Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kostot e reja shfryjnë çmimin e energjisë

Kompania e Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE, ka përllogaritur një tarifë mesatare të shpërndarjes së energjisë për këtë vit 4.78 lekë për kilovatorë. Kjo tarifë përfshin të gjitha shpenzimet që OSHEE ka përllogaritur për kostot e punës, investimeve, borxheve humbjeve, etj., dhe është kërkuar të aplikohet për periudhën 31 mars-31 dhjetor 2017. Kërkesa për miratimin e tarifës së re është dorëzuar në Entin Rregullator të Energjisë (ERE).

Kjo do të thotë se 1 kw/h energji kushton të shpërndahet 4,78 lekë pa llogaritur çmimin e blerjes dhe të transmetimit të energjisë.

OST ka kërkuar dyfishim të tarifës së transmetimit me 1.17 lekë për kilovatorë nga 0.65 lekë që është aktualisht.

Ndërsa OST dhe OSHEE kanë aplikuar për tarifat e reja, burimet në KESH pohojnë se kompanisë së prodhimit i duhet një tarifë së paku 2.8 lekë për kilovatorë ku përllogaritet mbulimi i të gjithë shpenzimeve dhe një fitim minimal.

Duke qenë se tashmë të gjitha kompanitë kanë përvijuar tarifat e reja të cilat kanë brenda të gjitha kostot dhe fitimin për prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen, totali i çmimit të energjisë shfryhet.

Duke mbledhur tarifat e kërkuara të shpërndarjes 4,78 lekë për kilovatorë, tarifën e prodhimit 2.8 lekë për kilovatorë dhe atë të transmetimit 1.7 lekë, çmimi mesatar  i energjisë në total shkon 9.2 lekë për kilovatorë.

Por me liberalizimin e tregut, tarifat do të paguhen me nivel tensioni. OSHEE ka kërkuar që për konsumatorët e rrjetit 35 kilovolt, tarifa e energjisë të jetë 2.31 lekë për kilovatorë nga 1.5 lekë që është aktualisht.

Për konsumatorët në rrjetin 6-20 kilovatorë,  tarifa e shpërndarjes llogaritet 3.9 lekë. Duke përfshirë edhe kostot e furnizimit dhe të transmetimit, çmimi i energjisë për këtë kategori konsumatorësh i bie 10.3 lekë nga 11 lekë për kilovatorë që është aktualisht.

Për konsumatorët familjarë, tarifa e shpërndarjes e kërkuar është 4.99 lekë. Duke përfshirë edhe kostot e furnizimit dhe të transmetimit, çmimi i energjisë për këtë kategori konsumatorësh i bie 11.39 lekë nga 14 lekë për kilovatorë që është aktualisht çmimi për këtë kategori aktualisht.

Por nëse ERE miraton nivele më të ulëta tarifash nga sa kanë kërkuar kompanitë publike, çmimi i total i energjisë shfryhet edhe më shumë.

Revista Monitor,  07.02.2017