Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Superkarikuesit Tesla po vijnë në Ballkan

Një nga frikërat më të mëdha kur ke të bësh me makinat elektrike është se do të mbarojë bateria para se të arrish në stacionin e radhës të karikimit. Krijuesi i Tesla, Elon Musk, u ka premtuar të gjithë shoferëve se rrjeti i superkarikuesve të kompanisë do të shtrihet gradualisht në të gjitha vendet europiane.

Faqja zyrtare e kompanisë tregon se ku janë të pozicionuar stacionet më të shpejta të karikimit në botë, së bashku me ato të cilat planifikohet të ngrihen.

Në rajonin e Ballkanit vetëm Sllovenia dhe Kroacia kanë disa pika ekzistuese, të shtrira në rrugën përgjatë detit Adriatik, me qendrën më të afërt me vendin tonë të ndodhur në Dubrovnik, e tjetra në Janinë, e cila pritet të ngrihet së shpejti.

Kjo distancë: Dubrovnik-Janinë është 551km e gjatë dhe nënkupton se një makina Tesla do të duhej të bënte së paku një ndalesë, duke qenë se distanca maksimale që mund të përshkojë një nga modelet e reja është 400 km.

Duke parë hartën, mungesa e qendrave të karikimit në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë kushtëzon rrugën e drejtuesve Tesla, duke i detyruar të devijojnë për në Maqedoni, ku një stacion karikimi është i planifikuar të ndërtohet në Shkup. Shqipëria përjashtohet kështu si destinacion nga të gjithë turistët potencialë që ngasin makinat elektrike.

Ndonëse të paktë tani në numër, në të ardhmen makinat elektrike pritet të mbizotërojnë. Duke konsideruar se edhe Turqia është deklaruar nga Tesla si një treg prioritar, kjo shton nevojën që ka vendi ynë për të shtuar së paku pikat e karikimit.

Maqedonia është futur në lojë edhe për shkak të projektit CIVITAS DYN@MO që synon të mbështesë infrastrukturën për transportin e gjelbër; ndërsa në Greqi, stacionet e karikimit do të ngrihen nga operatori shtetëror i energjisë PPC, si edhe nga Ministria e Energjisë, Mjedisit dhe Klimës.

Megjithatë Tesla i jep një shans edhe privatëve. Kompania ofron mundësi partneriteti në faqen e saj për të ngritur të tilla pika karikimi, duke ofruar falas ose me zbritje Tesla Wall Connector, nëse zotëron një hotel, resort, klub apo destinacion tjetër full service.

Prioriteti që kanë superkarikuesit Tesla është se me vetëm 30 minuta karikim, makina mund të përshkojë deri në 270 km, ndërsa bateria mund të mbushet plotësisht në vetëm 75 minuta. Pa këta superkarikues, alternativa e vetme që kanë drejtuesit e mjeteve janë prizat tradicionale, të cilët kërkojnë kohë shumë më të zgjatura.

Scan Tv,  06.06.2017