Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mënyrat interesante të Italisë për kursim energjie

Me dekret të Presidentit, vendi është ndarë në gjashtë zona klimatike, ku kryebashkiakët kanë edhe lirinë për të vendosur se kur do të ndizet ngrohja. Diçka e tillë është tërësisht e panjohur në vende të tjera të BE-së.

Tema e kursimit të energjisë dhe përdorimit alternativ të burimeve të saj, Bashkimi Europian i ka sanksionuar në nenin 4 të marrëveshjes mbi mënyrën e të punuarit në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë si një përgjegjësi të ndarë. Shtetet anëtare të Unionit përcaktojnë kësisoj masën e aktivizimit në politikat energjetike, çka sjell si rezultat që ky sektor politik, në pjesën më të madhe të tij, të menaxhohet nga vetë shtetet anëtare.

Kjo ndarje përgjegjësish sjell me vete edhe shumë detyrime sidoqoftë, duke bërë që kjo politikë të njohë ndryshime nga njëri shtet në tjetrin. Për shembull, Italia.

Kur dielli e mbyll punën e tij në jug, atje do të thotë se nis stina e ftohtë, e pa ngrohje mund të ngrish që në vjeshtë. Pasi Italia po lufton ta realizojë synimin e mbrojtjes së mjedisit e për këtë arsye, ua ka lënë në dorë rajoneve se kur ta ndezin ngrohjen qendrore nëpër banesa e zyra shtetërore.

Kështu, për shembull, në rajonin lombard, ngrohja, e ndarë në disa zona operacionale, mund të ndizet vetëm mes datës 1 nëntor – 1 dhjetor, në varësi të situatës. Shtoji këtu faktin se gjatë ditës, ajo duhet të jetë aktive nga 6 deri në 14 orë.

Vendi, me një dekret të veçantë të Presidentit, është ndarë kësisoj në gjashtë zona klimatike, ku kryebashkiakët kanë edhe lirinë për të vendosur në mënyrë të pavarur se kur do të ndizet ngrohja. Një fshat, në të cilin jetojnë 40 frymë, do të thotë se ka shanse të këqija që kjo punë t’i ndodhë shpejt.

Dhe kush nuk u përmbahet rregullave, duhet t’i bëjë mirë hesapet pasi rrezikon një gjobë nga 500 deri në 3000 euro. Një rregull që në vendet e tjera të BE-së, si Gjermania, për shembull, është fare i panjohur.

Organizata e mjedisit i vlerëson masat e qeverisë

Organizata italiane e mbrojtjes së mjedisit “Legambiente”, i vlerëson rregullat shtetërore nisur nga shumë pikëpamje. Në radhë të parë bëhet fjalë, për të reduktuar normat e emisioneve të gazrave serrë. “Në vjeshtë, në Itali mund të regjistrohen temperatura edhe 20 gradë Celsius, para së gjithash sigurisht në jug të vendit, e atje nuk ka nevojë të ndizet ngrohja qendrore”, shkruan “Legambiente” në faqen e saj të internetit.

Gjermania, flamurtar në energjinë e rinovueshme?

Gjermania përkundrazi, sikurse njofton “Huffington Post” në seksionin e saj për Gjermaninë, ka zgjedhur një rrugë tjetër për të reduktuar emisionet e gazrave të dëmshme. Receta sekrete: energjinë e rinovueshme. Deri në vitin 2035, 50% e burimeve energjetike, duhet të jenë të rinovueshme. Veç kësaj, një tjetër synim për mbrojtjen e klimës, është ai që deri në vitin 2020, të kursehen 40% CO2.

Koalicioni i madh qeveritar në Gjermani e ka theksuar fort këtë objektiv dhe po bën hapa përpara për një politikë energjetike të balancuar, me synimin për të qenë një flamurtar brenda BE-së.

Dhe në fakt, Gjermania në çështjen e rrymës elektrike shihet si një shembull, sikurse e vlerëson edhe Dhoma e Tregtisë Gjermano-Italiane.

Me ruajtjen e magazinimin e lëndës energjetike, Gjermania u përket atyre pak vendeve që duan ta ndryshojnë tërësisht sistemin e tyre energjetik. Para së gjithash, energjia nga era dhe ajo diellore, janë tashmë atje rrugët për një sjellje më të mirë me mjedisin, duke përfituar energjinë.

Kësisoj, Gjermania i furnizon pronarët e shtëpive me lehtësim taksash duke i nxitur të vendosin burime energjie të rinovueshme në fasadat e ndërtesave apo të çative. Sidomos të parapëlqyera në Gjermani janë bërë panelet diellore. Këtu ndërhyn shteti me subvencione.

Shuma e mbështetjes financiare pastaj ndryshon sipas asaj që është aplikuar më parë nga qytetarët, duke iu referuar fuqisë prodhuese që arrijnë panelet e tyre. Për shumëkënd, kjo arritje nuk vlen, ngaqë orët me diell në një vend si Gjermania, nuk mjaftojnë për të ngrohur shtëpinë edhe në dimër.

Me gjithë përpjekjet, synimet klimatike sipas studimeve të fundit janë megjithatë, ende larg për t’u përmbushur.

Rikthim tek energjia bërthamore?

Italia, përkundrazi, po lufton që ta ngulisë mirë në kokën e secilit shtetas të saj, temën e mbrojtjes së klimës. Nevoja për energji në Itali po rritet çdo vit me rreth 2-3% dhe kësisoj rritet më shumë se sa mesatarja europiane. Veç kësaj, çmimet për furnizimin me energji që Italia aplikon, janë nga më të lartat në rang europian.

Pasi në vitin 1987, italianët vendosën kundër përdorimit të energjisë bërthamore, vendi është bërë tashmë deri në masën 85%, i varur nga importet në këtë fushë. Veç kësaj, ai fatkeqësisht nuk posedon asnjë burim të vetin fosil që mund të përdorej për prodhimin e energjisë.

Politikanët po përpiqen ndërkohë të gjejnë burime të reja. Rikthimi tek energjia bërthamore artikulohet shpesh. Në vitin 2009, nga qeveria e Berluskonit u hartua një ligj, sipas të cilit, deri në vitin 2020, në Itali duhej të ndërtoheshin katër centrale bërthamore. Por situata ka ndryshuar sërish, duke sjellë shumë debate.

Gazeta Shqip,  05.11.2015