Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ERE miraton tarifa të reja për bizneset

Në prag të liberalizimit të energjisë elektrike, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) do të miratojë çmimet e reja për bizneset që dështojnë të gjejnë furnitorë energjie në tregun e lirë dhe do të vijojnë të furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (OSHEE).

Sipas ERE-s, klientët e lidhur në rrjetin e shpërndarjes 20 kV, pas datës 31 dhjetor 2016, nuk do të kualifikohen për t’u furnizuar nga FSHU. Gjithashtu klientët e lidhur në rrjetin e shpërndarjes 10 kV dhe 6 kV, deri më 31 dhjetor 2017, kohë pas së cilës këta klientë nuk kualifikohen për t’u furnizuar nga FSHU. Por nëse këto kategori dështojnë të gjejnë furnitorë në tregun e lirë dhe do të zgjedhin OSHEE-në si mundësinë e fundit, atëherë energjia e marrë nga Operatori i Shpërndarjes, në këtë rast Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) do të jetë me çmime të tjera nga sa merret aktualisht.

Në këtë kuadër, ERE është në proces të miratimit të metodologjisë së llogaritjes së tarifave të reja që do të ofrojë OSHEE për biznesin në prag të liberalizmit. Në këtë kuadër janë përllogaritur 8 indikatorë që do të formojnë koston për çmimin e ri.

1.Kostot e lidhura me disbalancat

Dhe çdo lloj kostoje tjetër që ka të bëjë me sigurimin e energjisë elektrike dhe kapacitetin që kërkohet. Pagesa e tarifës për operatorin e tregut në përputhje me rregullat e tregut.

2.Kostot e Shërbimit të Transmetimit

Kjo kategori përfshin shumat që do t’i paguhen Operatorit të Sistemit të Transmetimit për përdorimin dhe operimin e sistemit te transmetimit, sipas tarifave të miratuara nga ERE.

3.Kostot e shpërndarjes

Kjo kategori përfshin shumat që do t’i paguhen Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për përdorimin e sistemit të shpërndarjes, sipas tarifave të miratuara nga ERE.

4.Kostot e operimit dhe të mirëmbajtjes

Kjo kategori përfshin kostot direkte të mirëmbajtjes dhe operimit të FSHU, si dhe kostot administrative dhe korporative të lidhura drejtpërdrejt me funksionimin e FSHU sipas standardeve të kontabilitetit në fuqi. Çdo kosto licencimi dhe rregullimi e FSHU do të përfshihet në këtë kategori.
Kostot e lidhura me ndërgjegjësimin publik, që kanë të bëjnë me sigurimin teknik, inkurajimin e klientëve për pagimin e faturave të energjisë elektrike në kohë si dhe dekurajimin e klientëve për përdorimin e metodave abuzive në konsumin e energjisë elektrike do të përfshihen në kostot e lejuara të operimit dhe mirëmbajtjes. Kostot e publicitetit apo çdo formë tjetër marketingu me qëllim inkurajimin e rritjes së konsumit nuk do të lejohen të përfshihen në kostot e operimit dhe mirëmbajtjes.

5.Shpenzimet e amortizimit

Janë kostot e amortizimit të lidhura me aktivet afatgjata materiale që shërbejnë për sigurimin e shërbimit universal siç përcaktohet në standardet e kontabilitetit. Në këtë kategori do të përfshihet gjithashtu çdo kosto amortizimi që ka të bëjë me aktivet afatgjata jomateriale të tilla si programet kompjuterike, që përdoren nga FSHU.

6.Marzhi i fitimit

Marzhi i fitimit do të jetë një përqindje fikse që aplikohet mbi kostot për blerjen e energjisë elektrike dhe kapacitetit. Niveli i marzhit të fitimit do të përcaktohet i tillë që t’i mundësojë FSHU-së një fitim të arsyeshëm që kompenson riskun që i licencuari merr për ofrimin e këtij shërbimi ndaj klientëve që e përfitojnë atë. Ky marzh do të përcaktohet duke pasur parasysh marzhet e përfituara nga shoqëri të ngjashme në Europë, duke marrë në konsideratë ngjashmërinë ndërmjet industrisë së energjisë elektrike të atyre vendeve me Shqipërinë. Marzhi i fitimit (RM) llogaritet si më poshtë:

7.Kosto e Punës

Kostoja e financimit të kapitalit të punës do të bazohet në kostot e borxhit afatshkurtër të të licencuarit. Në rast se një vlerë e tillë nuk mund të përcaktohet, do të aplikohet një normë e njëjtë me EURIBOR, si dhe një përqindje shtesë prej x%. Kjo përqindje shtesë (x) do të bazohet në situatën e tregjeve rajonale financiare në momentin e përcaktimit. Me qëllim të rishikimit të tarifave për herë të parë, kjo shtesë do të jetë 3%.

8.Borxhi i keq

I licencuari do të propozojë një vlerë për borxhin e keq, të cilën ERE do të duhet ta vlerësojë nëse është e arsyeshme. Në marrjen e një vendimi të tillë, ERE do të vlerësojë përpjekjet e bëra nga FSHU si dhe ndihmën e dhënë nga organet e zbatimit të ligjit për të bërë të mundur mbledhjen e detyrimeve nga klientët. Me qëllim inkurajimin e FSHU për menaxhimin me efektivitet të këtyre llogarive të arkëtueshme, ERE mund të vendosë një objektiv për borxhin e keq me qëllim që t’i japë Shoqërisë nxitje për uljen e këtij niveli, krahasuar me atë të vitit paraardhës.

Revista Monitor,  16.12.2016