Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Humbjet e energjisë në transmetim rriten 14%

Humbjet në rrjetin e transmetimit të energjisë shënuan një rritje të fortë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të bilancit të energjisë të INSTAT për janar-qershor 2016, humbjet në transmetim u rritën me 14,4% duke përbërë 10,2% të totalit të humbjeve në rrjet nga 7,9% të humbjeve gjithsej në rrjet që zinin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015.

Humbjet në rrjetin e transmetimit arritën në 105,852 megavatorë nga 92,518 megavatorë që ishin në  vitin e kaluar në të njëjtën periudhë.

Nga ana tjetër, shihet se humbjet në sektorin e shpërndarjes kanë rënë ndjeshëm. Humbjet në shpërndarje kanë rënë me 13,4% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Në tërësi, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 humbjet në rrjet kanë rënë me 11,2%, ku ndikim në këtë rënie kanë pasur uljet e humbjeve në shpërndarje të cilat përbëjnë 89,8% të humbjeve gjithsej në rrjet.

Nga rrjeti i shpërndarjes humbjet ishin me 930,722 megavatorë, nga të cilat më shumë se 70% janë humbje teknike dhe vetëm 28% vijnë nga mospagesa e energjisë.

Në total, humbjet e energjisë ishin 29% për gjashtëmujorin e parë.

Nivelet e ulëta të arkëtimit nga konsumatorët familjare, bizneset dhe institucionet publike, humbjet e larta të energjisë elektrike në sistemin e shpërndarjes, si dhe mosshlyerja e detyrimeve të pretenduara nga operatorët që veprojnë në sektorin elektroenergjetik ka krijuar një situatë të vështirë financiare dhe ekonomike e akumuluar ndër vite.

Kjo ka çuar shpesh në bllokimin e veprimtarisë normale të tyre, si dhe në pezullimin e investimeve që do të çonin në uljen e humbjeve dhe në rritjen e sigurisë së furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike.

Revista Monitor,  08.09.2016