Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çfarë e vonon zbatimin e ligjit të efiçencës së energjisë

Gati një vit pas miratimit të ligjit për eficiencën e energjisë, ende aktet nënligjore nuk janë gati, gjithashtu është vonuar ngritja e institucioneve që do të bëjnë të mundur zbatimin e tij. Këto vonesa cilësohen si të dëmshme, nga ekspertë të fushës, duke qenë se edhe për Bashkimin Europian, fjala kyçe është eficienca e energjisë.
Akademia e Studimeve Politike, me mbështetjen e Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (SORIS) ka realizuar një studim ku janë paraqitur fazat në të cilat ndodhet zbatimi i ligjit dhe ku jepen disa rekomandime në lidhje me problematikën që është vërejtur deri tani.

Një nga bashkautorët e këtij studimi, ing. Hysni Laçi, gjatë paraqitjes së këtij raporti, vuri në dukje se vonesat kanë ardhur: për shkak të pamjaftueshmërisë së burimeve njerëzore, mbështetjes së mangët nga donatorët, si me ekspertizë apo financiarisht; një pjesë e akteve duhet të përgatiten nga Agjencia për Eficiencën e Energjisë, pas krijimit të saj; mungesës së vullnetit politik me nivelet e vendimmarrjes.

Sipas Gjergj Simakut, drejtor i Drejtorisë për Burimet Energjetike të Rinovueshme dhe Eficiencës së Energjisë është avancuar me një pjesë të kornizës ligjore që mbështet zbatimin e ligjit. Kjo e fundit, sipas Simakut, është sfida kryesore. Në vitin 2017, tha z. Simaku, në Bashkimin Europian, eficienca e energjisë do të jetë çështje primare, duke u ndjekur më pas nga energjia e rinovueshme.
Eficienca e energjisë pritet të zbatohet në fillim në fushën e transportit, por edhe te ndërtesat me qëllim banimi.
Sipas planit ekzistues kombëtar për eficiencën e energjisë, Shqipëria duhet të kursejë 9% energji të rinovueshme deri në vitin 2018.

Plani i ri, si një nga detyrimet që sjell ligji i miratuar në vitin 2015 nuk ka përfunduar hartimin, ndërsa është në fazën e mbledhjes së komenteve nga ana e institucioneve. Në ligj nuk ka një afat të përcaktuar për miratimin e tij.
Sfidë mbetet edhe krijimi i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë, si dhe Fondit të Energjisë.
Sipas rekomandimeve të këtij studimi është e nevojshme që të shtohen burimet njerëzore vendase dhe të nxitet përfshirja e ekspertizës së huaj, që nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe shpesh është bërë edhe pengesë për ngritjen e institucioneve të reja.

Një tjetër rekomandim ka të bëjë me mbështetjen financiare, e cila vlerësohet se në buxhetin 2017 është parashikuar në nivele mbijetese, duke lënë jashtë vëmendjes çdo mbështetje tjetër për investime nga subjektet e tjera apo veprimtari në sigurimin e masave të konsumit të energjisë.
Gjithashtu, studimi thekson se mekanizmi i monitorimit të vazhdueshëm të axhendës së eficiencës së energjisë nuk mund të lihet vetëm në dorë të organizmave ndërkombëtare.
Sipas z. Simaku, në vazhdim pritet finalizimi i Fondit të Eficiencës, ku aktualisht janë në dispozicion 10 mln lekë që do të akordohen si fillim nga qeveria shqiptare.
Ai sqaroi se Fondi, së bashku me Agjencinë, do të bëjë të mundur ngritjen e skemave detyruese për konsumatorët e mëdhenj (3 mln kv/orë). Do të jenë audituesit e eficiencës (të licencuar) të cilët do të bëjnë të mundur identifikimin e këtyre konsumatorëve, të cilët do t’u nënshtrohen gjobave nëse nuk zbatojnë detyrimet e dala nga ligji.

Revista Monitor,  20.12.2016