Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Industria nxjerrëse kryeson indeksin e çmimeve të prodhimit

Në tremujorin e parë të vitit 2017, indeksi i çmimeve të prodhimit arriti 102,3 kundrejt vitit 2010, raporton INSTAT. Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit përkatësisht me 5,1 % në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016 dhe 1,8 % në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2016.

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të prodhimit në tremujorin e parë 2017 është 5,1 %. Rritjen më të lartë e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “industri nxjerrëse” me 24,3 %. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 37,3 %.

Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, çmimet e prodhimit në aktivitetet e industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 2,6 %.  Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetin e metalurgjisë me 13,6 %, të produkteve të duhanit me 6,3 % dhe prodhimi i produkteve kimike me 3,8 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2016, çmimet e prodhimit të produkteve vendase shënuan rritje me 2,8 %.

Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje me 10,6 % krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Në tremujorin e parë 2017, ndryshimi tremujor i indeksit është 1,8 %.

Çmimet e prodhimit në seksionin ”industri nxjerrëse” shënuan rritje me 10,3 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Rritjen më të lartë e shënuan çmimet e prodhimit në aktivitetin “nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 15,3 %.

Çmimet e prodhimit në seksionin “industria përpunuese” kanë shënuar rritje me 1,3 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Brenda kësaj industrie vihet re rritje e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetet: metalurgji me 3,5 %, konfeksionimi i veshjeve me 0,6 %, prodhimi i produkteve ushqimore me 0,3 %. Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase arriti 101,7 kundrejt vitit 2010, duke shënuar një rritje me 2,3 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Vlen të përmendet rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në seksionet; “industri nxjerrëse” me 4,7 % dhe “industri përpunuese” me 0,8 %. Indeksi i çmimeve të eksportit arriti 106,1 duke shënuar një rritje me 3,2 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Çmimet e prodhimit të produkteve në seksionet: “industri nxjerrëse” kanë shënuar rritje me 12,3 % dhe në seksioni “industri përpunuese” kanë shënuar rritje me 1,9 %. Çmimet e prodhimit në aktivitetet e grumbullimit, trajtimit dhe asgjësimit të mbetjeve shënuan ulje me 0,3 %.

Revista Monitor,  06.06.2017