Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Humbjet e energjisë bien në 29.2%

Humbjet e energjisë elektrike janë ulur më tej në gjysmën e parë të vitit 2016. Mbështetur në të dhënat e Institutit të Statistikave, humbjet në rrjet janë ulur në 29.2%, nga niveli 31.3% në të njëjtën periudhë të vitit 2015.

Në veçanti, humbjet në rrjetin e shpërndarjes për gjashtëmujorin zbritën në 26.2%, nga 28.8% që kishin qenë një vit më parë. Mbështetur në atë çka vetë Operatori i Shpërdarjes së Energjisë Elektrike raporton, pjesa më delikate e humbjeve, ajo joteknike, ka zbritur për gjashtëmujorin në 7.15%, nga 10% që ishte në gjashtëmujorin e vitit të kaluar.

Sipas Instat, kjo shkallë humbjesh përfshin edhe diferenca statistikore, megjithatë, kryesisht ajo tregon se këtë vit sasia e energjisë së vjedhur apo të papaguar ka rënë më tej. Megjithatë, të dhënat statistikore që ndajnë humbjet teknike nga ato joteknike janë, janë vetë vlerësime të OSHEE dhe të pacertifikuara nga ndonjë ent i pavarur.

Sidoqoftë, ana tjetër e medaljes është niveli ende shumë i lartë i humbjeve teknike në transmetim dhe shpërndarje. Ky tregues është rritur në 22% për gjashtëmujorin e parë të vitit, nga 21.3% që kishte qenë vitin e kaluar. Sipas Instat, kjo ka ardhur sidomos për shkak të rritjes së humbjeve në rrjetin e transmetimit, që janë zgjeruar me afro 15%.

Kjo do të thotë, më së shumti, se sistemi energjetik ka nevoja të mëdha për investime, me qëllim uljen e nivelit të lartë të humbjeve. Gjysma e parë e vitit rezultoi piozitive për treguesit e prodhimit dhe eksportit të energjisë elektrike.

Prodhimi arriti në 4065 GWH (gigavatorë), në rritje me 8% krahasuar me gjashtëmujorin 2015. Ajo që bie në sy, megjithatë është stanjacioni i prodhimit në HEC-et publike, me shifra afërsisht të njëjta me vitin e kaluar. Rritja ka ardhur e gjitha nga HEC-et private dhe koncesionare, që e kanë zgjeruar prodhimin me 36% krahasuar me vitin e kaluar.

Pesha e impianteve private dhe koncesionare arriti në 32% të prodhimit, nga 25% që kishte qenë vitin e kaluar. Për këtë vit, energjia e përdorur nga ekonomia shqiptare ra me 5% krahasuar me vitin e kaluar.

Ky mund të jetë një indikator i dobësisë së rritjes ekonomike, por, edhe i faktit se energjia paguhet më shumë, ndja edhe shpërdorohet më pak. Gjithashtu, një ndikim mund të ketë pasur edhe ndërprerja e përkohshme e prodhimit nga konsumatorë shumë të mëdhenj, si kompania Kurum.

Scan Tv,  01.09.2016