Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Performanca e Energjisë në ndërtesa”, drafti në Kuvend

Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Ilir Bejtja ishte i pranishëm para deputetëve të komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ku prezantoi projektligjin “Për Performancën e Energjisë në Ndërtesa”.

Z.Bejtja argumentoi para deputetëve se pse ishte sjellë tani ky projektligj, duke theksuar se ligji i mëparshëm i miratuar në vitin 2002 ka sjellë që të gjitha ndërtesat që kemi sot të jenë jashtë çdo kushti eficience të përdorimit të energjisë.

Synimi i këtij projektligji, u shpreh Zëvendës Ministri, është të përmirësojë rregulloret e ndërtimit me kushtet e efiçencës se energjisë në ndërtesat ekzistuese, si dhe në ato që do të ndërtohen të reja.

“Njëkohësisht projekti i paraqitur synon edhe mbikëqyrjen e tregut të pajisjeve që konsumojnë energji në ndërtesa, siç janë ato të ngrohje/ftohjes, ndriçimit, ujit të ngrohtë sanitar, pajisjeve dhe larjes e gatimit, me qëllim ndërgjegjësimin e konsumatorit drejt pajisjeve eficente me kosto efektive.”

Z.Bejtja nënvizoi se ky projektligj është pjesë e integrimit tonë në Bashkimin Europian.

“Paketave ligjore të cilat duhet të transpozohen në legjislacionin shqiptar, ku pjesë e matricës sonë të masave të buta në bazë të procesit të Berlinit është edhe ligji i perfomancës së ndërtesave. Kjo i hap rrugën një renditje më të lartë të Shqipërisë në thithjen e investimeve në fushën e energjisë, në transmetimin e saj brenda dhe jashtë vendit, po kështu dhe të gjithë procesit që lidhet me ndërtimin e korridoreve ndërshtetërore në të gjithë hapësirën e Ballkanit perëndimor dhe Kosovë.”

Zëvendës Ministri Bejtja vlerësoi se nëpërmjet këtij projektligji synohet krijimi i kuadrit ligjor për nxitjen, promovimin dhe përmirësimin e përdorimit efiçent të energjisë në ndërtesat ekzistuese.

“Që do t’i nënshtrohen rinovimit të madh mbi 25%, me synim kursimin e energjisë gjatë jetës së tyre. Ligji do të vendosë rregulla lidhur me projektimin me kushtet e efiçencës se energjisë për ndërtesat e reja. Ndërtesat që përfshihen në fushën e veprimit të këtij projektligji janë: – Ndërtesat publike. Nëse do të kryhet rikonstruksioni tyre në mbi 25% siç e thashë më lart, por edhe nëse do të ndërtohen të reja do të jenë në kushte të eficiencës së energjisë. – Ndërtesat private ose rezidenciale. Ose banesat në pronësi të qytetarëve. Ky është dhe grupi më i madh i ndërtesave që konsumojnë sot energji. “

Efiçenca e energjisë në sektorin e ndërtesave është një mjet i vlefshëm për të adresuar sfidat e mjedisit, u shpreh Zëvendës Ministri.

“Me objekt të veçantë sektorin e ndërtimit dhe rikonstruksionit të stokut të ndërtesave private dhe publike, ky projektligj synon të përmirësojë sigurinë në furnizim duke reduktuar konsumin e energjisë finale në ndërtesa publike dhe private, si dhe ndihmon në minimizimin e ndikimit negativ në mjedis duke zbutur kështu ndryshimet klimatike,” përfundoi Z. Bejtja.

energjia.al  02.11.2016