Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tregu i naftës dhe çmimi

Që nga viti i ri, çmimi i naftës ka befasuar edhe parashikuesit më pesimistë, duke rënë me 18%. Më 12 janar, treguesi referencë për naftën e papërpunuar amerikane, WTI i Amerikës, ra nën 30 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga viti 2003. Të nesërmen, një rritje embrionale u zbeh nga lajmi se aksionet amerikane të naftës dhe produkteve të naftës së papërpunuar arritën 1.3 miliardë fuçi, një rekord të ri, shkruan The Economist.

Firmat po përgatiten të veprojnë. BP javën e fundit njoftoi shkurtime të rënda të vendeve të punës; Petrobras, firma shtetërore e naftës së Brazilit, shkurtoi investimet e planifikuara.

Ka nga ata që fajësojnë faktorë të tjerë përveç ofertës dhe kërkesës për perspektivën pesimiste që përqafojnë. Për shembull, banka Standard Chartered, tha se nafta mund të duhet të bjerë deri në 10 dollarë për fuçi përpara se spekulatorët të pranojnë se “gjërat kanë shkuar shumë larg”.

Por ky është kryesisht një supozim. I tillë është niveli i pasigurisë që kontratat derivative amerikane të lidhura me dorëzimet në prill “nënkuptojnë” një çmim të naftës nga 25 deri në 56 dollarë për fuçi, sipas shifrave zyrtare.

Neil Atkinson i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), agjenci parashikimi, gjen shumë arsye në tregun fizik të naftës për t’u bërë pesimist – veçanërisht në lidhje me konsumin, i cili ka qenë një nga faktorët e pakët që mbështeti çmimet vitin e kaluar.

Shitja e naftës në dy javët e kaluara ka ndodhur njëkohësisht me rënien në tregjet e aksioneve kineze dhe juan, që disa investitorë mendojnë se reflekton dobësinë në ekonominë e Kinës dhe për rrjedhojë, në kërkesën për naftë. Edhe pse z. Atkinson e pranon si mundësi, ai mendon se ky rrezik po ekzagjerohet: shifrat e 13 janarit treguan se Kina importoi një shifër rekord prej 6.7 milionë fuçish në ditë naftë në vitin 2015.

Megjithatë, problemi qëndron në faktin se pavarësisht nga India dhe një Kinë “e paqëndrueshme”, kërkesa nuk shfaqet premtuese për këtë vit. Europa nuk ka gjasa të përballet me një përsëritje relativisht të fortë të rritjes së kërkesës së saj për naftë në vitin 2015. Megjithëse ekonomia amerikane vazhdon të rritet, “shtrëngimi” i standardeve të efikasitetit të karburantit ka kufizuar rritjen. Shoferët në Lindjen e Mesme, ku përdorimi i karburantit u rrit vitin e kaluar, kanë më shumë gjasa të mos i nxjerrin makinat e tyre në rrugë, pasi qeveritë e tyre kanë rritur çmimet e benzinës si dhe kanë eliminuar subvencionet e karburantit në mbështetje të financave publike.

“Tashmë ka paqartësi të konsiderueshme në lidhje me rritjen e kërkesës për naftë në nivel global”, thotë zoti Atkinson.

Për më tepër, prodhuesit nuk po “mbyllin çezmat” aq shpejt sa pritej nga njerëzit. Trazira e fundit buron nga takimi i OPEC-ut në fillim të dhjetorit, gjatë të cilit karteli i prodhuesve braktisi kuotat e prodhimit. Arabia Saudite, e cila dikur ka reduktuar prodhimin “për të shpëtuar” çmimet, tashmë refuzon të luajë të njëjtin rol dhe në vend të kësaj priret të nxjerrë nga biznesi prodhuesit me kosto të lartë.

Zyrtarët sauditë thonë privatisht se ata presin që çmimi i naftës të “rigjallërohet” në fund të këtij viti ose në fillim të 2017-s, teksa kërkesa po tejkalon prodhimin global. Rënia natyrore teksa varfërohen fushat, redukton prodhimin me të paktën 5% në vit, argumentojnë ata, madje edhe përpara se të llogariten efektet e reduktimeve në shpime të reja nga firmat e fuqishme të naftës.

Por vijojnë të ekzistojnë pasiguri të mëdha mbi sasinë që do të eksportojë Irani pas heqjes së sanksioneve të OKB-së, me shumë të ngjarë në javët e ardhshme. Për më tepër, thotë z. Atkinson, prodhimi vazhdoi të rritet vitin e kaluar nga puset me kosto të lartë në Gjirin e Meksikës dhe rëra bituminoze e Kanadasë, sepse, sado që ranë çmimet e naftës, shpenzimet operative ishin më të ulëta. “Tradita e industrisë është të vijojë prodhimin për sa kohë që të mundet. Kushdo që dorëzohet i pari ofron një mundësi shpëtimi për konkurrentët e tyre”, -thotë ai.

Pa dyshim, prodhimi në Amerikë po bie, kryesisht për shkak të shkurtimeve nga prodhuesit problematikë të shistit argjilor. Me çmimet e naftës në 30 dollarë për fuçi, naftëtarët e Amerikës do të kenë një detyrë edhe më të ashpër për të mbështetur prodhimin me shpimin e puseve të reja dhe do të përballen me presion të mëtejshëm nga bankierët e tyre për të reduktuar huamarrjen.

AlixPartners, një agjenci konsulence që këshillon firmat me probleme, thotë se edhe më shumë firma pritet të falimentojnë këtë vit. Ajo parashikon një boshllëk financiar prej 102 miliardë dollarësh këtë vit mes “rrjedhjeve” të projektuara të cash-it dhe pagesave të tyre të interesit dhe shpenzimeve të kapitalit të firmave të naftës amerikane, me rritje nga 83 miliardë dollarë në vitin 2015. Ajo tha se rënia “mund të jetë një nga më të rëndat dhe të zgjaturat në histori”.

Por pavarësisht shkurtimeve të mëdha, ato nuk janë ende të mjaftueshme për të zvogëluar tepricën. Inventarët globalë janë në nivele të larta rekord, thotë IEA.

Administrata e Informacionit të Energjisë, një agjenci qeveritare amerikane, parashikon se ato do të rriten një tjetër shifër prej 700,000 fuçi në ditë përpara se kërkesa dhe oferta të fillojnë të balancohen në vitin 2017.

Ajo shton se magazinimi në Cushing, Oklahoma, e cila mund të mbajë 73 milionë fuçi, ka arritur nivele rekord prej 64 milionë fuçi. Brian Busch i Genscape, një mbledhës i të dhënave të industrisë, thotë se po ndodh një histori e ngjashme në Kinë, me anijet me naftë që presin të ankoruara në det për arsye se tanket e magazinimit janë përplot.

Bazuar në nivelin e lartë të rezervave, z. Busch mendon se mund të duhet deri në një vit e gjysmë përpara se të përfundojë rënia në treg. E vetmja gjë e sigurt është se sa më shpejt të bjerë çmimi i naftës, aq më shpejt do të vijë ajo ditë.

Revista Monitor,  28.01.2016