Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bushati: Rajoni, arritje në sigurinë energjitike

Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, organizuan konferencën me temë:  “Zhvillimi i një Koncepti të Fortë për Evropën e Energjisë”. Konferenca u organizua në kuadër të takimit të 13-të të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, i cili kryesohet aktualisht nga Shqipëria.

Takimi i 13-të i ministerialit të Komunitetit të Energjisë ka si qëllim harmonizimin e plotë me legjislacionin e energjisë së BE-së, që do të mundësojë inkurajimin e investimeve të huaja private në prodhimin e energjisë, ndërlidhjen e rrjeteve energjetike, rritjen e efikasitetit dhe përdorimin më të mirë të energjisë së rinovueshme.

Në fjalën e tij, Ministri Bushati u ndal në rëndësinë që ka energjia për ndërlidhjen e mëtejshme të vendeve të Ballkanit, duke theksuar se “historia e sigurisë energjetike të Evropës është historia e përpjekjeve për paqëtimin e kontinentit”.

Për Shqipërinë, si vend kandidat në BE dhe anëtar i NATO-s, energjia përbën një element të rëndësishëm, jo vetëm për dimensionin e sigurisë që përmban, por edhe për ekonominë e vendit dhe rajonit.

Gjithashtu, Ministri Bushati evidentoi se: “Korridori energjetik i Jugut është në harmoni të plotë me politikat e BE-së, dhe në veçanti gazsjellësi TAP, i cili ka të gjitha atributet për t’u bërë një element i suksesshëm i politikës së fqinjësisë së BE-së”.

Ministri insistoi mbi vëmendjen që BE-ja duhet t’i kushtojë çështjes së ndërlidhshmërisë energjetike, sepse aktualisht Ballkani Perëndimor ngjan me një mori ishujsh të izoluar energjie.

Në përfundim të fjalës së tij, Ministri theksoi se: “Është jetike që të kemi një pamje të qartë, të mbështetur nga mjete financiare, me qëllim që këto ishuj të izoluar të kthehen në një arqipelag energjie”.

Në këtë kontekst “ndërlidhja energjetike është e mundshme vetëm nëse mbështetet nga një paketë zhvillimore e BE-së për rajonin tonë”, u shpreh Ministri Bushati.

Në fjalën e tij Ministri i Energjisë dhe Industrisë Gjiknuri bëri një pasqyrim të potencialeve, kapaciteteve të prodhimit të energjisë në vend dhe projekteve që do të mundësojnë prodhimin dhe shitjen e energjisë në tregun rajonal dhe atë evropian.

Duke u ndalur ne reformën e ndërmarrë për sektorin energjetik, Ministri z. Gjiknuri u shpreh se: “Në dy vitet e fundit është ndërmarrë një reformë thelbësore në sektorin energjetik, me një plan të qartë veprimi i shoqëruar me ndërhyrjet e nevojshme ligjore, çka beri te mundur uljen drastike te nivelit të humbjeve të energjisë elektrike në rrjet dhe rritjen e arkëtimeve përmes rivendosjes së ligjshmërisë”.

Me tej, ai u shpreh se: “Si pasojë e reformave dhe mirëmenaxhimit të kaskadës, kemi ulur deficitin financiar me prodhuesit privat të energjisë duke paguar 100% të borxheve dhe garantuar pagesat korrente”.

energjia.al  16.10.2015