Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

2015, një vit i vështirë për Trepçën

Viti 2015 ka qenë viti më i rëndë për Trepçën, vit i pamundësisë për një progres zhvillimor, ndërsa emëruesi i përbashkët i të gjitha problemeve ka qenë statusi i pazgjidhur.

Kështu u tha mes tjerash të enjten në Mitrovicë, gjatë konferencës vjetore të krerëve të menaxhmentit Trepça, me ç’rast u shpalosën të arriturat dhe vështirësitë e kësaj Ndërmarrje gjatë vitit 2015.

Menaxheri i Trepçës, Ahmet Tmava, vitin 2015 e ka quajtur vit të mbijetesës, stagnimit dhe të shpresës për një status zhvillimor.

Ai ka potencuar statusin e pazgjidhur të Trepçës si gjeneratorin e të gjitha vështirësive.

Sipas tij, çdo prolongim në zgjidhjen e këtij problemi, nënkupton pasoja të cilat veç mund t’i paramendohen.

” Emëruesi i përbashkët i të gjitha telasheve që në kontinuitet përmenden rreth Trepçës janë statusi i pazgjidhur, sepse e kemi deklaruar shumë herë se për neve nuk është problem institucioni i AKP-së, por për neve është problem se Trepça është nën AKP…Ky vit ka filluar me një grevë të minatorëve… për ironi të kohës, pas grevave të minatorëve, pasoi periudha e mungesës së licencës për katër muaj…kur veç pasojat u shkaktuan për këtë periudhë ne me një mobilizim të jashtëzakonshëm fal angazhimit të minatorëve morëm obligime dhe përgjegjësi të minimizimit të këtyre humbjeve dhe shkuam në një angazhim që filloi të reflektojë dhe një mbijetesë në rrethana të jashtëzakonshme’, tha Tmava.

Sipas Tmavës çdo prolongim nënkupton pasoja të cilat veç mund t’ë paramendohen, sepse natyra e aktiviteteve minerare e kërkon kontinuitetin…dhe të gjitha këto telashe vënë në pah nevojën emergjente që qeveria me një ligj të veçantë dhe me karaktere që u thanë më lart të procedohen në Parlament një ligj të veçantë për Trepçën dhe të vihet deri tek një status zhvillimor i cili definitivisht do të reflektojë fuqinë reale të efektit ekonomik që është në pritje të shumë qytetarëve të vendit.

“Me shpresën se më në fund është kuptuar emergjenca e trajtimit të problemeve të Trepçës pa mundësi të prolongimit, ky përvjetor i ‘Javës së Minatorëve’ që do të jetë për dy muaj, do të jetë kohë kur më në fund nga institucionet qendrore në përputhshmëri me një vizion që ne mendojmë se është plotësisht interes i vendit, të sqarohet statusi dhe të jepet mundësia e punës dhe zhvillimit të Trepçës”, ka thënë Tmava.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së punëtorëve të kësaj Ndërmarrje, Nezir Behrami, ka përmendur veç tjerash edhe mungesën e ligjit pensional dhe invalidor, si problem të madh të punëtorëve.

Ai tha se ka punëtorë të sëmurë të cilët nuk janë në gjendje të punojnë, ndërsa lajmërohen në punë sa për të mos e humbur punën.

“Ne minatorët e Trepçës kemi shpresuar se ky vit do të jetë një vit i kthesës në të mirë të Trepçës…prandaj edhe jemi mobilizuar që të japim një prodhim sa më cilësorë dhe më të madh, mirëpo për fat të keq që në fillim të vitit jemi ballafaquar me probleme të cilat nuk i kemi pritur…fal mungesës së ligjeve, siç është ligji pensional dhe invalidor, ne kemi tani probleme të shumta në mesin e punëtorëve. Kemi punëtorë që janë të sëmurë, të lënduar, të mplakur dhe nuk mund të punojnë, dhe ata vinë me shtaga vetëm për të mos e humbur vendin e punës sepse ligji nuk ia mundëson që të jetë në pushim mbi 90 ditë ose tre muaj, dhe pas tre muajve ata duhet të pensionohen. Ne ata njerëz duhet me i mbajt, me i trajtu në punë, kurse kurrfarë ndihme prej tyre nuk mund të kërkojmë”, theksoi Behrami.

Revista Monitor,  05.01.2016