Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEDS shpërndan dhurata fëmijëve

Egzona, pesëvjeçare nga Fushë Kosova është gëzuar të mërkurën. Ajo ishte në mesin e 230 fëmijëve të programit të OJQ-së The Ideas Partnership që mbështetë komunitetin RAE. “Po, jam shumë e lumtur”, thotë ajo, duke i shkëlqyer sytë e kaltër, teksa vëllau i madh po ia hapte dhuratën që e mori nga KEDS-i. Dhuratat, për fëmijët në Fushë Kosovë dhe ata të Shkollës Fillore “Skënder Çeku”, në Qyshk të Pejës i ka shpërndarë personalisht Drejtori Gjeneral i KEDS-it, George Karagutoff. “ Jam i lumtur që i gëzuam fëmijët për festat e fundvitit.

Ne në KEDS mëtojmë të jemi pjesë e shoqërisë sikurse të ndajmë momente të gëzuara me njerëzit e vendit. Sot, vendosëm t’i ndajmë këto gëzime me fëmijët e Fushë Kosovës dhe Qyshkut”, tha Karagutoff.

KEDS ka shpërndarë gjithsej 420 dhurata për fëmijët e këtyre lokaliteteve. Kjo i ka gëzuar pamasë udhëheqësit e institucioneve përkatëse.

“Për mua është shumë e rëndësishme që ata ta përmbyllin vitit të gëzuar. Nga dhuratat e KEDS-it ata po shkëlqejnë”, tha Elizabeth Gowing, themeluese e The Ideas Partnership, e cila i rikthen në mësim fëmijët që braktisin shkollën, por edhe aktivitete shtesë të shtunave ku përfshihet aftësimi i tyre dhe ushqimi i shëndetshëm.

Në mesin e tyre ishte edhe Albin Hyseni, 10 vjeçar. “E kisha braktisur shkollën qysh në klasë të parë. I kam rënë shumë pishman. Tash di shkrim lexim, di matematikë dhe lëndët tjera. Jam i pëgatitur për shkollë”, tha Albini, kurreshtar ta hapte dhuratën sa më shpejt.

Pas Fushë Kosovës, KEDS ka vazhduar në fshatit Qyshk, në hyrje të Pejës. Aty janë shpërndarë mbi 180 dhurata, të cilat janë mirëpritur nga fëmijët e një prej fshatrave më të goditura nga lufta e fundit. Kjo ka lehtësuar shumë drejtoreshën e shkollës, Hasime Gashi. “Nuk kisha dhurata për sivjet. U kisha premtuar në vazhdimësi fëmijëve të çerdhes se babadimri do t’u sjellë dhurata. Por, nuk kisha mundësi ta realizoja një gjë të tillë. Kur më telefonoi KEDS-i për t’i sjellë dhuratat isha vërtetë e lumtur. E mbajta premtimin përmes jush. Faleminderit!”, tha Gashi.

KEDS ka bërë edhe më herët shpërndarjen e dhuratave për fëmijët me rastin e festave të fundvitit. Kompania është e zotuar të vazhdojë tutje të jetë ndër akterët kryesor në vend në aspektin e përgjegjësisë shoqërore.

Telegrafi, 17.12.2015