Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Përfundon Unaza e Jugut të Shqipërisë

Kryeministri Z. Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri dhe administratori i OST-së Engjëll Zeqo morën sot pjesë në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të punimeve për projektin energjitik “Unaza e Jugut të Shqipërisë”.

Z.Rama deklaroi se investimet bëhen pikërisht falë reformës në energji dhe vendosjes së rendit ligjor në këtë sektor.

“Shumë shpejt do të bëjmë të mundur finalizimin e një ëndrre për të lidhur përfundimisht rrugën e energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Interkonjeksioni i famshëm i shumëpropaganduar si objektiv i partive, qeverisë, shoqërive tona po bëhet realitet. Po bëhet realitet, ashtu si lidhja e rrugës energjitike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, çka do të thotë integrim i plotë i Shqipërisë në rrjetin europian të energjisë. Bëhet e mundur që reforma që vazhdon për të liberalizuar tregun e energjisë dhe ambicia jonë për rajonalizimin e prodhimit dhe administrimit të energjisë të kthehen në mirëqenie për shqiptarët”, tha kryeministri Rama.

Ndërkaq, Ministri Gjiknuri u shpreh se pas përfundimit të “Unazës së Jugut”, do mund të kalohet me ndërtimin e dy nënstacioneve të fuqishme në Orikum dhe Himarë. “Investime këto që do të bëjnë të mundur që bregu Jonian të marrë energjinë e merituar. Janë mbi 20 milion Euro të tjera të planifikuara për 2 vitet e ardhshme nga fondet e Operatorit të Shpërndarjes si dhe nga mbështetja që kemi marrë nga Kooperacioni Italian. Investime për të elektrifikuar përfundimisht me cilësinë dhe me standardet që kërkohet gjithë bregdetin jonian, duke eliminuar të gjitha ato probleme që vazhdimisht pushuesit kanë hasur me vite në këtë zonë”, theksoi ministri.

Sipas tij, këto investime vijnë si rezultat i reformave të qëndrueshme që kanë sjellë më shumë likuiditet në sektor, modele të qëndrueshme ekonomike të cilat do të bëjnë të mundur që ne të investojmë më shumë në sektorin energjetik.

“E them me kënaqësi të madhe se këto vite janë çliruar vlera më të mëdha të investimeve në sektorin energjetik. Pas zgjidhjes së konfliktit me ish kompaninë CEZ dhe marrjen nën kontroll të korporatës nga e autoriteteve shqiptare, janë çliruar mbi 320 milion euro investime të bllokuara për shkak të një konflikti i cili nuk do të na çonte gjëkundi”, nënvizoi z.Gjiknuri.

Konsumatorët shqiptarë, vijoi ministri, janë fuqia e vërtetë, pasi për shkak të financave të qëndrueshme, për shkak të pagesave, ata kanë bërë të mundur përmirësimet në rrjetin elektroenergjetik shqiptar. “Energjia nuk është taksë që e vendos qeveria, energjia nuk i përket qeverisë, energjia është fuqia jonë e përbashkët, e të gjithë qytetarëve për ta çuar zhvillimin e  këtij vendi përpara. Ky është një gur kilometrik, shumë i rëndësishëm në këtë drejtim”, theksoi z.Gjiknuri.

INFORMACION TEKNIK:

Projekti i financuar nga një kredi e qeverisë gjermane nëpërmjet Bankës KfW kapte vlerën e 49 milion Eurove ndërsa parashikonte fuqizimin dhe zgjerimin e rrjetit 110 kV. Loti i parë përfshinte zgjerimin e N/stacionit 400/110 kV Zemblak me një transformator të dytë 400/110 kV, me fuqi 150 MVA dhe plotësimin e skemës primare të Nënstacionit.

Loti i dytë përfshinte ndërtimin e linjës 110 kV Ersekë – Përmet, 56 km; ndërtimin e linjës 110 kV Babicë – Sarandë, 104 km; ndërtimin e qarkut të dytë të linjës 110 kV Zëmblak – Korçë, 13 km; rehabilitimin e linjave 110 Memaliaj – Këlcyrë – Përmet dhe Korçë – Ersekë, 105 km dhe zgjerimet respektive të impianteve 110 kV në N/st Babicë, Sarandë, Korçë, dhe punime rehabilituese në N/st Përmet dhe Memaliaj.

Projekti ka një shtrirje mjaft të gjerë duke përfshirë pjesën perëndimore dhe atë lindore të jugut të Shqipërisë. Ndërtimi i linjës 110 kV Babicë – Sarandë, ka mbyllur në unazë një pjesë të rëndësishme të rrjetit elektrik 110 kV, duke plotësuar kriterin e rezervimit të furnizimit me energji elektrike në rast defekti në linjat e transmetimit, të një zone të gjërë që përfshin rrethet e Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës e Tepelenës dhe gjithashtu garanton funksionimin e sigurtë të HEC Bistricë.

Kjo linjë mundëson ndërtimin e nënstacioneve 110/35/20 kV Orikum dhe Himarë, që të shoqëruar dhe me zhvillimin e rrjetit 20 kV nga Operatori i Shpërndarjes,  do të përmirësojnë në mënyrë rrënjësore cilësinë e shërbimit të energjisë elektrike në një zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit.

Fuqizimi i nënstacionit 400/110 kV Zëmblak dhe zgjerimi i rrjetit 110 kV në zonën juglindore, gjithashtu ka mbyllur në unazë një pjesë të rrjetit ekzistues 110 kV. Në këto kushte krijohet mundësia e furnizimit të zonës Jugore, nëpërmjet fluksit të fuqisë që futet nga nënstacioni 400/110 kV i Zëmblakut. Për pasojë reduktohet fluksi i fuqisë që vjen nga linjat e largëta të rrjetit 220 kV, duke balancuar më mirë dhe vet unazën 220 kV të Jugut, që përbën një problem për sigurinë e furnizimit të një zonë të gjerë.

Përfundimi i projektit “Unaza e Jugut” hap dritën jeshile për të vazhduar tashmë me ndërtimin e dy n/st 110 kV në zonën e bregut të detit Jon: Orikum dhe Himarë, që janë në fazë tenderimi.

energjia.al  29.01.2016