Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

2 kompani shfaqin interes për zona të lira nafte e gazi

Pasi Albpetrol, kompania shtetërore që menaxhon burimet e naftës dhe gazit në vend, ka ftuar investitorët për të shprehur interesin për tre zona të lira të naftës dhe gazit, kanë ardhur dhe reagimet e para.

2 maji ishte afati i fundit i shprehjes së interesit për fushat naftë dhe gaz mbajtëse të Gorisht-Kocul; Cakran-Mollaj dhe zonat mbi det Adriatik 2, 3 dhe 4. Burime nga Albpetrol pohuan se janë dy kompani që kanë shfaqur interes, por emrat e tyre nuk mund të bëhen ende publike, për shkak se ofertat janë në shqyrtim e sipër.

Vendburimet e naftës dhe gazit në Cakran-Mollaj dhe Gorisht-Kocul iu rikthyen në administrim qeverisë shqiptare, pasi në tetor të vitit të kaluar, Albpetrol, njoftoi koncesionarin TransAtlantic Albania për mbylljen e njëanshme të marrëveshjeve hidrokarbure për këto vendburime të rëndësishme të nëntokës shqiptare, për mospërmbushje të kontratës dhe moskryerje të investimeve (në të dy zonat realizimi faktik i investimeve nuk ishte më shumë se 10%). Albpetrol ka sekuestruar pajisjet dhe naftën e gjendur në depozita dhe ka rivënë në punë puset. 

Ndërsa në mars të këtij viti. Albpetrol sh.a., nisi procedurën për prishjen e marrëveshjes hidrokarbure me Emanuelle Adriatic Energy Ltd, një kompani izraelite, e cila kishte të drejtën e kërkimit për naftë në tre blloqet në detin Adriatik, “Adriatik 2, 3 dhe 4”. Shkaku i prishjes së marrëveshjes me kompaninë e regjistruar në offshore Qipro ishte moskryerja e asnjë veprimi apo investimi në tre vitet e fundit.

Krahas tre blloqeve të sipërpërmendur, për të cilët po kërkohen investitorë të rinj, në mars Albpetrol i hoqi kompanisë Phoenix Petroleum bllokun e naftës në Amonicë. Ka nisur procedura për verifikimin e situatës në pesë blloqet e gazit natyror: Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh. Nga verifikimet paraprake rezulton se të pestë këto vendburime nuk kanë prodhuar asnjë metër kub gaz dhe për pasojë pritet që marrëveshjet respektive të rishikohen. 

Si rrjedhojë e përvojës së hidhur në të kaluarën, burimet e Albpetrol pohojnë se tashmë do të jenë shumë më të kujdesshëm në zgjedhjen e investitorëve të rinj.

Revista Monitor,  04.05.2017