Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bien fitimet e nëntë mujorit për OSHEE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE, pa rënie vjetore të fitimeve në 9-mujorin e 2016 me rreth 21%, si pasojë e uljes së fluksit të arkëtimeve të borxheve të prapambetura.

Fitimi i OSSHE pas taksave nga aktiviteti arriti në 7.3 miliardë lekë nga 9.3 miliardë lekë vitin e kaluar. Më 2015, arkëtimet u stimuluan shumë nga masat që OSHEE mori për arkëtimin e borxheve të vjetra, duke aplikuar lehtësi për ata që paguanin të gjithë shumën menjëherë.

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, fitimet në total ishin 13.1 miliardë lekë, nga të cilat 9.3 miliardë lekë nga aktiviteti dhe 3.8 miliardë lekë të ardhura të jashtëzakonshme.

Sipas rezultateve të 9-mujorit mësohet se fitimi që OSHEE ka paguar në arkën e shtetit ka qenë 1.28 miliardë lekë ose rreth 9 milionë euro, duke ndikuar pozitivisht në të ardhurat e buxhetit të shtetit.

OSHEE ka blerë 4.2 milionë MWH orë energji elektrike për 9-mujorin, por ka arkëtuar vetëm për 3 milionë MWH, duke shënuar një humbje 28% të energjisë së hedhur në rrjet për periudhën.

Në krahasim me një vit më parë, humbjet e kompanisë janë ulur me 3.5 pikë përqindje, duke arritur në 28.13%.

Të ardhurat e kompanisë shënuan 39.6 miliardë lekë në janar-shtator, por ato ishin 1.4 miliardë lekë ose 4% më të ulëta se një vit më parë. Të ardhurat nga shitja e energjisë ishin furnitori kryesor i arkëtimeve me 37.8 miliardë lekë.

Ndërsa shpenzimet e periudhës shënuan 32.3 miliardë lekë ose 2% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Revista Monitor,  16.11.2016