Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Punëtorët e përpunimit të naftës në protestë

Prej më shumë se 3 muajsh, rreth 1 200 punëtorë të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh nuk kanë marrë rrogat. Edhe pse prej tre muajsh ata zhvillojnë grevë disa orëshe çdo ditë para godinës së administratës së KPTHN-së, ende ata nuk I kanë marrë rrogat e tyre, me të cilën siç theksojnë ata vet mbajnë familjen. Sipas grupit drejtues të grevës mësohet se pronarët kanë ikur, puna në KPTHN është ndalur ndërkohë që punëtorët edhe pse paraqiten në punë, ata nuk paguhen. Ata kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrjen e shtetit që të zgjidh këtë ngërç, por deri më sot askush nuk është kujdesur për ta.

Kreu i sindikatës përpunuese të naftës në Ballsh, Kamber Iljazi ka theksuar se të gjithë punëtorët nuk do të tërhiqen nga greva, deri sa kauza e tyre të gjejë zgjidhje përfundimtare. “Greva jonë ka afërsisht tre muaj që ka filluar dhe problemi kryesor ka qenë mos marrja e pagave mujore nga ana e punëdhënësit azerbaxhanas, i cili është larguar dhe e ka lënë kompaninë për arsyet e veta, ndërsa ne kërkojmë me këmbëngulje që shteti të vërë dorë për zgjidhje. Ne do vazhdojmë të kërkojmë me ngulm, në çdo aspekt, në çdo institucion që të marrim atë që na takon. Nëse kërkesat tona vazhdojnë të mosplotësohen, atëherë protestat do të jenë më të fuqishme, madje jo vetëm këtu në Ballsh por edhe në Tiranë”, është shprehur kreu i sindikatës përpunuese të naftës në Ballsh, Kamber Iljazi.

Përfaqësuesit e protestuesve pohojnë se nuk duan që greva të politizohet. Ata kanë theksuar se i kanë bërë kryeministrit të vendit tre peticione dhe nuk është marrë asnjë masë. Punëtorët e kombinatit të përpunimit të thellë të naftës në Ballsh shkojnë çdo ditë në punë, por vetëm duke u paraqitur pasi ata largohen shumë shpejt, duke mos punuar pa u plotësuar kërkesat e tyre.

Por edhe pse përbën një nga faktorët më kryesorë të protestave dhe grevave të këtyre punëtorëve, pagat nuk janë e vetmja kërkesë e tyre pasi ata shpesh herë kanë ngritur edhe zërin sa i përket kushteve në të cilat punojnë. Ata kanë kërkuar t’u bëhet sigurim jete, pasi nga niveli i lartë i fenolit në gjak, shumë prej tyre nuk arrijnë moshën e pensionit. Gjergj Selmani, Sekretari i Sindikatës, njëkohësisht naftëtar në Ballsh, ka deklaruar se rastet e vdekjeve si pasojë e lëndëve kancerogjene në punë janë disa. “Kërkesa jonë kryesore ka qenë sigurimi i jetës së punonjësve. Ne kemi 7 vjet dhe në asnjë moment nuk kanë qenë të siguruar punëtorët. Vetëm pak kohë më parë kanë ndodhur vdekje të punonjësve pa mbushur moshën, pa dalë në pension. Tani këta pjesëtarët e tjerë të familjes që janë mbrapa kanë të drejtë të përfitojnë diçka nga puna, nga jeta që ka bërë ky punonjës” është shprehur Selmani.

Në lidhje me këtë çështje, pak kohë më parë, konkretisht gjatë muajve të nisjes së protestave nga ana e këtyre punëtorëve, reagoi edhe Inspektorati i Punës, duke urdhëruar kontroll të detajuar për kushtet e punës së punëtorëve në rafinerinë e naftës në Ballsh, kontroll i cili asnjëherë nuk dha rezultate në lidhje me kushtet reale në të cilat këta punonjës punonin.

Gazeta Shekulli,  27.10.2015