Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rimëkëmbja e industrisë amerikane të naftës

Kompanitë amerikane të naftës nuk i mbijetuan dot përpjekjeve të OPEC për të sunduar tregun me çmime të ulëta. Pas një periudhe të errët me shumë falimentime dhe shkurtime vendesh pune, industria është gati të ringrihet, edhe me çmime që dikur dukeshin të ulëta.

Vendimi i nëntorit për të braktisur strategjinë e mbingopjes së tregut ka lejuar stabilizimin e çmimeve mbi 50 dollarë për fuçi. Ky çmim i ka lejuar prodhuesit e SHBA të rinisin nxjerrjen e naftës. Madje shumë prej kompanive ka filluar të rimarrë në punë shumë nga mijëra punëtorët e pushuar gjatë periudhës negative.

Kërkesat për nxjerrje nafte janë ringjallur me ritme shumë të shpejta edhe në Teksas dhe New Mexico. Njësitë për nxjerrjen e naftës kanë shkuar në 301 nga 132 që ishin prillin e shkuar.

Raportet tregojnë se çmimet mbi 50 dollarë do të nxisin prodhimin e lartë. Parashikimi i administratës amerikane është për 9.5 milionë fuçi në ditë, krahasuar me 8.9 milionë fuçi që ishte në nëntor.

JPMorgan madje shkoj përtej duke parashikuar 9.7 milionë fuçi në ditë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Kjo do të ishte një rritje e jashtëzakonshme duke lënë në hije rekordin e vendosur në prill të 2015, madje do të ishte një prodhim më i madh se në 1970, para embargos së OPEC.

Kriza e çmimeve në rënie, ka sjellë nga ana tjetër një zhvillim teknologjik, prej nevojës së kompanive për të bërë më tepër me më pak. Pompat tani arrijnë të nxjerrin shumë më tepër naftë se më parë.

Ideja e “rikthimit” të industrisë së naftës është një lajm shumë i mirë për punëtorët e pushuar në Teksas, Dakotën e Veriut dhe gjetkë. Goldman Sachs ka përllogaritur se nga viti 2014 deri në mesin e 2016, kompanitë kanë reduktuar rreth 170 mijë vende pune, për të ulur kostot dhe për t’iu shmangur falimentit.

Edhe sipas statistikave zyrtare, forca e punës në industrinë energjitike ndali zvogëlimin në gjysmën e dytë të vitit të shkuar.

“Më në fund po shohim një rritje të vogël. Pushimet nga puna ndaluan gjashtë muaj më parë”, tha Jeff Bush, president i firmës së rekrutimit për gazin dhe naftën CSI.

Ai tha se “rrëzimi” i industrisë ishte i ashpër, për shkak të rënies dramatike në aktivitetin shpues.

“Jemi në rimëkëmbje, por nuk është rimëkëmbur ende”, tha Bush.

Tani që kompanitë nuk kanë nevojë për kaq shumë staf, nuk pritet që punësimet të jenë shumë të mëdha.

Gjithsesi, për t’iu rikthyer prodhimit të parashikuar, industria do të duhet të punësojë shumë njerëz. Do të duhet edhe të zëvendësojnë shumë punëtorë, të cilët kaluan nga industria energjitike në industri të tjera si ndërtimi.

Goldman Sachs parashikon se deri në fund të 2018-ës, industria e naftës dhe gazit do të rihapë 80 mijë deri në 100 mijë vende pune.

Në këtë parashikim nuk përfshihet premtimi elektoral i Trump, se do të heqë normat që penalizojnë industrinë amerikane të naftës.

“Kur gjërat të rikthehen në këmbë, do të ketë një mungesë shumë të madhe në njerëz të specializuar”, thotë Bush. “Do të jetë një çmenduri”.

Scan Tv,  20.02.2017