Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shtyhet proçesi i liberalizimit të tregut të energjisë

Dalja nga rrjeti i Operatorit të Shpërndarjes të Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe furnizimin në tregun e lirë të bizneseve që konsumojnë nga rrjeti 35 kilovolt i energjisë nuk do të ndodhë në një kohë të shpejtë edhe pse afatet ligjore kanë kaluar qysh në korrik të 2016. Burimet nga OSHEE shpjegojnë se, procesi kërkon ende disa rregullime ligjore dhe investime në terren.

Enti Rregullator i Energjisë duhet të miratojë të paktën edhe dy rregullore që i hapin udhë procesit. E para është rregullorja për ndryshimin e furnizuesit dhe e dyta është kontrata e ndërmjet kompanisë së shpërndarjes dhe furnizuesit.

Nga ana tjetër ende nuk  është instaluar sistemi i matjes online për konsumatorët e rrjetit 35 kilovolt. Me këto zhvillime tregu i energjisë nuk ka perspektivë të liberalizohet as në muajt e parë të vitit 2017.

Ligji i ri i energjisë i miratuar më 2015 detyronte klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV të dilnin në tregun e liberalizuar jo më vonë se data 1 korrik 2016. Klientët e lidhur në tension 20 kV, do të duhej të shkëputeshin nga rrjeti i OSHEE  jo më vonë se, data 31 dhjetor 2016, ndërsa klientët e lidhur në nivelin e tensionit 10 kV dhe 0,6 kV, jo më vonë se data 31 dhjetor 2017.  Teksa afatet janë të përcaktuara qartësisht në ligj, po hasin në vështirësi për zbatimin praktik.

Bizneset që furnizohen nga linja 35 kilovolt i paguajnë OSHEE aktualisht 11 lekë për kilovatorë, por nëse OSHEE nuk do të jetë ofertues në treg bashkë me privatët, çmimi i energjisë që do të ofrohet nga operatorët e vegjël logjikisht duhet të jetë më i lartë, kanë argumentuar disa nga bizneset që furnizohen me 35 kilovolt.

Shumë nga kompanitë e mëdha, që do të dalin në tregun e lirë të energjisë, po përballen me mungesën e tregut dhe janë tërësisht të paqarta për kostot që do të paguajnë. Qeveria në ligjin e ri ka miratuar afatet për liberalizimin, ku konsumatorët 35 kilovolt duhet të shkëputeshin nga OSHEE që nga 1 korriku, ndërsa 6200 biznese të tjera duhet të dalin në tregun e lirë që nga janari 2017, por nga ana tjetër, ende nuk ka një treg të unifikuar, ku operatorët do të mund të shkëmbejnë energji. Me gjithë anomalitë në rregullore në krijimin e tregut real të energjisë procesi i liberalizimit nuk ka gjasa të ndodhë para zgjedhjeve të 2017.

Revista Monitor,  06.12.2016