Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investitorët rigjejnë naftën dhe arin

Ngjarjet e Parisit dhe bombardimet e mëvonshme në Lindjen e Mesme nuk prodhuan asnjë reagim në tregje. Por, me rrëzimin e avionit ushtarak rus nga forcat ushtarake të Turqisë, gjithçka është përmbysur. Investitorët kanë reflektuar menjëherë rreziqet potenciale gjeopolitike nëpërmjet një skeme sjelljeje mjaft klasike.

Duke u larguar nga tregjet e aksioneve, ata janë drejtuar drejt naftës dhe arit. Përjashtim në këtë tendencë të re bën dollari, që duket se nuk ka marrë aspak vëmendje nga investitorët. Metali i verdhë është rritur me 1.3% që prej javës së kaluar.

Pavarësisht se rimëkëmbja nuk është spektakolare, ky është një sinjal i qartë rizgjimi, që ndër të tjera tregon qartë se çfarë nervozizmi ka prodhuar në tregje incidenti mes Rusisë dhe Turqisë. Edhe më i fortë ka qënë reagimi i naftës. Çmimet u ngjitën me më shumë se 3% menjëherë pas incidentit.

Një përshkallëzim eventual i konfliktit mund të kërcënojë edhe rrugët e transportit të naftës. Vetëm përmes ngushticës së Bosforit dhe Dardaneleve kalojnë çdo ditë rreth 3 milionë fuçi nafte. Imuniteti i tregjeve, pas ngjarjeve të Parisit, tashmë është zbehur. Edhe pse nuk ka ende shenja paniku, sinjalet e para flasin për një nervozizëm të përshkallëzuar, çka mund të gjenerojë trajektore mjaft të çuditshme në ecurinë e disa tregjeve.

Telegrafi,  25.11.2015