Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kostot e ndërtimit, në rënie falë çmimeve të naftës

Kostot e ndërtimit të banesave pësuan rënie me 0.2% në tremujorin e parë të këtij viti, duke zbritur në vlera negative për herë të parë në katër vitet e fundit.

Mbështetur në të dhënat e Institutit të Statistikave, komponenti më përcaktues në uljen e indeksit ka qenë rënia e ndjeshme e zërit të shpenzimeve të transportit. Me shumë të ngjjarë, kjo lidhet kryesisht me faktin se çmimet e karburanteve në tremujorin e parë të këtij viti kanë qenë ndjeshëm më të lira krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo është arsyeja që zëri shpenzime transporti ka pësuar rënie me 3.3% për tremujorin e parë të këtij viti. Të tjerë komponentë të indeksit që regjistruan vlera negative për këtë tremujor ishin shpenzimet për energjinë, që ranë 0.4% me bazë vejtore dhe shpenzimet për makineritë, që pësuan rënie me 0.1%.

Ndërkohë, elementi me peshën kryesore në indeks, ai i shpenzimeve material, rezultoi në rritje me 1.2%, në rritje të ndjeshme krahasuar me tremujorin pararendës, kur qëndronte në vlera negative.

Megjithë rritjen e çmimit të materialeve të ndërtimit, një efekt zbutës ka dhënë rënia e kostos për materialet elektrike dhe për ato hidro-sanitare. Ndërkohë, zëri i shpenzimeve për paga regjistroi një rritje vjetore me 1.6%, rritje kjo e njëjtë me dy tremujorët paraardhës.

Rritja e dobët e indeksit të kostos në ndërtim kufizon presionet për rritje të çmimeve të banesave nga krahu i ofertës. Rënia e kostove vjen në një moment kur sektori i pasurive të paluajtshme ka dhënë disa shenja të daljes nga letargjia. Në kushtet e rënies së interesave të instrumenteve financiare, duket se ka një zgjim të interesit të individëve për të investuar në pasuri të paluajtshme.

 Scan TV,  04.06.2016