Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Situata me energjinë, konsumi rritet me 20%

Ditët e ftohta kanë detyruar shqiptarët që të shfrytëzojnë çdo burim të mundshëm për ngrohje dhe të paktën për energjinë konsumi ka shënuar një rritje me 20 për qind nga dhjetori 2016 në janar 2017.

Të dhënat zyrtare nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë tregojnë se konsumi ditor në janar 2017 është 24 milionë kwh kurse një muaj më parë 20 milionë kwh. Krahasuar me janarin e një viti më parë sërish kemi konsum më të lartë sepse konsumi ka qenë 21 milionë kilovat/orë.

OSHEE po importon gjatë këtyre ditëve në masën 6 milionë kwh në ditë për të përballuar rritjen e konsumit ndërsa pjesa tjetër prej 18 milionë kwh sigurohet nga Korporata Elektronenergjetike Shqiptare.

Kërkesa e lartë për energji ka bërë që çmimi në bursën hungareze të shënojë një rritje të madhe ku nëse i referohemi datës 10 janar 2017 dhe për shpërndarje në datë 11 janar çmimi bazë është 150 euro për mwh, kurse në pik i njëjti çmim është 224 euro/mwh.

Nga ana tjetër KESH ka vijuar prodhimin për të mbuluar pjesën më të madhe të konsumit. Rezerva energjetike në kaskadën e Drinit është 745.5 gigavat/orë. Niveli i hidrocentraleve është përkatësisht 279.32 metra për Fierzën, 172.19 për Komanin dhe 74.02 për Vaun e Dejës.

Scan TV,  11.01.2017