Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pr/ligji për pajisjet nën presion prezantohet në Kuvend

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë z.Koli Bele prezantoi sot para deputetëve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e  Njeriut projektligjin “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe bashkësive nën presion”. Z.Bele e cilësoi këtë projektligj shumë të rëndësishëm, pasi garanton sipas tij rolin rregullator dhe mbikëqyrës të shtetit në sektorët dhe aktivitetet ekonomike që lidhen me instalimet nën presion.

“Në bindjen tonë organet shtetërore jo vetëm e kërkojnë, por e kanë edhe detyrim që në këto aktivitete që përfshijnë prodhimin, transportimin, përdorimin, inspektimin teknik të pajisjeve dhe të bashkësive nën presion, të garantohet siguria e njerëzve, mjedisit, pronës në tërësi. Në këtë kuptim është i rëndësishëm një kuadër i plotë ligjor dhe nënligjor për ta garantuar nga ana institucionale”, u shpreh z.Bele. Sipas tij, hartimi i këtij projektligji zëvendëson boshllëkun e krijuar nga ligji ekzistues i vitit 2001, i cili është shfuqizuar në vitin 2013, duke krijuar një vakum ligjor për mbulimin e fushës së përgjegjësisë, por edhe një vakum ligjor për funksionimin e inspektoratit mbikëqyrës përgjegjës.

Sekretari i Përgjithshëm i MEI-it tha se ky projektligj rivlerëson fushën e veprimit e cila nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me enët dhe pajisjet nën presion. Z.Bele theksoi se në objektin e tij janë përfshirë instalimet që aktualisht janë një element më kompleks dhe përbëjnë një realitet konkret në aktivitetin energjetik dhe industrial në vend.

“Për ta ilustruar, janë impiantet e depozitimit të gazit të lëngëzuar, ato të naftës apo shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe pakicë të këtij produkti që janë pajisjet nën presion për gazet industriale, ato në TEC-e, fabrika birre etj”, nënvizoi z.Bele.

Z.Bele u shpreh se implementimi i dispozitave të këtij ligji do të bëhet me aktet nënligjore që do të dalin në zbatim të ligjit. “Është caktuar një afat 6 mujor për miratimin e bazës dhe plotësimin e akteve nënligjore. Në tërësi ky është një ligj i rëndësishëm, i rakorduar me institucionet e tjera të shtetit dhe që në bindjen tonë do të plotësojë fushën e përgjegjësisë dhe të veprimtarisë së Ministrisë dhe të organeve të tjera të varësisë”, përfundoi fjalën e tij z.Bele.

energjia.al  16.03.2016