Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia e erës dhe fermerët

Franca, e cila këtë vit ishte organizatore e konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike, krenohet si një nga novatorët më të mëdhenj në botë në teknologjinë e prodhimit të energjisë nga era dhe turbinat e saj janë bërë një simbol i angazhimit të vendit ndaj prodhimit të energjisë së pastër.

Por qeveria franceze është duke u bërë objekt kritikash nga fermerët që thonë se turbinat po dëmtojnë mjedisin e kafshëve të egra dhe bagëtisë.

Në rajonin verior Pikardi, një fermer që merret me prodhimin e bulmetit ka paditur kompaninë e energjisë e cila ka instaluar turbina në njërën nga pronat e tij, me pretendimin se ato kanë stresuar lopët e tij dhe kanë shkatërruar burimin e tij kryesor të të ardhurave.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Luis Ramirez, shkoi në Francë për të mësuar më shumë mbi këtë histori.

Gjatë katër viteve të fundit, gjërat nuk kanë shkuar mirë në fermën e Yann Joly-it. Ai thotë se ky viç u lind tetë ditë më parë me këmbë të lakuara tek kyçet:

“Unë kurrë nuk e kam parë këtë më parë. Kjo filloi të ndodhte vetëm pas vendosjes së turbinave të erës”.

Zoti Joly fajëson për këtë dhe probleme të tjera valët infrasonike (të një frekuence të ulët) që lëshojnë turbinat, të cilat irritojnë kafshët, por që janë të pakapshme nga njeriu:

“Ka dëshmi se të gjitha problemet tona janë të ndërlidhura me instalimin e turbinave të erës. Një muaj pas fillimit të punës së grupit të parë të turbinave të erës, lopët menjëherë filluan të pakësojnë sasinë e prodhimit të qumështit. Kur turbinat fillojnë të lëvizin, lopët nuk hanë dhe nuk pushojnë ashtu siç bënin më parë. Pra ato nuk bëjnë gjumë të mjaftueshëm për të prodhuar qumështin”.

Zoti Joly ka marrë hua për fermën e tij. Mungesa e qumështit ka bërë që borxhet e tij të rriten. Ai tani ka ngritur një padi duke kërkuar largimin e turbinave dhe kompensim për biznesin e tij:

“Para 10 ditësh ndërpremë mjeljen, larguam 12 lopë nga ferma dhe larguam 10 punonjës”.

Avokati i tij Philippe Boderau thotë se politikat e sotme po dëmtojnë klientin e tij.

“Turbinat e erës paraqesin një problem të vërtetë, por njerëzit nuk duan të flasin kundër tyre sepse ata frikësohen se një gjë e tillë do të dëmtonte përpjekjet për zgjidhjen e problemit të ekologjisë në përgjithësi”.

Çështja do të shkojë në gjykatë muajin e ardhshëm. Argumenti i zotit Joly është se turbinat janë një fqinj i keq që po pengojnë përpjekjet e tij për shfrytëzimin e pronës.

Ndërkohë, tani ai po përpiqet të trajtojë çështjen e viçit të tij i cili po vuan nga deformimi i këmbëve:

“Nuk e di se çfarë do të ndodh me të. Po merrem më të çdo ditë. Ai po ha mirë. Por në qoftë se nuk është në gjendje të qëndrojë në këmbë, atëherë unë do të detyrohem ta therr”.

Edhe ferma e zotit Joly po përballet me një pasiguri të ngjashme.

Ministria franceze e energjisë dhe ajo e mjedisit nuk iu përgjigjen kërkesave të Zërit të Amerikës për të komentuar mbi këtë çështje.

Zëri i Amerikës, 21.12.2015