të plotësojë sasitë e kërkuara të energjisë.

Oferta në tregun e energjisë, sqarojnë burimet e OSHEE, është në rënie, dhe çmimet janë vështirësisht  të negociueshme. Teksa oferta është më e lartë se kërkesa, kjo ul konkurrueshmërinë në negocimet për çmimet. Në ankandin e fundit, çmimi u luhat  mes 64 euro/MWH deri afër 80 euro/MWH, në varësi të lotit, kapacitetit dhe sasisë së kërkuar.  Diferenca me  bursën e Hungarisë është 11 euro për MWH, nga të cilat kapacitetet zënë 6 euro dhe pjesa tjetër është vlera në kohë e parasë dhe kosto administrative.

OSHEE ka blerë me fondet e veta rreth 50 milionë energji për korrikun dhe gushtin, ndërsa në shtator në lojë hyri dhe KESH, pasi u arrit të zhbllokohej një pjesë e kredisë, (22.4 milionë euro), që Banka Botërore ka dhënë për rimëkëmbjen e energjisë dhe që mund të përdorej në raste emergjence. KESH bleu pak ditë më parë 7.2 milionë euro energji për shtatorin.

Për periudhën korrik-shtator, janë blerë gjithsej gati 80 milionë euro energji. Nëse thatësira vijon, qeveria do të detyrohet të prekë për here të pare pas disa vitesh fondin e rezervës në buxhet, i cili u rrit me ndryshimet e fundit të buxhetit, pikërisht për të përballuar krizën energjetike.

Burimet nga OSHEE pohojnë se operatori i shpërndarjes ka likuiditetin e nevojshëm, pasi kompania ka arkëtime prej rreth 5 miliardë lekë në muaj (36 mln euro), por problemi është që gjithçka po përdoret për fondet e energjisë, ndërkohë që kompania duhet të bëjë edhe investime. Por, për sa kohë që nuk do të ketë prurje shiu, operatorët e tregut do të jenë të detyruar të blejnë energji.

Situata do të shihet muaj pas muaji dhe OSHEE ende vazhdon të planifikojë që do paguajë energji me fondet e veta, përsa kohë që nuk është përcaktuar, si do i marrë fondet e reserves buxhetore, apo do të përdorë overdraft të garantuar nga qeveria.

Pozitive është që ditët e fundit ngarkesa është ulur, për shkak të rënies së vapës në vend, çka ka reduktuar konsumin, duke i dhënë pak frymëmarrje operatorit të energjisë.

Revista Monitor,  30.08.2017