Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Këshilli i investimeve kundër KLSH për kompanitë e naftës

Këshilli i Investimeve, (organ këshillimor i drejtuar nga ministri për Zhvillim Ekonomik) i kërkon Këshillit të Ministrave të mos zbatojë në mënyrë arbitrare rekomandimet e KLSH-së që cenojnë biznesin. Ky është një nga 13 rekomandimet që ka bërë këshilli në lidhje me njohjen dhe zbatimin e të drejtës së biznesit për apelimin e vendimeve të institucioneve. Rekomandimi merr shkas nga përplasja e kompanive hidrokarbure me Tatimet dhe Ministrinë e Energjisë, për mospërjashtimin nga TVSH të shpenzimeve që kryhen në operacionet hidrokarbure. KLSH, pas auditimit të kryer në AKBN dhe Albpetrol, ka kërkuar revokimin e autorizimeve të lëshuara nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) për përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Një nga kompanitë që ka shkuar deri në Arbitrazh (së fundi u arrit marrëveshje për të pajtuar një auditues ndërkombëtar), “Bankers Petroleum” kundërshton mosnjohjen e këtyre shpenzimeve të zdritshme (mbi bazën e autorizimeve të AKBN). Ky rast analizohet nga Këshilli i Investimeve, i cili del në konkluzion se ka një “mungesë koordinimi institucional midis AKBN dhe Tatimeve:  Autorizimet e lëshuara nga AKBN kishin afat përtej 30 ditëve, ndërsa Tatimet pranonin autorizime vetëm brenda 30 ditëve”. Pra, vërehet zbatim i ndryshëm i të njëjtit rregull. Sipas këshillit, në AKBN ka praktika të mbartura prej vitesh pa u shprehur mbi “kërkesat e subjekteve”. Ndërkaq, udhëzimi i Ministrisë së Financave dhe i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për këtë çështje konsiderohet në kundërshtim me parimet e së drejtës administrative, sepse e bën të pamundur për subjektet që të kryejnë ankim efektiv në gjykatë. Së fundi, mbi këtë problem ka rekomandim të KLSH për revokimin e autorizimeve. “Pasoja bie mbi biznesin si hallka më e pambrojtur”, deklaron këshilli. Nëse do të pranohet ky rekomandim nga Këshilli i Ministrave, ky do të ishte një hap pas i qeverisë në konfliktin me “Bankers” dhe kompanitë e tjera hidrokarbure, që nuk pranojnë të paguajnë TVSH për shpenzimet e përjashtuara me autorizim nga AKBN.

Rekomandimi

“Interpretimi me anë të një udhëzimi të posaçëm të Këshillit të Ministrave për procedurat që duhet të ndiqen në rastin e zbatimit të rekomandimeve të lëna nga raportet e KLSh”, ky është propozimi i Këshillit të Investimeve. “Organet e administratës publike, sipas rekomandimit, duhet të shqyrtojnë me grupe pune detyrat dhe rekomandimet e lëna nga KLSH, duke shmangur zbatimin “apriori” të tyre, sidomos në rastin kur nga zbatimi i tyre arbitrar, cenohet siguria juridike dhe të drejta të ligjshme të bizneseve”. Kjo, sipas këshillit, do të ulte edhe kostot për buxhetin, në rastin kur e drejta e bizneseve do të vendosej në vend nga gjykatat dhe shteti do të ishte i detyruar të dëmshpërblinte bizneset. Gjithashtu, konstaton këshilli, organet e administratës janë të “detyruara” të përmbushin rekomandimet e radhës të lëna për zbatim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke qenë në çdo rast përballë biznesit. “Pavarësisht se organet e administratës nuk janë dakord me rekomandimet e KLSH, të cilat janë jo të detyrueshme për t’u zbatuar apriori prej tyre, sërish preferojnë t’i zbatojnë edhe kur zbatimi i tyre dëmton në mënyrë të paligjshme të drejtat ligjore dhe ekonomike të fituara nga bizneset”, thekson Këshilli i Investimeve. Në këtë mënyrë, shpjegon këshilli, organet e administratës ndihen të mbrojtura nga “paragjykimi”, masat administrative, apo kallëzimet penale që mund të rekomandohen ndaj tyre nga KLSH, duke ua faturuar bizneseve koston e shkeljeve dhe parregullsive të vetë administratës.

Gazeta Shqip,  08.03.2016