Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Liberalizim tregu, interkonjeksion dhe siguri”

Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë organizuan aktivitetin me temë “Zhvillimi i një Koncepti të Fortë Energjie për Evropën”. Ky aktivitet u organizua në kuadër të takimit të 13-të të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, i kryesuar nga Shqipëria.

Takimi i 13-të i Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë ka si qëllim harmonizimin e plotë me legjislacionin e energjisë së BE-së që do të mundësoj inkurajimin e investimeve te huaja private në prodhimin e energjisë, ndërlidhjet kufitare dhe përdorimin më të mirë të energjisë së rinovueshme dhe rritjen e efikasitetit.

Në fjalën e tij, Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri bëri një pasqyrim të potencialeve, kapaciteteve të prodhimit të energjisë në vend dhe projekteve që do të mundësojnë prodhimin dhe shitjen e energjisë në tregun rajonal dhe atë evropian.

“Tregjet nuk kanë qenë plotësisht të integruara, kanë qenë tregje kryesisht nacionaliste. Pra vendet kanë pasur një integrim të dobët energjetik. Patjetër që Bashkimi Europian nëpërmjet paketës së tretë ka filluar të largohet nga këto koncepte dhe po synon atë që ne duam ta quajmë tregu europian energjetik. Pra koncepti i Bashkimit Europian energjetik, një koncept i cili ka shumë sfida përpara. Sfida për konsumatorët, sfida për vetë politikat publike të Bashkimit Europian për ato qëllimet që do të arrijë përsa i përket energjive të rinovueshme dhe uljes së emetimit të karbonit, për arsye sepse ekzistenca e këtij tregu ka filluar të vërë në pikëpyetje edhe shumë nga skemat e deritanishme shtetërore, monopoliste, të incetivimit të shumë energjive të rinovueshme,” theksoi Ministrit Gjiknuri.

Koncepti i dytë që duhet të ndryshojë është koncepti i diversifikimit të burimeve. Ministri Gjiknuri morri si shembull Korridorin e Jugut, duke u shprehur se ky korridor është një shembull konkret i diversifikimit.

“Një korridor i rëndësishëm për Evropën, jo se do të japë ato sasi të tilla që do ta bëjnë Evropën shumë më pak të varur, por për herë të parë po hapet një korridor jashtë rrugëve tradicionale të furnizimit me gaz, i cili e bën këtë të mundur. Po të marrim parasysh zhvillimet e kohëve të fundit, zbulimet e mëdha të gazit jo vetëm në detin Kaspik, sepse në fund të fundit ky korridor origjinën e ka nga gazi i detit Kaspik, po të shtojmë këtu edhe zbulimet e fundit në Mesdhe, në Egjipt, në Qipro, në Izrael, e bëjë këtë korridor akoma edhe më strategjik.”

Duke u ndalur në reformën e ndërmarr për sektorin energjetik në vend, Ministri Gjiknuri u shpreh se: “Në dy vitet e fundit është ndërmarrë një reformë thelbësore në sektorin energjetik, me një plan të qartë veprimi i shoqëruar me ndërhyrjet e nevojshme ligjore, çka bëri të mundur uljen drastike të nivelit të humbjeve të energjisë elektrike në rrjet dhe rritjen e arkëtimeve përmes rivendosjes së ligjshmërisë”.

Në mbyllje të fjalës së tij Ministrit Gjiknuri nënvizoi se: “Si pasojë e reformave dhe mirëmenaxhimit të kaskadës, kemi ulur deficitin financiar me prodhuesit privat të energjisë duke paguar 100% të borxheve dhe garantuar pagesat korrente”.

Ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u ndal në rëndësinë që ka energjia për ndërlidhjen e mëtejshme të vendeve të Ballkanit ku solli si shembull projektin e BE-së si një projekt i bazuar në një element kyç, energjinë.

Duke u ndalur ne rëndësinë që ka energjia në sigurinë rajonale Ministri Bushati u shpreh se: “Për Shqipërinë, si vend kandidat në BE dhe anëtar i NATO-s, energjia përbën një element të rëndësishëm, jo vetëm për dimensionin e sigurisë që përmban, por edhe për ekonominë e vendit dhe rajonit. Garantimi i furnizimit me energji dhe zhvillimi ekonomik i rajonit është gjithnjë e më shumë i varur mbi zhvillimet e rrjeteve të energjisë dhe infrastrukturës rajonale”.

Gjithashtu Ministri Bushati evidentoi se: “Për ne, Korridori energjetik i Jugut, që është në harmoni të plotë me politikat e BE-së, dhe në veçanti gazsjellësi TAP (dhe në një fazë të mëvonshme IAP), do të mundësojnë kyçjen e Shqipërisë në rrjetin ndërkombëtar të energjisë dhe shndërrimin e saj në një vend që e shfrytëzon më mirë potencialin energjetik”.

energjia.al  16.10.2015