Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

FMN: Progres i dukshëm i reformës energjitike

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin më të fundit për Shqipërinë në të cilin vlerëson reformat e ndërmarra në sektorin e energjisë elektrike. Raporti nënvizon se progresi i reformës në sektorin e energjisë ka qenë i dukshëm.

“Humbjet në shpërndarje kanë rënë ndjeshëm bashkë me masën e garancive të parashikuara nga sektori publik. Niveli i arkëtimeve ka arritur tek 100%. Bazuar mbi arritjet e deritanishme, sektori i energjisë elektrike mund të kthehet financiarisht i qëndrueshëm në vitin 2018. Gjithashtu, është e mundur që një pjesë e burimeve të përfshira në Buxhetin e vitit 2016 të shpëtohen”, thuhet në raport.

Fondi Monetar Ndërkombëtar shkruan në raport se ligji i ri për sektorin e energjisë elektrike në përputhje me Paketën e trete Rregullatore të Bashkimit Evropian u miratua në Prillin e vitit 2015. “Ai përfaqëson një hap vendimtar përpara drejt rrugës së gjatë për qëndrueshmërinë e plotë energjitike”, thotë raporti.

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar për programin me Shqipërinë, Anida Tuladar theksoi se në aspektin afat-shkurtër ne presim që rritja ekonomike të vijë nga investimet e huaja të drejtpërdrejta në sektorin e energjisë përmes projektit të gazsjellësit trans-adriatik dhe projektit Statkraft për hidrocentrale.

“Përsa i takon reformës strukturore, siç e përmenda në sektorin e energjisë janë shënuar arritje të rëndësishme por ka vend për të bërë më shumë në këtë fushë. Në veçanti po përqëndrohemi në qeverisjen e korporatave në këtë sektor.  Reforma në sektorin e energjisë dhe ajo e pensioneve ishin reforma të rëndësishme. Ndërsa Shqipëria përparon në rrugën e saj të anëtarësimit në B.E., ky është një katalizator i fuqishëm për të nxitur procesin e reformave dhe mendoj se është një mundësi e mirë për të zbatuar këto reforma”, u shpreh Tuladar.

Në raportin e FMN-së thuhet gjithashtu se një grup pune është ngritur për të identifikuar opsionet më të mira për ristrukturimin dhe privatizimin e kompanisë së naftës Albpetrol. “Më synim diversifikimin e burimeve energjitike, parashikohet që masterplani për gazin natyror të jetë gati në Nëntorin e vitit 2016 duke identifikuar të gjitha aspektet që lidhen me tregun e gazit”, shkruan raporti.

energjia.al  25.02.2016