Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

2015, prodhohet 1.3 mln ton naftë

Në vitin 2015, prodhimi i naftës në vend ishte rreth 1.3 milionë tonë, sipas vlerësimeve paraprake nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë, nga 1.37 milionë tonë që kishte arritur në 2014-n, niveli rekord i pas viteve ‘90.
Burime nga Ministria e Industrisë pohuan se ndonëse në sasi prodhimi i naftës ka rënë me vetëm 5%, të ardhurat e siguruara kanë qenë shumë më të ulëta për shkak të tkurrjes së çmimeve. Sipas të dhënave paraprake nga Bankers Petroleum, të ardhurat e kompanisë u përgjysmuan në vitin 2015, për të arritur në rreth 300 milionë dollarë.

Ditët më të mira në historinë e saj industria i ka pasur në vitin 1974, kur prodhimi arriti rekordin në 2.2 milionë ton. Më pas prodhimi ra dukshëm duke arritur në nivelin më të ulët në vitin 2000 me vetëm 330 mijë tonë. Riaktivizimi i industrisë përmes marrëveshjeve koncesionare nxiti prodhimin, sidomos pas vitit 2009, kur Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës, hyri në eficiencë të plotë. Rritja e çmimeve të naftës ishte gjithashtu një tjetër faktor që nxiti industrinë, teksa në periudhën 2011-2014 nafta tregtohet me rreth 100 dollarë për fuçi.
Por, teksa rënia e çmimeve të karburanteve filloi në gjysmën e dytë të 2014-s dhe vazhdoi e pandalshme në 2015-n për të arritur në rreth nivelin më të ulët të 11 viteve në ditët e para të janarit (rreth 33 dollarë për fuçi), dhe 35 dollarë aktualisht, sektori i prodhimit të naftës në vend është futur në një krizë të thellë.

Ndikimin e parë do ta kenë investimet e secilës kompani në hapjen e puseve të reja, sondave, etj. Bankers Petroleum, operatori më i madh i nxjerrjes së naftës në vend, që shfrytëzon burimin e Patos Marinzës, ka pohuar se nuk planifikon të hapë puse të reja në vitin 2016, ndërkohë që në 2015-n kishte hapur 61 puse të reja. “Si pasojë e çmimeve të paqëndrueshme të naftës edhe në fillim të vitit 2016, Bankers ka zgjedhur të pezullojë aktivitetin e shpimit deri në përmirësimin e çmimeve, me qëllim për të mbrojtur forcën e bilancit financiar të kompanisë. Dy sondat shpuese të përdorura përgjatë vitit 2015 janë ndalur përkohësisht në muajin dhjetor. Aktiviteti i shpimit do të rinisë me rritjen e çmimeve, sondat do të qëndrojnë në vend dhe do të jenë të gatshme për të rinisur aktivitetin në një të ardhme të shpejtë”, ka bërë të ditur zyrtarisht operatori.

Kompania turke Trans Atlantic Petroleum (ish-Stream Oil), – që shfrytëzon burimet e Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës – e ka nxjerrë në shitje në nëntor 2015 degën e saj në Shqipëri dhe ka reduktuar në minimum aktivitetin.
Frenimi i investimit apo prodhimit prek indirekt dhe shumë kompani të treta që ofronin shërbime për to, si në transport, magazinim etj.

Revista monitor,  05.02.2016