Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, frikësohen investitorët në Republika Srpska

Biznesmenët dhe investitorët në Republika Srpska thonë se nuk është çudi që mungojnë investitorët, për sa kohë kërkesat bazë, të tilla si furnizimi me energji elektrike, janë të vështira dhe të shtrenjta për t’u siguruar.
Kadir dhe Borka Djonlagic janë dy viktima të problemeve me furnizimin me energji elektrike në entitetin e Bosnjës që mbizotërohet nga serbët.
Sipërmarrësit boshnjakë me qendër në Zvicër kanë investuar më shumë se një milion euro në fshatin etnik Oaza [Oasis] në qytetin Kadir së Prijedorit, në veriperëndim të Republikës Srpska.
Me restorante, shtëpiza, dyqane artizanale, ferma të vogla dhe shërbime të tjera, duke ndërthurur mikpritjen tradicionale dhe strehimin modern, fshatrat antikë janë bërë një destinacion me turistë vendas dhe ndërkombëtarë për vite me radhë.
Por, një nga çështjet kryesore mbetet e pazgjidhur – furnizimi me energji elektrike.
Për shkak të kësaj, familja Djonlagic u furnizua me energji elektrike nga gjeneratorët e saj për ceremoninë e hapjes.
“Dhjetëra gazetarë erdhën këtu për të raportuar në lidhje me investimin tonë”, tha Kadir për BIRN-in. “Por, kur ne e hapim fshatin zyrtarisht … intervistat … do të jenë pranë gjeneratorit, që bën një zhurmë vërtet të pakëndshme”, shtoi ai.
Pavarësisht nga investimet që kanë bërë, familja Djonlagic thotë se biznesi i tyre – si shumë të tjerë – po vuan për shkak të rregullave të kompanisë së energjisë RS.
Fshati etnik ndodhet afër Prijedorit, i cili ka përjetuar ndërtimin e shpejtë të ndërtesave të banimit dhe atyre industriale.
Megjithatë, infrastruktura, veçanërisht furnizimet me ujë dhe energji elektrike, kanë mbetur prapa, për shkak të infrastrukturës së vjetruar.
“Biznesmenët kanë nevoja shumë më të mëdha se sa mund të ofrojë sistemi i shpërndarjes së energjisë elektrike. Sistemi është i dobët dhe kjo është arsyeja pse ne mbetëm pa energji elektrike më shumë se 300 herë vetëm verën e kaluar”, tha Zlatko Skeric, deputet në këshillin e qytetit Prijedor.
Djonlagicët ishin të gatshëm të investonin dhe të ndërtonin nënstacionin e tyre të prodhimit, në mënyrë që të siguronin energji të rregullt. Por ata e braktisën këtë ide, pasi ata i perceptojnë qesharake rregullat e kompanisë energjetike RS.
Këta kërkojnë individë privatë apo biznese që të ndërtojnë nënstacionin e tyre të energjisë – në një kosto të llogaritur zakonisht mbi 30,000 euro.
Për më tepër, pronësia e nënstacioneve duhet të mbetet më pas në duart e kompanisë së energjisë.
“Unë nuk mund të gjej një zgjidhje me ta. Kjo është arsyeja pse bleva një gjenerator prej 176 kilovatësh për të prodhuar energji elektrike. Kam paguar rreth 35,000 euro për të – por ai është i imi”, thotë Kadir.
“Ne shpresojmë ende për një kompromis. Ne do t’u kërkojmë autoriteteve lokale që të na ndihmojnë për këtë problem”, shtoi ai.
Një diplomat perëndimor ka thënë se pengesa të tilla rutinë, të cilat mund të gjenden në të gjithë RS, po frikësojnë investitorët vendas dhe ata ndërkombëtarë.
Kompania e shpërndarjes së energjisë Prijedor tha se është në dijeni të problemeve me furnizimin me energji elektrike në Kozarac dhe në rajon dhe se ato mund të zgjidhen vetëm duke ndërtuar disa nënstacione të reja.
Një ishte planifikuar përpara luftës së viteve 1992-’95, por mungesa e fondeve dhe çështje të tjera politike, ekonomike dhe sociale e vonuan atë.
Drashko Ljubiçiç, nga kompania e shpërndarjes së energjisë Prijedor, tha se firma nuk kishte para për këtë projekt, i cili kërkonte rreth 13 milionë euro.
“Kur ke mungesë të energjisë elektrike në shekullin e 21, nuk ju intereson aspak se kush është përgjegjësi. Thjesht zemërohesh”, tha Zlatko Skeric.
Jusuf Arifagic, i cili ka investuar rreth 8 milionë euro në një fermë qumështi në Trnopolje afër Prijedorit gjatë dhjetë viteve të fundit, pasi u kthye nga Norvegjia, është përballur me probleme të ngjashme.
Mosmarrëveshja e tij me kompaninë e shpërndarjes së Prijedor zgjati për vite me radhë. Arifagic nuk pranoi të paguajë për një nënstacion të ri në vendin e tij, vetëm që ai më vonë të bëhet pronë e kompanisë së energjisë.
“Së fundi, ne kemi një nënstacion të ri nga buxheti i komunës – dhe për më tepër nënstacioni është në pronësi të Arifagic”, tha për BIRN kryetari i komunës së Prijedorit, Marko Pavic.

Revista Monitor,  14.05.2016