Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Rikthyem besimin në sektorin energjitik

Parlamenti miratoi ditën e sotme dy projektligje të rëndësishme për sektorin energjitik në Shqipëri. Deputetët i dhanë dritën jeshile projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2014, për masën shoqëruese të projektit Linja unazore 110 KV në Shqipërinë Jugore”.

Nëpërmjet këtij projektligji qeveria gjermane i jep mundësi Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë ose marrësve të tjerë, të marrin nga KfW një shumë financimi me vlerë prej deri në 2 000 000 euro (dy milionë euro), për masa të nevojshme shoqëruese për zbatimin e projektit tanimë të përfunduar të linjës 110 Kv Unaza e Jugut.

Ky financim, në marrëveshje edhe me KfW-në, do të përdoret si mbështetje për projektin e Rimëkëmbjes së Sektorit të Energjisë Elektrike dhe konkretisht, për shërbimet e kontraktorit, i cili pas përzgjedhjes parashikohet që të asistojë ne menaxhimin e shoqërisë se shpërndarjes, pra Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a.

Gjithashtu, u miratua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2015, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të eficencës energjitike”.

Si rrjedhojë e këtij projekti, konsumi i energjisë do të reduktohet ndjeshëm, nga 125 deri 150 kWh/m2 në vit, duke ngarkuar kështu më pak Buxhetin e Shtetit dhe njëkohësisht duke mbrojtur klimën. Krahas kësaj, shumë studentë do të përfitojnë nga mundësi qenësisht më të mira të banimit dhe studimit.

Gjatë diskutimeve në Parlament, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri deklaroi se është rikthyer tanimë besimi i partnerëve ndërkombëtarë tek sektori elektroenergjitik në Shqipëri.

“Po vi nga një nënshkrim shumë i rëndësishëm, ku Banka Europiane për Zhvillim dhe Ndërtim i jep Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare 218 milion euro për të ristrukturuar borxhet e akumuluara nga keqmenaxhimi i viteve të qeverisë së Partisë Demokratike. Që t’ia japësh këtë kredi Korporatës Eletroenergjetike Shqiptare ka një listë kërkesash e kriteresh për të gjitha financat e kompanisë dhe të të gjithë sistemit elektroenergjetik”, u shpreh z.Gjiknuri. Sipas tij, tanimë si KESH ashtu edhe OSHEE monitorohen nga afër prej Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Sipas tij, sektori energjitik po rikuperohet, po forcohet dhe e ka kaluar atë fazën e vdekjes klinike ku e kishte lenë qeveria e ish kryeministrit Berisha. “Një nga çështjet më të mëdha me të cilat u desh të përballej kjo qeveri  ka qenë si të vihet nën kontroll hemorragjia financiare në sektorin elektroenergjetik. Shyqyr Zotit që kjo hemorragji u vu nën kontroll për shkak të vullnetit të kësaj qeverie, politikave të qarta”, u shpreh z.Gjiknuri.

energjia.al  30.06.2016