Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Të njohësh armikun

Tregjet po pengojnë përpjekjet e OPEC-ut për të rritur çmimet e naftës. Karteli po lufton jo vetëm ndaj prodhuesve të shistit argjilor, por edhe ndaj prodhuesve të kontratave të së ardhmes.

Duke huazuar tre fjalë nga fjalimi i Mario Draghi-t, presidentit të BQE-së, i cili ndihmoi në shpëtimin e Eurozonës, Khalid al-Falih, ministri i Energjisë së Arabisë Saudite dhe homologu i tij rus, Alexander Novak, më 15 maj premtuan se do të bënin “çfarëdo që të nevojitet” për të ndërprerë prodhimin në tregjet botërore të naftës, si pasojë e mbingopjes së tregut, shkruan The Economist.

Ky kartel premtoi se do të shtyjë deri në mars të vitit 2018 ndërprerjen e prodhimit, duke rritur çmimin e naftës, afërsisht në 50 dollarë për fuçi. Por që kjo gjë të përmbushet, duhet një frazë më e saktë se ajo e mësipërme: “Të dish se kush është armiku yt”.

Në dy vite e gjysmë situate të paqëndrueshme në lidhje me çmimet e ulëta të naftës, OPEC-u ka qenë konsistent në një drejtim. Ai ka nënvlerësuar aftësinë e prodhuesve të shistit argjilor në Amerikë dhe armiqësinë në betejën midis sheikëve dhe prodhuesve të shistit argjilor, në përdorimin e teknikave financiarisht më efikase për të qetësuar stuhinë e çmimeve të ulëta.

Strategjia e shpëtimit për prodhuesit amerikanë ka qenë aftësia e tyre për të përdorur tregjet e kapitalit për të mbledhur para dhe për të përdorur tregjet dhe opsionet e së ardhmes për të mbuluar çmimet shumë të ulëta, duke shitur prodhimin e ardhshëm me çmimet e vendosura nga vetë këto tregje. Vetëm gjatë kohëve të fundit, karteli u bind në efikasitetin e kësaj strategjie, por ende nuk është e qartë nëse e ka gjetur apo jo zgjidhjen.

Sfida më e madhe dhe më e dukshme që prodhuesit e shistit argjilor i kanë paraqitur OPEC-ut gjatë dekadës së fundit është përdorimi i teknikës të njohur si “thyerja hidraulike” (shpimit horizontal dhe thyerja e shkëmbinjve me anë të presionit të ujit) për të nxjerrë në mënyrë sa më të shpejtë dhe me kosto sa më të ulët naftën në vende që më parë cilësoheshin si joekonomike. Sapo OPEC-u e zbuloi një teknikë të tillë në vitin 2014, ai filloi të mbingopë tregun botëror me naftë, me qëllim që t’i nxirrte jashtë loje konkurrentët që operonin me çmime të larta në treg (por duke dëmtuar në këtë mënyrë në radhë të parë pasurinë e shteteve të veta anëtare). Por ata dështuan në vënien re të një detaji shumë të rëndësishëm dhe delikat.

Teknika e thyerjes hidraulike është një biznes më i parashikueshëm sesa modeli i vjetër i naftënxjerrësve, të cilët shponin tokën me shpresën se do të gjenin puse nafte, të cilat do t’i pasuronin.
Siç thotë John Saucer i Mobius Risk Group, një firmë konsulence, shistet argjilore e kanë kthyer prodhimin e naftës thjesht në një biznes prodhimi sesa në një biznes për nxjerrjen e një produkti me një vlerë shumë të lartë.
Kjo e ka bërë më të lehtë sigurimin e financimit për të rritur prodhimin, duke bërë të mundur që prodhuesit të shpenzojnë më shumë. Z. Saucer thotë se mbështetësit e firmave më të mëdha të shisteve argjilore përfshijnë investitorët e kapitalit privat dhe fondet e pensioneve, të cilët kërkojnë kthim likuiditeti por, mbi të gjitha, që ai të jetë i besueshëm.

Ata kanë më shumë gjasa të mbulojnë prodhimin për të mbrojtur ato kthime likuiditeti sesa të luajnë në “garën në shtëpi” për dyfishimin e çmimit të naftës në 100 dollarë për fuçi.
“Mbrojtja e tyre është shumë sistematike dhe transparente”, – thotë ai. Ata nuk përzihen fare në çështje që kanë të bëjnë me spekulime të ndryshme.

