Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

E ardhmja e naftës, e zymtë

Çmimet e naftës mund të jenë rritur lehtë që nga fillimi i këtij muaji, por analistët parashikojnë një kërkesë të dobët globale, për shkak të një mjedisi të paqartë dhe mbifurnizimit të tregut.

“Në terma afatshkurtër ne besojmë se, më shumë vëmendje duhet ti kushtohet kërkesës së sa furnizimit”, shprehet Marc Kofler, analist i kompanisë së kërkimeve Jefferies. Që nga fillimi i këtij muaji, çmimet e naftës janë rritur me rreth 10%, për shkak të spekulimeve se OPEC do të reagojë ndaj mbifurnizimit të tregut, duke ulur prodhimin.

Në sesionin e së hënës, nafta Brent e Londrës tregtohej në rreth 47.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane në 44.6 dollarë për fuçi. Rritja e çmimeve u ndikua nga deklarata e ministrit rus të energjisë, Alexander Novak, i cili tha se është konsultuar me Arabinë Saudite dhe me vendet e tjera për të arritur një stabilitet të tregut të naftës.

Megjithatë, ka shumë arsye për të qenë i kujdesshëm, pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e rishikoi në rënie kërkesën globale për naftë, gjatë vitit 2017, për shkak të paqartësisë për ecurinë e ekonomisë globale, sidomos përsa i përket kërkesës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.

Gjithashtu, edhe komentet se mund të ketë një bashkëpunim midis vendeve anëtare dhe jo anëtare të OPEC, nuk kanë pasur efekt në të kaluarën. Për këtë arsye, analistët mendojnë se, në takimin e muajit të ardhshëm, OPEC do ta ketë shumë të vështirë të arrijë një marrëveshje për të ulur prodhimin.

Scan TV,  16.08.2016