Të dhënat nga Komisioni i Tregtisë së Kontratave të së Ardhmes të Amerikës, i cili është një organ rregullator dhe që është pikërisht ai që e mbikëqyr këtë zhvendosje, tregojnë se firmat e energjisë dhe disa firma të tjera jofinanciare tregtojnë afërsisht ekuivalentin e më shumë se 1 miliard dollarë fuçish të kontratave të së ardhmes në West Texas Intermediate (WTI), më shumë se dyfishi i nivelit të pesë viteve më parë dhe që përfaqëson gati një të katërtën e tregut krahasuar me 16% që ishte në 2012.

Shumë prej tyre janë mbrojtje, edhe pse z. Saucer thotë se të dhënat reflektojnë vetëm një pjesë të totalit, duke përjashtuar marrëveshjet dypalëshe me bankat e mëdha dhe tregtarët e energjisë.
Prodhuesit e OPEC-ut dhe prodhues të tjerë që nuk janë pjesë e tij, padyshim që e përkeqësuan aktivitetin mbrojtës, duke rritur prodhimin në fund të vitit të kaluar, edhe pse ata vendosën ta ulnin atë që nga 1 janari.
Politikat konfliktuale ndihmuan në uljen e çmimit vendor në krahasim me çmimin e kontratave të së ardhmes WTI, duke ruajtur një kurbë rritëse të kontratave të së ardhmes të njohur si “contango*”. Kjo ishte edhe më tërheqëse për prodhuesit e shistit argjilor, të cilët e shitën përpara prodhimin e tyre ardhshëm, duke u mundësuar atyre që të rrisnin prodhimin.

Ky prodhim i lartë i shistit argjilor do të vazhdojë të mbështetet nga një rritje në numrin e platformave të shpimit, që nuk tregon aspak shenja dobësimi. Administrata e Informacionit të Energjisë, një agjenci qeveritare amerikane, vlerëson se deri në vitin e ardhshëm, Shtetet e Bashkuara Amerikane do të prodhojnë 10 milionë fuçi naftë në ditë, nivel ky që e tejkalon edhe atë më të lartin e shënuar gjatë prillit të 2015-s.
Kjo do ta vendoste atë në një nivel me Rusinë dhe Arabinë Saudite. Në përgjigje të kësaj, ndërhyrësit e frustruar duket se kanë vendosur të mbajnë kurbën e së ardhmes në “prapambetje”, në të cilën çmimet afatshkurtra janë më të larta se ato afatgjata. Qëllimi i kësaj është dekurajimi i grumbullimit të lëndëve të para, si dhe zakoni i mbrojtjes. Por suksesi nuk është i garantuar.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, një organ parashikues, edhe në qoftë se shkurtimet e prodhimit të vendeve anëtare të OPEC/dhe atyre që nuk janë pjesë e OPEC, do të shtyhen zyrtarisht deri më 25 maj, duhet një punë edhe më e madhe në gjysmën e dytë të këtij viti, në mënyrë të tillë që inventarët e naftës së papërpunuar të ulen në mesataren e tyre pesëvjeçare, i cili është edhe qëllimi i deklaruar i të dy ministrave të Energjisë.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se Libia dhe Nigeria, dy anëtarë të OPEC-ut që nuk u janë nënshtruar shkurtimeve për shkak të rrethanave të vështira në vend, kanë ngritur ndjeshëm prodhimin gjatë kohëve të fundit, ndoshta duke nënvlerësuar përpjekjet e kolegëve të tyre.

Për më tepër, kërkesa globale këtë vit ka qenë më e dobët se sa pritej. Në një raport të publikuar javën e kaluar nga Roland Berger, një firmë konsulence, thuhej se kërkesa e naftës në vendet e pasura ka arritur kulmin dhe teksa vendet në zhvillim, të tilla si Kina dhe India po industrializohen, ata do të përdorin naftën në mënyrë më efikase sesa homologët e tyre vendeve të zhvilluara. E gjithë kjo ngre dyshime në lidhje me faktin se sa mund të rritet çmimi i naftës.

Në fund të fundit, prodhuesit e shistit argjilor do të marrin atë që i takon. Mungesa e punës dhe pajisjeve do të rrisin shpenzimet e procesit të shpimit. Normat e larta të interesit do të ulin entuziazmin e investitorëve. “Bollëku irracional” mund t’i bëjë ata të prodhojnë aq shumë saqë çmimet të bien në nivele të ulëta. Por tani për tani, Arabia Saudite duket se po udhëheq OPEC-un, në një luftë që nuk mund ta fitojë. Sipas Pierre Lacaze, i LCMCommodities, një firmë kërkimore, ajo ka shkuar me shpata në një betejë armësh, madje më keq, ajo e ka nisur këtë betejë e plagosur.

Revista Monitor,  06.06.2017